Recetat e miqve

Crescione me spinaq (Recetë tipike e Emilia Romagna)

+

kuleccc eee

Nga Linda Fishta, Fotografia Armand Habazaj

Për shkak të viteve të gjata që ka jetuar në Itali, Linda është famlijarizuar me recetat e tyre tipike, që na pëlqejnë të gjithëve. Mbase nuk arrijmë dot t’i realizojmë njësoj, por të paktën provojmë këto ‘pite’ (nëse do t’i quanim me gjuhën tonë) që të ngelen në mendje.

Koha e përgatitjes:

● 40 minuta duke lënë mënjanë kohën që i duhet brumit që të fryhet.

Përbërësit për 6 persona:
Për brumin: 500 g miell ● 70 ml vaj ulliri – receta origjinale kërkon 100 g dhjamë derri ● 8 g sodë për torta të kripura ose për torta të ëmbla pa vanilje ● kripë ● 1+ 1/2 gotë qumësht të vakët fare ose 1 gotë qumësht + ½ gotë ujë

Për mbushjen:
500 g spinaq ose barishte të egra● 1 thelb hudhër● një lugë gjalpë● djathëra sipas dëshirës: djathë të bardhë, Mozzarella ose djathë tjetër që shkrin.● ose patate të ziera me salsiçe, salcë domatesh me Mozzarella dhe proshutë koto etj.

Përgatitja:
1.Në një tas ose në robot hedhim miellin, sodën e bukës, vajin, kripë, si dhe qumështin, të cilin e shtojmë pjesë-pjesë në varësi
të nevojës që mund të kemi për brumin, i cili duhet të jetë i butë. E punojmë me dorë derisa të përftojmë një brumë si ai i byrekut.
E mbështjellim me qese kuzhine dhe e lëmë të pushojë 30 minuta larg rrymave të ajrit.
2. Ndërkohë, spinaqin e ziejmë në tenxhere me ujë e pak kripë, e shtrydhim nga uji i tepërt dhe më pas e skuqim në një tigan
me gjalpin dhe thelbin e hudhrës, të cilin e heqim sapo të marrë ngjyrë.
3.Pas 30 minutave, brumin e ndajmë në 6 topa, të cilët i hapim me petës në formë të rrumbullakët, me diametër 20cm afërsisht. I mbushim me spinaq e djathë, i palosim në mes dhe i mbyllim mirë me pirun që të mos hapen (i lagim me pak ujë anësoret e petës që të ngjisë më mirë dhe i shtypim me pirun).
4.Vëmë në zjarr një tigan gize që nuk ngjit ose atë që keni ju dhe kur të jetë ngrohur mirë, pjekim crescioni-it nga të dyja anët
derisa të kenë marrë pak ngjyrë. Mund të konsumohen si të ngrohta, ashtu edhe në temperaturë ambienti.

Shënim: nëse dëshironi, mund t’i skuqni në tigan me vaj kikiriku. Për shijen time janë akoma më të mira kështu, por kanë më shumë kalori.