Makarona & oriz

Rizoto me karkaleca dhe luleshtrydhe

+

rizz lul karka

Nga Alessandro Gianpietro, Fotografia Armand Habazaj

Nëse mendoni se shija e kripur e rizotos nuk shkon me atë të luleshtrydheve, duhet më parë ta provoni. Restorantet e servirin prej kohësh dhe nuk është fare e vështirë as për t’u përgatitur në shtëpi.

PËRBËRËSIT PËR 4 PERSONA:

500g oriz karnaroli, 200g luleshtrydhe, 300g karkaleca, 1 gotë verë e bardhë, ¼ gotë konjak, 250ml pana, 200g gjalpë, 150g Parmigiano Reggiano, ¼ qepë, kripë, piper, 1 e ½ lëng perimesh ose ujë.

PËRGATITJA:

Marrim një tigan të thellë dhe hedhim gjalpin dhe qepën e grirë hollë. Pasi zverdhet pak, shtojmë karkalecat dhe luleshtrydhet. I kalojmë për disa minuta në zjarr të fortë dhe i shuajmë me konjak. Në këtë moment shtojmë orizin dhe e skuqim për pak minuta, e shuajmë me verë të bardhë dhe kur të ketë avulluar shtojmë lëngun ose ujin, kripë e piper. E lëmë të ziejë duke e përzierë herë pas here derisa të thithë ujin, por jo plotësisht. Shtojmë panën dhe Parmigianon dhe e përziejmë për 2-3 minuta derisa të krijohet një masë homogjene. E fikim zjarrin dhe e lëmë të pushojë për pak çaste. Shërbehet I nxehtë dhe i dekoruar sipas dëshirës.