Diola Dosti rigjen dashurinë, publikon foton duke puthur biznesmenin nga Kosova
Diola Dosti ka rigjetur dashurinë pas ndarjes nga bashkëshorti. Biznesmeni nga Kosova Erolld Belegu ka postuar sonte disa foto në Instastory ku...
Na është bërë zakon gati i pandryshueshëm që, problemet e sëmundjeve që kalojmë, t’i lidhim me derën e farmacisë. Jemi mësuar që aty të gjejmë zgjidhjen, shërimin, por a ju ndodh ndonjëherë, teksa jeni në farmaci, të mendoni se shumica e ilaçeve aty e kanë bazën nga natyra, nga ajo e cila rrethoheni çdo ditë, por ndaj së cilës jeni shumë pak të vëmendshëm e vetëdijshëm për ta shfrytëzuar? Ndoshta ju nuk e bëni, por janë të shumtë mjekët dhe profesionistët e kësaj fushe, të cilët po rrisin vëmendjen drejt burimit natyral të shërimit: ushqimeve, bimëve e çajeve të ndryshëm. Shumë libra, që kanë rezultuar “best seller” në këtë fushë kanë dalë në dritë kohët e fundit dhe një të tillë sapo ua ka sjellë në duar lexuesve shqiptarë shtëpia botuese “Living”. “Ushqimet që shpëtojnë jetë”, është botimi i disatë, që “rekruton” kjo shtëpi nga gama e librave udhëzues për një jetë të shëndetshme e plot stil. “Ushqimet që shpëtojnë jetë” nga dr. Michael Greger dhe Gene Stone, është një libër shumë i mirë për të gjithë ne, qofshim apo jo të sëmurë. Ai ofron këshilla të dobishme, të cilat vlejnë edhe për mjekët apo ofruesit e shërbimit shëndetësor, të cilët shpesh harrojnë të na udhëzojnë në lidhje me parandalimin e sëmundjeve. Është një lloj manuali përdorimi për të gjitha të mirat që na ka falur natyra. Përkthyesja Blerta Toçilla, e shikon këtë libër, i cili bazohet në dobitë parandaluese dhe shëruese të ushqimeve, si një konsultë më pak te mjeku nutricionist. “Përveç këshillave për një jetë dhe ushqyerje sa më të shëndetshme, në çdo kapitull të këtij libri, vihet theksi te ndikimi që ka çdo ushqim në veçanti, në parandalimin dhe luftimin e një sëmundjeje të caktuar, - shpjegon Toçilla, - Nisur nga realiteti ynë, ku sëmundjet sa vijnë e shtohen, është mirë që secili prej nesh të ndërgjegjësohet në lidhje me çdo ushqim që zgjedhim. Sëmundjet e zemrës, diabeti, sëmundjet e mushkërive, të aparatit tretës dhe të trurit janë kthyer në sëmundjet më kërcënuese për jetën. Nëse ndiqni udhëzimet e dr. Gregerit, të jeni të sigurt që jo vetëm do të jetoni më gjatë, por edhe më shëndetshëm,” - shpjegon më tej ajo. Ky është një botim, i cili ju ndihmon të drejtoni vëmendjen te produktet që gjenden në kuzhinën tuaj për të gjetur zgjidhje më praktike dhe më të shëndetshme për organizmin tuaj. Për vetë përkthyesen Toçilla, “Ushqimet që shpëtojnë jetë” ishte një sprovë. “Ishte sprovë jo vetëm për terminologjinë që përmban libri, por edhe sepse kaloja për herë të parë nga përkthimi i filmave dhe i dokumentarëve te një libër. Përpos dëshirës për të sjellë një
përkthim të mirë, përgjegjësia ishte shumë e madhe. Nuk doja të zhgënjeja lexuesin, por mbi të gjitha, Etlevën, kryeredaktoren e botimeve ‘Living’, e cila ma besoi këtë libër. Lidhja me librin ishte e menjëhershme. Çdo informacion të vlefshëm që merrja në lidhje me një sëmundje të caktuar, përpiqesha ta ndaja me të gjithë ata që kishin një histori familjare që lidhej me sëmundjen në fjalë. Sa më shumë familjarizohesha me librin, aq më shumë e ndieja ndikimin që do të kishte ai te lexuesi. Ishte një univers më vete, të cilin u përpoqa ta përqafoja e ta bëja pjesë të jetës sime. Është e pashmangshme që të lexosh një libër të tillë dhe të mos bësh ndryshime rrënjësore në mënyrën e jetesës.” Si i tillë, ky libër vjen si një përmbysje e shumë koncepteve që deri më tani na janë shërbyer nga mjekësia konvencionale. “Për mua, revolucion përbën çdo libër vetëndihmues, që i mëshon idesë së ushqyerjes së shëndetshme apo qasjes më të afërt me burimet që na ofron natyra, - shprehet Toçilla. - Shqiptarët kanë një lidhje të hershme dhe të ngushtë me natyrën, por gama e përbërësve që na ofrohet sot është shumë herë më e madhe se dikur. Ka ardhur koha të vlerësojmë më shumë gjithçka që zgjedhim për të vendosur në tavolinën tonë dhe çka është më e shëndetshme për fëmijët tanë. Të përmirësojmë shijet e tyre që në hapat e parë të jetës, për të shmangur sëmundjet që ne vetë i kemi në dorë t’i parandalojmë. Të mos harrojmë se të parandalosh është gjithmonë më mirë se të kurosh,” - përfundon përkthyesja.
Michael Greger është mjek, autor dhe lektor i njohur në rang botëror për ushqyerjen, sigurinë e ushqimeve dhe çështjet e shëndetit publik. Ai drejton NutritionFacts.org, një faqe e mirënjohur jofitimprurëse në internet, e cila ofron video dhe artikuj të përditshëm mbi kërkimet më të fundit shkencore lidhur me ushqyerjen. Ndërsa autori tjetër, Gene Stone ka shkruar shumë libra lidhur me ushqyerjen me bazë bimore, përfshirë bestsellerin “Forks Over Knives”.
Ai është gjithashtu bashkautor i bestseller-ve të tjerë “The engine 2 Diet” dhe “Living the Farm Sanctuary Life”.
Analizat e dr. Gregerit dhe Gene Stone kanë të dhëna statistikore të bazuara në fakte dhe eksperimente shkencore. Të gjitha të dhënat që do të gjeni në libër janë fryt i një pune kërkimore intensive, gjithëpërfshirëse dhe mbarëbotërore. Përvoja e tyre në fushën e mjekësisë
ishte një nga shtysat për të shkruar këtë libër, sepse sipas dr. Gregerit, mungesa e informacioneve lidhur me ushqyerjen, i ka fillesat që në edukimin e mjekëve të rinj. Nga Elona Jaçellari/Fotografia Armand Habazaj
Diola Dosti ka rigjetur dashurinë pas ndarjes nga bashkëshorti. Biznesmeni nga Kosova Erolld Belegu ka postuar sonte disa foto në Instastory ku...
Migrena zakonisht njihet për shkaktimin e dhimbjes pulsuese të kokës, por jo të gjitha rastet e migrenës janë të njëjt...
Turmat në veri në Londrës janë mbledhur të hënën në mëngjes për të parë një mural në for...