Dy tërmete të fortë në Greqi, 5.2 dhe 5.7 të shkallës Rihter
Në orët e para të mëngjesit të sotëm shteti fqinj, Greqia është goditur nga dy tërmete të njepasnj&eum...
Nga Matilda Tërpollari, Fotografia Armand Habazaj
Kur e takova Silvën për herë të parë nuk e kasha menduar se ajo do të kthehej në frymëzim për ne. Në telefon kishim folur vetëm për dizajnin, një moment që revista jonë e preferon shumë dhe e gjurmon me insistim. Kisha marrë disa të dhëna për natyrën e arredimit dhe në fakt mezi prisja të shihja shtëpinë e saj. Për hir të së vërtetës, ajo ishte një befasi. Një stil i pastër, pa gabime në arredim, avangardë në shumë momente të dizajnit. Zgjidhje arkitekturore që do të bënin të mendohej çdo arkitekt. Nëse do të kishte pyetur një profesionist të fushës, me siguri do të ishte frenuar nga rregullat klasike të dizajnit, por Silva e kishte realizuar vetë çdo gjë, pa pyetur shumë për normat. Silvana nuk ishte arkitekte, madje studimet e para i kishte kryer për Italisht dhe unë këtë e dija. Por ajo kishte realizuar dhe sot jeton në një projekt fantastik ku çdo gjë mban firmën e saj. Kur e takova m’u duk si ato femra që Zoti i ka bërë vetëm me rini. Nuk isha në gjendje të përcaktoja as me gabime 10 vjeçare se ç’moshë kishte. Atë ditë kishte lënë gjithçka dhe na kushtoi një paradite të plotë. Një luks për femrat që merren me biznes. Silva sot ka një aktivitet të rëndësishëm. Ajo së bashku me bashkëshortin e saj italian Rikardo, ka një përfaqësi të 24 fabrikave të veriut të Italisë, të cilat si objekt kanë metal-mekanikën, arredimin dhe ndërtimin.
Është e qeshur dhe na përfshin natyrshëm në bisedë. Silvana Ismaili, jeton në një pallat në “Liqenin e thatë”, në periferi të Tiranës. “Kam ardhur këtu, madje kam sjellë edhe zyrat poshtë këtij pallati. Doja që gjithçka ta kisha afër çerdhes së fëmijëve”, na thotë Silvana duke e kuptuar habinë tonë. “Vërtet jam mbi 50 vjeç, por kam tre fëmijë të vegjël”. thotë ajo. Silva është nga ato gra, e cila ka pasur këmbënguljen dhe kurajën të rifillojë nga e para. Këtë shtëpi e kam bërë të gjithën vetë. “I kam kaluar të 50-at, por kam dy djem binjakë trevjeçarë dhe një vajzë 2 vjeçe”, tha Silva duke e kuptuar se tashmë çudia jonë nuk mund të ndalej. Silvana, nga martesa e saj e parë kishte një djalë 23 vjeçar, Livju, i cili studionte në Verona për Ekonomi Financë. “Livju, pas një masteri në ekonomi do të kthehet dhe do të merret me biznesin, ndaj më duhej një shtëpi e madhe për 4 fëmijët e mi”, thotë ajo. Pas një çaji dhe strudeli me mollë të bërë vetë, ajo na e kishte kuptuar dëshirën. “Po të doni, i marr fëmijët nga çerdhja. Është në katin e parë të pallatit dhe mund të vijnë këtu”. Oh, po ku kishte më bukur! Menjëherë pas 2 minutave që ajo zbriti poshtë, në derë u derdhën tre vogëlushë të mrekullueshëm. Filloi zhurma, shtëpia mori një pamje tjetër dhe një rrëmujë e lehtë nisi të lexohej nëpër shtëpi. Por ajo ishte kaq e bukur për ne...
Silva i kishte lindur dy binjakët Daniele dhe Tomasho Lorenco, kur vetë ishte 48 vjeçe, ndërsa vajzën “e kishte futur Zoti në një bark tjetër, meqenëse barku i mamit nuk mbante dot tre fëmijë në një kohë aq të shkurtër”. Kjo ishte historia që Silva na tregoi ne dhe i tregonte dhe të shtrenjtës së saj, Anna Junia. Vogëlushja kishte ardhur në familje një vit më vonë. Silva nuk kishte dashur ta gënjente, por kishte vendosur që me vajzën të mbante një marrëdhënie të vërtetë, nga ato më të ngushtat që një nënë mban me bijën e saj. Silvana e kishte birësuar Anën pak kohë pasi kishte lindur dy djemtë.
Ajo beson se Anna është një mrekulli më vete. E bëri atë nënë të një vajze pas 3 djemve dhe i plotësoi një dëshirë të madhe, një nga ato dëshira që të ngulen thellë në zemër, deri në dhembje. Fati deshi që fëmija i adoptuar i Silvanës të ishte vajzë Silvana nuk nguron të tregojë për Anën dhe historinë e saj me të, ndonëse sytë i mbushen me lot. Por ajo vazhdon të rrëfejë me pasion. “Silvana, po ti i ke tre fëmijë, si të lindi ideja e adoptimit?”. Ah, kjo është një pyetje që mund t’i bëhet çdo njeriu të zakonshëm, por jo Silvanës. Ajo e ka bërë prej kohësh zgjedhjen e saj, nuk ka pyetur për asgjë kur ka marrë vendimin. Instinkti i nënës dhe i dhembjes për të pambrojturit ka dalë në sipërfaqe dhe e ka mbërthyer gjatë.
