Menu vere

Supë kremoze me karota

+

suppepkrm

Nga Linda Fishta, Fotografia Armand Habazaj

Kjo që po propozojmë sot nuk është ndër shijet klasike të supërave me të cilat jemi mësuar por është padyshim e freskët dhe e shijshme. Provojeni!

Koha e përgatitjes: 10 minuta
Koha e zierjes: 30 minuta

Përbërësit për 4 persona:
600 g karota
1 qepë e kuqe
1 thelb hudhër e vogël
1 lugë e vogël qimnoni jo e mbushur plot
1/2 lugë e vogël shafran, jo e mbushur plot
1 copë e vogël xhenxhefil i freskët, i grirë me rende (mjafton 1 cm)
1 litër lëng perimesh i valuar
1 kuti qumësht kokosi
kripë e piper
vaj ulliri, majdanoz

Përgatitja:
1. Në një tenxhere me pak vaj ulliri, skuqim qepën të grirë imët bashkë me hudhrën dhe xhenxhefilin. Shtojmë karotat të prera në kubikë të vegjël, qimnonin dhe shafranin. I përziejmë me lugë druri dhe i lëmë në zjarr që të marrin aromat e njëra-tjetrës për 1 minutë.
2. Shtojmë lëngun e perimeve të valuar dhe vazhdojmë zierjen e tyre me flakë të mesme, gati të ulët (për 30 minuta ose derisa të shohim që karotat janë zbutur), me kapakun përgjysmë që të mos derdhet.
3. E heqim nga zjarri, grijmë me blender të gjithë masën dhe shtojmë qumështin e kokosit dhe lëng të valuar nëse ka nevojë. E shërbejmë të vakët, me majdanoz të grirë sipër.