Recetat e miqve

Patëllxhanë alla parmixhana

+

paparmicxhxh

Nga Linda Fishta, Fotografia Armand Habazaj

Origjina e kësaj pjate nuk është konfirmuar ende, pasi pretendentët janë të shumtë, por deri më sot nuk kanë arritur të japin prova të pakundërshtueshme. Është një pjatë tipike e kuzhinës italiane, por ndryshe nga shumë receta tipike, për të nuk ka një recetë të certifikuar dhe të depozituar, siç e ka pica Margherita ose ndonjë recetë tjetër. Por një gjë është e sigurt, kjo pjatë është shumë e shijshme në të gjitha variantet e saj, si e përgatitur nga shefat, ashtu edhe nga gjyshet e mamatë që janë gjithmonë një garanci në kuzhinë.

Koha e përgatitjes - 60 minuta, pa llogaritur kohën që patëllxhanët duhet të rrinë me kripë për të humbur hidhësinë e tyre.

Përbërësit për 4-6 persona:
2 patëllxhanë të mëdhenj e të gjatë • 700 g salcë domatesh (jo me copa) • 1/2 lugë e vogël sheqer • 250 g djathë Mozzarella di Bufala ose Mozzarella normale • 100 g djathë Parmigiano i grirë • 3-4 vezë • 1 tufë borzilok • vaj ulliri •
kripe, piper

Për skuqje
Vaj kikiriku ose atë që keni në shtëpi

Përgatitja:
1. Në fillim, merremi me patëllxhanët: i presim për së gjati në feta me trashësi 4 mm. Nëse mendoni që lëkura ju jep bezdi, mund t’i qëroni përpara se t’i prisni. I vendosim në kullesën e makaronave duke u përpjekur të mos i vendosim mbi njëra-tjetrën, i spërkasim me kripë kokërrmadhe, u vëmë një pjatë me një peshë sipër dhe i lëmë të pushojnë për 1 orë derisa të nxjerrin lëngun e hidhur. Më pas i shpëlajmë me ujin e çezmës, i thajmë me letër ose pecetë të pastër dhe i lëmë mënjanë.
2. Djathin Mozzarella e presim në feta dhe e lëmë të kullojë mbi një sitë që të humbasë lëngun.
3. Vëmë në zjarr një tigan me pak vaj, shtojmë salcën, sheqerin, kripën. E lëmë tiganin në zjarr për 15-20 minuta pa kapak, duke e rregulluar për kripë e piper sipas dëshirës. Fikim zjarrin kur salca të jetë trashur dhe shtojmë gjethet e
borzilokut.
4. Vëmë në zjarr një tigan të thellë me vaj, që të ngrohet. Rrahim vezët me pirun, çdo fetë patëllxhani e lyejmë me vezë, i skuqim në tigan sa të marrin ngjyrë dhe më pas i heqim dhe I vëmë në pjatë me letër thithëse për t’u hequr yndyrën e tepërt. Në tavë, vëmë një shtresë me salcë domatesh, feta djathi Mozzarella, Parmigiano dhe feta patëllxhanësh, duke i vënë pranë njëra-tjetrës. I përsërisim shtresat derisa të kemi mbaruar patëllxhanët, duke e përfunduar sipër me salcë, djathë Mozzarella e Parmigiano.
E pjekim për 25-30 në furrë të ngrohur më pare me 200° C, derisa të shohim që ka marrë ngjyrë dhe ka krijuar kore sipër.