Ëmbëlsira

Receta më e thjeshtë e cupcakeve të përgatitur në shtëpi

+

cupcakertet

Këto cupcake janë jo vetëm të mira për t’u ngrënë por edhe shumë të këndshme për t’u parë në tavolinë. Mund të përgatiten pa problem edhe 1-2 ditë përpara. Në këtë rast, do t’i ruajmë në kuti me kapak në frigorifer.
Përbërësit për 12 copë
-1 mollë
-2 vezë
-100g miell i përzierë me sodë ose miell normal me 1 lugë kafeje me sodë
-50g miell tërshërë (tërshërë normale e bluar në mixer)
-100g sheqer
-1 lugë kafeje kanelle
-70ml vaj lule dielli
-100ml kos i bardhë i trashë
-një majë luge kripë
-pak lëng limoni
Për kremin:
-100g djathë Philadelphia
-60g gjalpë në temperature ambienti
-1 lugë kafeje kanellë
-250g sheqer pluhur
-Vezë çokollatë shumëngjyrëshe për zbukurim
Përgatitja
Ndezim furrën me 170 gradë. E presim mollën në copa të vogla, hedhim sipër pak lëng limoni dhe i lëmë mënjanë. Me rrahësen e vezëve, rrahim në një tas vezët me sheqerin, shtojmë vajin dhe kosin duke i rrahur vazhdimisht. Në një tas tjetër hedhim miellin nëpërmjet sitës, shtojmë
kripën, kanellën dhe sodën në rastin kur do të përdorim miell pa sodë dhe në fund shtojmë miellin e tërshërës. I përziejmë me lugë druri. Më pas, përzierjen e shtojmë në tasin ku kemi rrahur vezët me sheqerin duke i përzierë me rrahësen e vezëve. Shtojmë copat e mollës të përgatitura më parë dhe i përziejmë me lugë druri. E hedhim brumin në format e letrës për cupcake duke mbushur vetëm 2/3 e tyre. I pjekim në furrë për 20 minuta, pa harruar të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh e cila duhet të dalë e thatë. I lëmë të ftohen. Ndërkohë, përgatisim kremin që do t’i hedhim: rrahim me rrahësen e vezëve djathin Philadelphia me gjalpin derisa të bëhen si krem, pastaj shtojmë kanellën dhe sheqerin pluhur (të kaluar në sitë) dhe i përziejmë mirë. Hedhim kremin final në një qese pastiçerie dhe zbukurojmë me to cupcake-t. I vendosim sipër cupcake-ve vezët e vogla.