Kuzhina mesdhetare

Kemi gatuar bukën më të shijshme e të bukur të pranverës

+

bukkk nngjgjg
Ngjyrat janë jeta, janë natyra dhe toka ku jetojmë. Shumë studime tregojnë se perceptimi ynë i shijes ndikohet nga ngjyrat dhe se ato na çojnë tek aromat që shoqërojnë shijen tonë. Eldisa ZHebo i ka aq qejf ngjyrat sa që nuk i përdor vetëm në dekorin e shtëpisë por edhe në recetat që gatuan. Sot na sjell bukën ylber, një bukë, le ta pranojmë, krejt e pazakonshme në tryezat tona por që, tani mund ta kemi!

Fotografia nga Armand Habazaj

Përbërësit:
Baza: 250g miell, 5g maja e thatë (ose gjysmë pakete e vogël), 300g ujë ose lëng, (lëngu përftohet nga shtrydhja dhe kullimi direkt I perimeve të freskëta, si spinaq, mente, borzilok, domate, speca, lakër të kuqe, karota, etj.). Ose mund ta përziejmë ujin për t’i dhënë ngjyra me shafran, kurkuma, curry, kafe, kakao, lëng të zezë sepje, lëng lëkure patëllxhani. Përdorni fantazinë tuaj, ½ lugë kafe sheqer, 2 lugë kafe kripë, 1lugë gjelle vaj vegjetal ose ulliri.

Përgatitja:
Përzieni ujin ose lëngun e vakët (jo të nxehtë) me majanë dhe sheqerin, pastaj lëreni të pushojë për 10-15 minuta. Shtoni miellin, kripën dhe vajin dhe bëni një brumë të fortë (si brume byreku). Bëni çdo brume që doni me ngjyra të ndryshme, veç e veç - mos bëni një brumë të bardhë dhe ta ngjyrosni me vonë. Lëreni çdo brumë të vijë rreth 1 orë ose derisa të dyfishohet në volum. Mbulojeni me një pecetë ose mbështjellëse plastike në një vend të ngrohtë. Bëni të paktën 5 brumëra me shije dhe ngjyra të ndryshme. Hapeni çdo brumë në formë të njëjtë drejtkëndore – p.sh. 10x20cm - dhe vërini shtresat njërën sipër tjetrës sipas fantazisë suaj në ngjyra. Pritini në rripa prej 3cm për së gjati dhe rrotulloni çdo rrip në anë, formë spirale. Keni fituar kështu 3-4 bukë të cilat i vëmë në tepsi dhe i lëmë të vijnë edhe një herë. Furrën e kemi nxehur mirë në 220 gradë para se t’I vëmë bukët të piqen në tepsi, për rreth 30-40 minuta.