Ardhja e Annës...
Historia e Annës ka filluar më se 20 vite më parë kur ajo punonte në Zyrën e parë të Shërbimit Social Kombëtar në Shqipëri. Ajo u hap në vitin 1991 me financim të Qeverisë Italiane dhe selinë e kishte në Romë. Ndërkohë që komunikonte me 112 vende të botës. “Atëherë ne ndiqnim fëmijët shqiptarë që u zhdukën pikërisht gjatë viteve të para të tranzicionit. Por jo vetëm ata. Komiteti ynë kujdesej edhe për rastet e fëmijëve të sëmurë. Ne kërkonim fonde për t’I operuar. Imagjinoni, ishte një kohë kur fëmijët birësoheshin pa ligj, pasi ligji...
...nuk ekzistonte. Fëmijët merreshin nga familjet në mënyra të paqarta për ne, dhe unë kam kërkuar gjurmët e tyre deri në vitin 1994”, shpjegon Silva. Më vonë, ajo largohet nga kjo zyrë dhe nis të krijojë biznesin e saj duke hapur firmën “ALB Vixhis”, e cila kishte marrë me koncesion shfrytëzimin e lumenjve për inerte. Megjithëse tashmë kishte hapur biznesin e saj, përsëri nuk arriti të ndahej nga puna me fëmijët. Mjaft prindër i kishin gjetur adresën dhe kërkonin ndihmë prej saj. Për ta, pak e rëndësishme ishte se Silva tashmë kishte marrë drejtim tjetër në jetë. Por nga ana tjetër, edhe Silva nuk i refuzoi kurrë. Ata e shihnin si të vetmen shpresë për të gjetur të vegjlit e tyre të zhdukur. “Sytë e fëmijëve të braktisur dhe pa prindër nuk kam për t’I harruar gjithë jetën time”, thotë ajo. Martesa e dytë e ka bërë të lumtur. Ajo arriti të plotësonte familjen e saj të re edhe me dy djem binjakë. E ç’mund të donte më shumë? Por dëshira që një prej fëmijëve të braktisur ta kishte ajo dhe të kujdesej gjithë jetën, e mundonte. Një ditë vendos t’i tregojë bashkëshortit italian brengën e saj. “Dua të dish se dëshira ime më e madhe nuk është plotësuar ende. Dua të adoptojmë një fëmijë, ta shtojmë familjen me një nga ato foshnja të braktisura, të kujdesemi për të ashtu si për fëmijët tanë”.
Për Rikardon kjo dëshirë ishte si ta zije në befasi, ai sapo ishte bërë me dy djem të vegjël. Jeta midis Italisë dhe Shqipërisë që bënte, e vështirësoi përgjigjen e tij për dy muaj. Pas dy muajsh, Silvanës i vjen telefonata nga bashkëshorti i
saj. Zëri i Rikardos ishte i qartë dhe i qetë. Ai e kishte marrë vendimin. “Silva, jam menduar gjatë për dëshirën tënde. Nuk të kam kthyer përgjigje, pasi e kam ditur se nëse do të thosha po, ajo do të ishte një po deri sa unë të mbyllja sytë. Dhe duhet ta doja këtë fëmijë ashtu si djemtë e mi. Përgjigja ime tani është PO! Do ta birësojmë një fëmijë dhe do ta shtojmë familjen tonë”. Silvana, atëherë një nënë e dy binjakëve njëvjeçarë tregon: “Ajo ishte dita kur e desha bashkëshortin tim më shumë se në çdo çast”. Nuk jua përshkruaj dot lumturinë që më pushtoi”, thotë Silvana dhe lotët i rrjedhin. Ndjenja e mëmësisë e kishte zbutur gruan biznesmene dhe ajo tashmë para nesh dukej e brishtë.
Procedurat e birësimit ecën mirë, megjithëse Silvana ashtu si e kërkonin rregullat, nuk shprehu preferencë për fëmijën, ajo ishte vajzë. Ishte Anna Junia. Edhe djali i saj i madh, e kishte pritur me entuziazëm lajmin, duke i thënë: ”Mami, jam i lumtur që u bëre nënë e një vajze dhe mua më bëre me motër. Sot, Anna ua ka rrëmbyer dashurinë të gjithëve. Tre vogëlushët rrinë gjithmonë bashkë, shkojnë në të njëjtin grup çerdheje. Anna do të rritet dhe vëllezërit e saj po ashtu, ndërsa Silvana, ajo me siguri do të na tregojë dalëngadalë se, të duash do të thotë të veprosh!
Në orët e para të mëngjesit të sotëm shteti fqinj, Greqia është goditur nga dy tërmete të njepasnj&eum...
Mbremjen e sotme, Valeri ka treguar me një pjesë të fermerëve fillimin e tij në fushën e modelingut. Valeri shprehet se g...
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...