Më në fund, Leo e ndan mendjen për t’u martuar, prezanton modelen 25 vjeçare me të ëmën!
Për shumë vite, Leonardo DiCaprio ka qenë një nga beqarët më të lakmuar, por më në fund duket se ka një fitu...
Nëse Piter Pani do të ngecte padashur në këtë dhomë, besoj se nuk do të dëshironte të kthehej më në Ishullin Askund. Kjo dhomë e mrekullueshme fëmijësh, është një oazë e vërtetë, ku edhe ne si të rritur, do të linim peng të tashmen, për t’u arratisur në fëmijëri e për të jetuar në një vend që mban zgjuar imagjinatën. Ky ishte edhe synimi i asaj që krijoi këtë dhomë me aksesorë dhe mobilie të personalizuara për fëmijën e saj. Ajo quhet Ilisia Abazaj dhe nuk është as disenjatore, as arkitekte e as ndërtuese. Ishte mëmësia, ajo që e nxiti të krijonte diçka për fëmijët. 31-vjeçarja nga Tirana me profesion ekonomiste, nga dëshira për të krijuar një ambient të bukur për të birin 3-vjeçar, Gredin, filloi të krijonte artikuj nga më të veçantët. Këto ide që së pari i gëzoi i biri, tanimë Ilisia i ka kthyer në biznes.
Kam pasur gjithmonë dëshirë të kem një biznes timin, por pa e ditur çfarë. Nuk i kisha idetë të qarta, derisa erdhi në jetë djali im, Gredi.
Duke parë në internet e duke shfletuar revista, në përpjekje për të arreduar dhomën e tij, në mënyrë që fëmija të ruante sa më shumë kujtime të bukura, më lindi ideja e tendave “Teepee”. M’u duk ide e bukur që fëmijët të kishin një vend brenda shtëpisë, ku të luanin e të zhvillonin fantazinë e tyre dhe m’u duk gjetje e spikatur për aktivitetin që doja të hapja,” - tregon Ilisia. Por që nga ideja, e deri te realizimi i saj, ajo ndeshi shumë vështirësi teknike dhe u desh një kohë e gjatë derisa të realizonte produktin e parë. Tendat për fëmijë nuk ishin një gjë e zakonshme dhe e njohur më pare në vend, ndaj u desh kohë që produkti të njihej dhe të pëlqehej. “Me pëlqimin e tendave ‘Teepee’, kuptova se nënat kanë filluar të jenë më të vëmendshme për lojërat e këndshme të fëmijëve. Kështu, mendova ta shtoja gamën e produkteve. Pas tendave, krijova kubat e personalizuar prej druri të lyer me bojëra ekologjike, pastaj futa jastëkët decorative dhe krijova një linjë të këndshme me formën e resë, hënës dhe yllit. Pastaj, më vonë erdhën edhe jastëkë të ndryshëm në formën e arushëve panda, fjongove, etj.”
Vijon ne faqen e dyte
Një ndër artikujt më të veçantë në këtë dhomë fëmijësh, është edhe ai që Ilisia e quan “Play Gym”. Është një tip kupole prej druri, një mekanizëm në formë këmbaleci, ku varen lodra gjithashtu prej druri, në vazhdimësi të idesë që ajo ka për lodra dhe aksesorë ekologjikë. Më tej, imagjinata e mamit të Gredit ngjitet nëpër mure ku varen shkronja që mund të formojnë emrat e fëmijëve. Këto shkronja mund të jenë në formën e resë ose yjeve. Këtë dhomë e bëjnë të mrekullueshme edhe raftet prej druri në formë shtëpizash, të cilët varen po ashtu në mur. Ato kanë një sergjen prej nga varen spango dhe gogla. Produkti më i fundit që Ilisia ka krijuar, është rafti në formën e lojërave “lego”. Përveçse një mobilie dekorative, ky raft është shumë funksional, sepse brenda tij mund të vendosni shumë lodra. Tepër i veçantë është edhe rafti i bardhë me kunja, i cili ka një teknikë të veçantë dhe të vështirë realizimi, sepse duhet të shpohen disa vrima me një saktësi dhe simetri të pagabueshme, nëpër të cilat futen shkopinj që lëvizen për të riorganizuar raftet në varësi të objekteve që mund të fusni brenda. Interesante është dhe ideja e dyshekëve-tapetë, që në këtë rast e shohim në formën e një arushi të stërmadh.
