Letra

Bota e burrave kundër botës së grave

+

rrovoenvnenadi
Nga Rovena Dilo
Bota është e meshkujve-këndon me zërin e tij magjik Seal dhe kjo është kaq e vërtetë! Por jo sepse ai e këndon aq butë dhe ta mbush mendjen apriori. Ah, sikur arsyeja të ishte kaq e bukur sa ç’është zëri i sedeftë i këngëtarit, por ç’e do që arsyeja është thjesht djallëzore dhe mizore, ashtu si të gjitha grabitjet e mëdha!
Një punë e palodhshme dhe një plan i stërhollë e bëri botën të burrave.
Si çdo strategji e përsosur, kjo e botës së burrave është më afatgjatë dhe më e komplikuar edhe se vetë lindja dhe krijimi i fesë. Bota e grave ka ekzistuar dikur dhe ka qenë patjetër më e arsyeshme se kjo ku jetojmë sot. Ka qenë më natyrale, më biologjike, më e lirë dhe ç’është më e rëndësishmja, duhet të ketë qenë më tolerante.
Por pushteti i gruas s’kishte si të mos binte, përderisa femra di të dojë më shumë sesa të logjikojë, ndaj edhe e humbi pushtetin e botës, sepse zgjodhi të donte!

man woman tug of war
Dashuria është e madhërishme, ndaj s’pati kurrë vend për egoizëm. Burrat, me egoizmin e tyre, morën atë që deshën!
Por kur ata e bënë të tyren botën, u treguan dalëngadalë, vit pas viti e shekull pas shekulli, katilë dhe të kujdesshëm, e izoluan femrën deri aty sa e lanë edhe pa lirinë e dashurisë, e bënë të besonte dhe ndiente se dashuria ishte një gabim dhe duke i hequr armën më të fortë të saj, e kthyen në robinjë…e ndrydhën me strategjinë e të qenët inferiore dhe e dobësuan, duke i njohur pikat e dobëta!
Gruaja, gjithmonë për hir të ruajtjes dhe krijimit të tolerancave, kohë pas kohe, filloi të hiqte nga vetja të drejta e mundësi, si e si të rehatonte mashkullin, familjen, komunitetin dhe pa e kuptuar as vetë, u gjend me pak gjë, për të mos thënë me asgjë, krahasuar me ato që pati!
Por, të dashur Tokësorë, femra është leva që lëviz gjithçka, nëse ajo do diçka mbrapsht, ajo do ta gjejë rrugën për ta marrë. E nëse do të ishim të gjithë të sigurt që sistemi që mund të krijohej, po të drejtonte gruaja, do të ishte gjithmonë si dikur, për liri, natyralitet, marrëdhënie të sinqerta, prodhimtari pa kontroll, ndarje të drejtë, etj., etj., atëherë, ju sugjeroj, o “gjysma jonë e natyrshme”, dorëzoni çelësat e kësaj bote, sepse, jo për gjë, por gruaja e ka më të lehtë të “nikoqirepsë” edhe shtëpinë tonë të madhe, TOKËN.