Menu vere

Supë kremoze me perime

+

supkrem

Nga Linda Fishta, Fotografia Armand Habazaj

Kujtohuni gjithmonë që nuk ka zgjedhje më të mirë për darkën se sa një supë kremoze që mund të hahet edhe e ftohtë! Kemi zgjedhur shpargujt por mund të jetë çdo perim që pëlqeni!

Koha e përgatitjes për pjatën e përfunduar: 30 minuta

Përbërësit për 4 persona:
400 g shparguj jeshilë të freskët
2 patate
1 qepë e bardhë
600 ml lëng vegjetal i valuar (i përgatitur me karota, selino dhe
qepë ose me dado supe, nëse nuk keni kohë)
gjethe mente
1 limon organik
vaj ulliri

Për kubikët e bukës:
2 feta buke të ndenjura e të prera në kubikë të vegjël
1 thelb hudhër
vaj ulliri
kripë, rigon

Përgatitja:
1. Në një tenxhere, skuqim qepën e grirë imët me pak vaj ulliri. Shtojmë shparguj të qëruar dhe të prerë në copa të vogla, shtojmë patatet të qëruara dhe të prera në kubikë dhe së fundi, 2-3 gjethe mente dhe pjesën e verdhë të lëkurës së limonit të grirë me rende. Shtojmë lëngun e valuar dhe e lëmë në zjarr për 15 minuta. Perimet duhet të zbuten, por jo të qullen. Grijmë të gjithë masën me frulator që zhytet ose në blender. Përgatisim kubikët e bukës: bukën e presim në kubikë, të cilët I hedhim në një tas dhe i spërkasim me pak vaj ulliri të përzier mparë me pak kripë, rigon dhe hudhrën e shtypur. I skuqim më pas në tigan për pak minuta. E shërbejmë supën me kubikët e bukës dhe pak vaj ulliri krudo.