Vijon ne faqen e trete
Përveçse një element dekorativ, ai është shumë i rehatshëm e fëmija mund të shtrihet dhe të luajë mbi të. Të gjithë këta aksesorë e mobilie, janë shtuar në kuadër të zgjerimit të aktivitetit fitimprurës që Ilisia do të zhvillojë më tej. “Sigurisht që për të gjitha këto, frymëzohem nga bota e fëmijëve, - thotë Ilisia,- por ndjek edhe stilin skandinav e austriak të arredimit të dhomave të fëmijëve. Në këtë stil mbizotërojnë shumë ngjyrat e hapura dhe me dritë, dhe një rëndësi të veçantë zë krijimi i hapësirave brenda dhomës, për t’i dhënë mundësi fëmijës të luajë aty.” Për Ilisian, e cila ka vetëm imagjinatën dhe dëshirën për të krijuar, por jo një punishte të sajën, realizimi është shumë i vështirë. “Gjithçka është një proces i gjatë dhe i lodhshëm”, - shpjegon ajo. I duhet të dalë e të zgjedhë vetë copat, drurin, të bëjë skicat dhe t’u qëndrojë mbi kokë marangozëve me orë të tëra, derisa aksesori të marrë formën që do ajo. “Edhe pse mund të duket sikur profesioni im si ekonomiste nuk ka shumë lidhje më këtë sipërmarrje, ai më ndihmon për mënyrën se si menaxhoj punën, kohën, si dhe për të nxjerrë kostot në mënyrë të kënaqshme për të dyja palët. Po ashtu, edhe në mënyrën se si duhet të orientohem në botën e marketingut për të reklamuar produktet e mia. Kam edhe pak prirje për pikturë, - rrëfen Ilisia, - kështu që, më duket se në këtë drejtim, kam qenë disi e plotësuar.”
Para dy vjetësh, kur Ilisia nisi këtë rrugëtim me tendat “Teepee”, blerësit ishin të paktë, por sot thotë se atajanë shtuar aq shumë, sa ajo nuk i mban mend. E nisi me një produkt të
vetëm, shtoi dalëngadalë aksesorët e personalizuar për një dhomën dhe tani ka plotësuar një ambient të tërë për fëmijë. Së fundmi, është ftuar të bashkëpunojë me një studio arkitekture, ku realizimi i dhomës së fëmijës, do t’i lihet i gjithi asaj. “Ky është synimi im: të realizoj jo vetëm elementë të caktuar për një dhomë, por gjithë dhomën e gjumit të një fëmije, që nga dekoret e vogla e deri te mobiliet e mëdha, ku një rëndësi të veçantë duhet të zërë hapësira për të luajtur, që stimulon imagjinatën e fëmijëve,” - përfundon Ilisia. E pra, Piter Pani nuk e kishte keq kur zgjodhi të qëndronte gjithmonë fëmijë. Bota e tyre është po aq e bukur, sa edhe kjo oazë për fëmijë që Ilisia e ka krijuar vetë. Çdo i rritur që do të hynte këtu brenda, do të donte të kthehej edhe një herë fëmijë.
Nga Elona Jaçellari | Fotografia: Armand Habazaj
Për shumë vite, Leonardo DiCaprio ka qenë një nga beqarët më të lakmuar, por më në fund duket se ka një fitu...
Armokromia është një temë që po thellon kureshtjen e njerëzve çdo ditë e më shumë. Pak e njohin, por shqip...
Nga Lira Gjika Fëmija ka nevojë për nënë dhe baba. Fëmija që të vijë në jetë duhet një mashkull d...