Kuzhina

Tavë me patate, kunguj dhe salcë beshamel pa qumësht e gjalpë

+

tagertt

Nga LINDA FISHTA/ Fotografia ARMAND HABAZAJ

Ndonëse duket një recetë impenjative, shefja e kuzhinës Living di mjaft mirë se si t’i thjeshtojë recetat e t’i sjelli ato sa më pranë familjeve shqiptare. Sonte ju propozojmë një tavë super të shëndetshme, të thjeshtë dhe të shijshme që mund ta provoni në çdo kohë. Mjaftojnë pak përbërës dhe të gjithë do t'ju falenderojnë.
PËRBËRËSIT per 4-6 persona: ● 4 patate mesatare të ziera dhe të prera në feta shumë të holla, ● 3 kunguj mesatarë, ● 2 copa djathë Mozzarella (250g të dyja), ● 100g kaçkavall i grirë, ● 150g mortadelë e prerë në feta të holla, ● pak miell për të lyer kungujt,  ● kripë dhe vaj ulliri.
Për të bërë salcën beshamel ju nevojiten: ● 400ml ujë, ● 1 lugë vaj ulliri,  ● 40g miell, kripë dhe arrë moskat e bluar.
PËRGATITJA: Në fillim përgatisim salcën beshamel të lehtë (pa gjalpë e pa qumësht). Me rrahësin e vezëve me dorë përziejmë të gjithë përbërësit e beshamelit derisa masa të bëhet homogjene. E hedhim në një tenxhere, shtojmë vajin dhe e lëmë të vlojë duke e përzier vazhdimisht. Kur masa të trashet, fikim zjarrin, e mbulojmë me plastmasë kuzhine duke mos lënë hapësirë dhe e lëmë të ftohet. Ndezim furrën në temperature 180°C. Kungujt i presim në feta shumë të holla për së gjati me qëruesen e patateve, i fusim në një qese plastmase, hedhim aty miellin, e mbyllim qesen me dorë dhe e tundim që kungujt të lyhen me miell në mënyrë të njëtrajtshme. Lyejmë tavën me pak vaj, shtrojmë një shtresë beshamel, e mbulojmë me feta kungujsh, vazhdojmë me një shtresë patatesh, feta mortadele, Mozzarella të prera hollë, djathë të grirë. Vazhdojmë kështu derisa të mbarojmë me të gjithë përbërësit. E përfundojmë me një shtresë beshamel dhe djathë të grirë. E pjekim afërisht për 30 minuta ose derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë.