Receta te shpejta

Kek i kripur me domatëza dhe djathë

+

kekkeudodm
Shumica prej nesh, të lodhur siç jemi nga dita, nuk kemi shumë dëshirë të gatuajmë në darkë! Këtë kek të kripur mund ta përgatisim në çdo kohë të ditës, për fare pak minuta, dhe ta mbajmë për të ‘kaluar’ darkën; madje, dy vakte me radhë!

Nga Linda Fishta, Fotografia Armand Habazaj

PËRBËRËSIT për tavë drejtkëndëshe 25 x10 cm:
200g miell pa gluten ● 10/15 kokrra domate qershiza ● 3 vezë ● 1 bustinë sodë për torta të kripura ose për torta të ëmbla pa vanilje (16g) ● 100ml qumësht ● 100ml vaj luledielli ● 100g ullinj pa bërthamë ● 125g Mozzarella
● 3 lugë djathë kaçkavall i grirë ● 1 lugë kafeje kripë (varet se sa i kripur është djathi) ● 1/3 lugë kafeje piper i zi i bluar ● 5/6 gjethe borziloku të freskët

PËRGATITJA:
Ndezim furrën me 170°c.
1.Mozzarella-n e ndarë në kubikë dhe domatet e prera në mes, i lëmë të kullojnë për 10 minuta në një sitë që të humbin lagështirën e tepërt.
2.Pas kësaj kohe, në një tas përziejmë me pirun domatet, ullinjtë në rrota të vogla, Mozzarella-n, gjethet e borzilokut të copëtuara me dorë dhe djathin kaçkavall. I lëmë mënjanë aromat që të përzihen.
3.Në një tas tjetër, me rrahësin elektrik të vezëve, përziejmë miellin, sodën, vajin, qumështin, kripën e piperin. Shtojmë vezët një nga një duke vazhduar akoma përzierjen. Hedhim brumin te tasi ku kemi përzier përbërësit e tjerë (domatet, etj.) i përziejmë mirë me spatul dhe më pas e hedhim në tavën e lyer më parë me gjalpë e miell.
4.E pjekim në furrë për 45 minuta afërsisht, ose derisa kur të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh, ajo të dalë e thatë.