Kuzhina

Kek super i shpejtë me portokaj dhe gjizë pa kripë

+

kekusmeporto

NgaLINDA FISHTA/Fotografia ARMAND HABAZAJ

Jemi zyrtarisht në sezonin e agrumeve, të cilat për fatin tonë të mirë nuk kemi nevojë t’i eksportojmë pasi rriten fare mirë në çdo cep të Shqipërisë. Nëse keni në shtëpi më shumë portokaj, mos i shtrydhni, por bëjini kek së bashkë me gjizë pa kripë. Një super recetë e shëndetshme dhe e shijshme që duhet ta provoni sa më parë.

PËRBËRËSIT PËR TAVË DREJTKËNDËSHE 30 X 11 CM: 250g miell pa gluten ● 250g gjizë pa kripë ● 180g sheqer ● 3 vezë ● 1 portokall bio (lëngu dhe lëkura e grirë me rende) ● një majë thike kripë ● 1 bustinë sodë për ëmbëlsira (16g).
Për glasenë sipër (nuk është e domosdoshme): ● 1 e bardhë vezë ● 200g sheqer pluhur ● 1 lugë lëng portokalli.
PËRGATITJA: Ndezim furrën me 180°C.  Shtrydhim lëngun e portokallit, grijmë lëkurën me rende dhe i lëmë mënjanë. Në një tas rrahim vezët me sheqerin me rrahësin e vezëve me dorë, derisa të bëhen si shkumë. Shtojmë rikotën, lëngun e portokallit dhe i përziejmë me spatul ose lugë druri. Shtojmë miellin, lëkurën e portokallit, sodën me sitë dhe pak kripë. I përziejmë me spatul deri sa të përftojmë një masë homogjene. Hedhim brumin në tavën e lyer me gjalpë e miell dhe e pjekim për 35/40 minuta. Bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh dhe kur ajo të dalë e pastër, keku është gati.
PËRGATITJA E GLASESË: Rrahim të bardhën e vezës me rrahësin me dorë të vezëve derisa të bëhet si shkumë. Shtojmë sheqerin me lugë duke e përzier akoma, shtojmë lëngun e portokallit dhe i përziejmë derisa të bëhen si krem i trashë. E shpërndajmë te keku kur ky i fundit të jetë ftohur plotësisht.