Living Portal: Çfarë dëmesh mendohet se shkakton vaji i palmës? Çfarë dëmesh mendohet se shkakton vaji i palmës? ================================================================================ Eralda Kenaj on 12/11/2012 Vaji i palmës gjendet kudo, në Nutella, në patatina, biskota, majonezë... Tepër i pasur me acide të ngopura yndyrore Vaji i palmës mendohet se ndikon në zhvillimin e obezitetit dhe favorizon sëmundjet kardio-vaskulare, për shkak të përmbajtjes së tij të lartë me acide yndyrore. Vaji i palmës përmban në fakt 45% yndyra të ngopura, ndërkohë që vaji i ullirit përmban 15%. Në rast se konsumojmë kaq shumë acide të ngopura yndyrore, kjo ndodh pjesërisht ngaqë shpeshherë ato janë të fshehura prapa emërtimit “vajra vegjetale”: në shumicën e rasteve bëhet fjalë për vajin e palmës, të cilin konsumatorët e blejnë pa e ditur. Për sa i përket vajit të palmës “bio”, i cili gjendet në produktet biologjike, as ai nuk është më i mirë për shëndetin. Ai është prodhuar thjesht në kushte të konsideruara më pak të dëmshme për ambientin. Vrasës i orangutangëve Impakti mjedisor i shfrytëzimit të vajit të palmës, sidomos në Azi, shpeshherë është shkatërrimtar. Në një numër vendesh, janë shkatërruar dhe vazhdojnë të shkatërrohen pyjet tropikale, për të mbjellë në vend të tyre hektarë të tërë me palma. Bilanci i dioksidit të karbonit është shumë i lartë, për shkak të pemëve të djegura dhe biodiversiteti lokal është duke humbur habitatin natyral: orangutangët e Indonezisë janë viktimat e para të këtij shkatërrimi.