Kuzhina tradicionale

Fileto derri me kajsi ose kumbulla, provojeni të dielën!

+

filetetodrer
Nga Linda Fishta, Fotografia Armand Habazaj

Një tjetër recetë mishi nga Living, është gati për tryezën tuaj! Nëse dëshironi mund ta provoni edhe me kumbulla të thata! Duhet të dini që recetat e mishit kërkojnë pak më tepër mundim por, në fund, rezultati ia vlen!

Përbërësit për 4 persona:
● 1 filetë derri afërsisht 800g
● 2 qepë
● 12/15 kajsi të thata
● 2 lugë mjaltë
● lëng zarzavatesh i valuar
● 4 lugë salcë soje
● piper
● vaj ulliri, gjalpë

Përgatitja
1.Lidhim filetën e mishit me spango për së gjeri dhe së gjati për të ruajtur formën e rrumbullakët gjatë pjekjes.
2.Në një tenxhere të madhe që e nxë të gjithë mishin, skuqim mishin me pak vaj dhe gjalpë duke e rrotulluar nga të gjitha anët që të krijojë kore në sipërfaqe. Shtojmë qepët të qëruara dhe të prera jo shumë hollë. I përziejmë gjatë skuqjes që të mos digjen.
3.Shtojmë tani mjaltin, salcën e sojës, pak lëng të valuar dhe kajsitë e prera në copa, spërkasim me piper, I vëmë kapakun dhe e lëmë të ziejë në flakë të ulët për 40/50 minuta afërsisht (koha varet shumë dhe nga mishi që do të gatuani). Sipas nevojës e spërkasim herë pas here me lëng të valuar. Kur të shohim që mishi është zbutur, fikim zjarrin dhe e lëmë të ftohet pak dhe më pas
heqim spangon me të cilën e kishim lidhur. E ndajmë në feta dhe e shërbejmë menjëherë.