Ëmbëlsira

Tartë limoni me arrë kokosi, pa pjekje

+

kkekllim

Ëmbëlsirat pa pjekje janë gjithmonë më të mirat sepse nuk na marrin shumë kohë dhe janë gjithnjë më të freskëta, sidomos nëse kanë brenda edhe lëkurë limoni! Provojeni këtë ëmbëlsirë të thjeshtë vetëm kujdes, mos hani shumë copa!

Nga Linda Fishta, Foto Armand Habazaj
— — —
PËRBËRËSIT PËR TAVË DREJTKËNDËSHE 25X25 CM:
250 g biskota të thata “Oro Saiëa” ose “Petit Beurre”
40 g arrë kokosi e grirë (miell kokosi) lëkura e grirë në rende e 1 limoni organik
1 kuti qumësht i kondensuar (panda)
50 g gjalpë shumë i butë, si krem
1 lugë lëng limoni

PËR GLASENË SIPËR:
280 g sheqer pluhur
2-3 lugë lëng limoni
lëkurën e grirë në rende të 1 limoni organik
50-60 g gjalpë i butë, si krem, në temperaturë ambienti
2-3 lugë arre kokosi e grirë, për t’ia hedhur sipër

PËRGATITJA E BAZËS:
1.Në një mikser, grijmë biskotat e I bëjmë si pluhur ose i fusim në një qese, të cilën e lidhim mirë dhe i shtypim
me rrahësen e mishit ose me fundin e një gote. I hedhim në një tas dhe I përziejmë me arrën e kokosit.
2. Në një tas tjetër, përziejmë gjalpin me qumështin e kondensuar, lëngun dhe lëkurën e limonit. Shtojmë pluhurin e biskotave dhe i përziejmë me spatul ose me lugë druri. E hedhim brumin e përftuar në tavën ku kemi shtruar letër furre, lagim duart dhe e shtypim mirë me dorë për të krijuar një bazë sa më të drejtë, e lëmë te ngrirja në frigorifer për 30 minuta ose në frigorifer për 1 orë.

PËRGATITJA E GLASESË:
Përziejmë me pirun sheqerin pluhur me lëngun e limonit, lëkurën e limonit dhe gjalpin. E shpërndajmë mbi ëmbëlsirën kur ajo të ketë arritur kohën e ftohjes, e spërkasim sipër me arrë kokosi dhe ëmbëlsira është gati për t’u shërbyer në kuadrate. Është më e mirë të nesërmen. E ruajmë në frigorifer.

Shënim: nëse zëvendësojmë biskotat me ato pa gluten, mund të konsumohet dhe nga personat që janë intolerantë ndaj glutenit.