Kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 korriku, ja sa do të jetë shtesa
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Pjesëtare e denjë e familjes së frutave të pyllit, mjedra njihet dhe gjen pak përdorim në kuzhinën shqiptare. Ajo është ideale për gatim, sidomos për ëmbëlsirat, të cilave u jep jo vetëm shije e vlera ushqyese, por dhe bukuri. Vështirë ta gjesh frutën që i ngjason një kapuçi të kuq dimëror në tregun e përditshëm, por së shpejti gjërat do të ndryshojnë. Irakli dhe Enri Shkoza, atë e bir, kanë ndërtuar një serrë për kultivimin e saj në Divjakë...
Nga Gentian Minga, Fotografia Armand Habazaj
Të pamësuar me të, shumë prej nesh e ngatërrojnë mjedrën, duke e quajtur “manaferra e kuqe”, por kjo frutë, ndonëse i përket familjes së frutave të pyllit, është një lloj krejt tjetër dhe me specifika të ndryshme. Sigurisht, më pak i përhapur. Pak njerëz e njohin në Shqipëri e akoma më pak e përdorin, por vlerat ushqyese dhe shija e kësaj frute nuk duhet t’i mungojnë dietës sonë. Për kë është i apasionuar pas gatimit, veçanërisht ëmbëlsirave, mjedra jo vetëm që shërben si një përbërës ushqyes dhe që i jep shije recetës, por gjithashtu, i jep ëmbëlsirës pamje dhe lezet tjetër.
Mjedra është një burim i pasur mineralesh dhe vitaminash. Sipas botanikës ajo është një kaçube e vogël që i përket familjes rosaceae dhe rritet në klimat e buta. Është kultivuar kryesisht në Evropë, por tani dhe më gjerë, në vende me klimë të butë në gjithë botën. Prodhuesit
kryesorë mbeten Polonia, Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Kili. Por edhe Kosova është e njohur për mjedrën dhe së shpejti Shqipëria do të jetë ndoshta eksportuesja e radhës. Kjo frutë në përgjithësi gjendet gjatë gjithë vitit në supermarkete, si p.sh. në CONAD, por të freskët dhe me shumicë e gjeni nga qershori deri në tetor. Mjedra është gati për t’u vjelë kur këputet lehtësisht dhe ka marrë një ngjyrë të thellë (të kuqe, të zezë, të purpurt, apo të verdhë të artë, në varësi të llojeve dhe kultivimit).
Fruta është agregat I bërthoklave të vogla, të cilat janë vendosur në mënyrë rrethore rreth një zgavre qendrore. Çdo bërthokël përmban tul me lëng dhe ka një farë të vetme, të vogël të bardhë në të verdhë. Mjedrat kanë një shije që varion nga kultivimi dhe shkon nga e ëmbël në të thartë, tipar i ngjashëm me luleshtrydhet. Ka formë konike, peshon rreth 2 deri në 4 gramë dhe përmban 80-100 bërthokla, vendosur në shtresa rrethore. Hibridet vijnë në një gamë ngjyrash, duke përfshirë të zezën, vjollcën, portokallinë, të verdhën dhe të bardhën.
Mjedra kalbet shpejt, prandaj duhet blerë pak ditë para përdorimit. Përpara se të ruhet në frigorifer, hiqni pjesët e dëmtuara ose të nxira në mënyrë që të mos prishen të tjerat. Vendosini në një tas të gjerë ose në një pjatë të mbuluar me letër dhe pastaj mbulojini me kapak plastik. Mjedra duhet mbajtur e freskët në frigorifer, për një ose dy ditë. Përdoreni atë sa më shpejt që të jetë e mundur, ose ruajeni në pjesën e ngrirjes së frigoriferit.
Në Shqipëri amvisat përdorin kryesisht mjedër të ngrirë, por ndoshta së shpejti do të kenë mundësi ta blejnë edhe si frutë të freskët. Për herë të parë mjedra kultivohet në vendin tonë, në një serrë e me një teknikë të posaçme. Enri Shkoza, një 28-vjeçar nga Divjaka, është krahu I djathtë i të atit agronom, Irakliut. Të dy kanë ndërtuar një serrë ku prej muajsh kanë testuar kultivimin e kësaj frute, që tashmë ka hyrë në një linjë të rregullt prodhimi. Kryesisht do të jetë për eksport, por një sasi e vogël e saj do të kalojë për tregun vendas. Enri ka studiuar për Inxhinieri Elektronike e ndonëse nuk ka lidhje me bujqësinë, punon prej vitesh me të atin. Ata e nisën fillimisht me kultivimin e kërpudhave dhe mjedra është sfida e radhës. Enri është i vetmi nga fëmijët që ka ndjekur rrugën e të atit, sepse i pëlqen biznesi. Në këtë sipërmarrje, nuk është më tepër i dhënë pas produktit dhe serrës, sesa pas menaxhimit të tyre. Madje aktualisht po ndjek në kryeqytet studimet për Ligj Biznesi (Business Law), çka do t’i shërbejë në të ardhmen si sipërmarrës.
Serra e mjedrave është ngritur ndanë serrave disavjeçare të kërpudhave, pasi Enri dhe i ati ka vite që merren me kultivimin e tyre. Madje këto të fundit u bënë shkas që ata të fusnin mjedrën në linjë prodhimi. “Ishim në kërkim të një produkti jo të zakonshëm. Nuk na pëlqen të punojmë me prodhime bujqësore që i bën kushdo”, thotë Enri. “Për ne është pasion dhe sfidë e panjohura, ajo që do më shumë përpjekje. Disa holandezë erdhën të bashkëpunonin me ne për kërpudhat dhe duke ndjerë kushtet e klimës, na sugjeruan të kultivonim mjedrën. Prodhimin do të na e marrin ata, pasi kanë nevojë. Një pjesë të madhe të vitit, në Holandë mjedra nuk rritet, kurse në Shqipëri janë kushtet e duhura klimaterike për të prodhuar edhe jashtë sezonit”. Enri me të atin ishin të ftuar në një serrë në Holandë, ku panë si kultivohej bima e egër. Fara e tyre është bio, natyrale dhe ajo u mor nga një fermer në Holandë; edhe ai e kishte trashëguar këtë punë nga i ati, një agronom i vjetër, që iu përkushtua specifikisht rritjes së mjedrës për më se 40 vjet. Enri testoi tre lloje në një copëz serre eksperimentale, por nga të gjitha, qeli eci më mirë dhe tashmë ai ka bërë një serrë me këtë varietet. Ndihet krenar që kultivon një produkt që i mungonte tregut. Projekti i tij është të bashkëpunojë me fermerë të tjerë, për të zgjedhur rrjetin e prodhimit. Një nga avantazhet e kultivimit nga fshatarët, të kësaj bime, është se nuk kërkon një tokë cilësore, por rritet edhe në toka të braktisura, të cilat nuk janë të pasura në elementë, e që për pasojë nuk përdoren më për bujqësi. Me këtë sipërmarrje Enri ka siguruar punë për fshatarët e zonës. Ata jo vetëm mund të vënë në punë tokat e tyre, por punojnë gjithashtu në serrën e tij. Në varësi të sezonit dhe procesit të punës, angazhohen çdo ditë nga 4 deri në 15 punëtorë.
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Vin Diesel po i kërkon një gjyqtari të Los Anxhelosit që të hedhë poshtë padinë e ngacmimit se*sual të ngritur ku...
Çmimi i kakaos është rritur me shpejtësi gjatë muajve të fundit. Një ton kakao të martën arriti vlerën e m...