Letra

Çfarë ndodh nëse nuk jam e bukur, e hollë dhe me gjoks të madh?

+

bbrrene

Nga Barbara Bourland

Para disa vitesh, një nga mikeshat e mia të ngushta më tregoi për përparësinë që kishte marrë Botox-i në jetën e saj, shpenzimet për të i vendoste edhe përpara qerasë së shtëpisë dhe kjo e gjitha sepse kishte frikë se mos pushohej sepse mund të dukej e shëmtuar.
Natyrisht unë e kuptova atëherë. Ashtu si shumë gra, kam shpenzuar orë të panumërta duke u përshtatur në mënyrë të dhunshme me gratë e revistave të modës, duke mësuar rregulloret dhe rregullat e padukshme, duke imagjinuar veten me rrobat e kopertinave dhe duke e tejkaluar me make-up. Çfarë gëzimi ndjen kur kalon mes gishtave faqet me shkëlqim të revistave, për të parë tonet e syve dhe buzëkuqin e kuq e çantat e një gruaje aq të pasur, që me shumë mundësi nuk do të shkelim asnjëherë në të njëjtin vend, vetëm nëse ky vend do të ishte aeroporti. Por, mendoj, se edhe ajo po përpiqet të jetë e bukur dhe kjo përbën një ngushëllim të ëmbël. Unë nuk jam e vetme në këtë. Fiksimi me të jashtmen tonë – me pjesën e të veshurës apo me pjesën e të bërit të buzëve tek kirurgu (ose të dyja bashkë) – përbën tani një rregull universal të përshtatjes midis grave.

Sa universale është një histori e thënë më së miri nga paratë. Tregu i kujdesit personal (një frazë e mirëmenduar për kujdesin e lëkurës, kozmetikën, kujdesin ndaj flokëve, parfumeve dhe kujdesit oral) parashikohet të ketë një vlerë globale të çmendur prej më shumë se 355 miliardë £ gjatë vitit 2018. Ky numër, i cili nuk përfshin tregun relativisht të vogël prej 15.5 miliardë £ të operacioneve estetike dhe injektimeve, është një rritje afërsisht 300% nga fundi i viteve 1990 dhe pothuajse sa e gjithë GDP-ja e Australisë. Duket se gratë kudo, përfshirë dhe veten time, besojnë fort se menaxhimi i paraqitjes sonë personale dhe ruajtja e rinisë është përparësia e çdo gruaje.
Pra, pse e besojmë këtë kaq shumë? Nuk është vetëm marketing dhe reklamim; kultura gjithashtu ka një ndikim të madh në formimin e këtyre besimeve. Nga një mijëvjeçar i vjetër, erdha në mijëvjeçarin e barkut të nxirë nga dielli, të gjoksit me silikon, ku adoleshentet depilohen alla braziliane, dhe ku trupat e aktoreve pornografike janë bërë shembulli i valës së tretë feministe. Isha ende e lëkundur, kur Rolling Stone bërtisnin në çdo lajm, muaj pas muaji, se gazetaria e vërtetë e muzikës, pasqyronte imazhin e adoleshentëve të hiperseksualizuar, të shtrirë përtokë mes një tufë flokësh të tejzgjatura. Për meshkujt ishte një histori krejt tjetër – burrat mbanin instrumentet dhe vishnin rroba, qëndronin me këmbë në tokë dhe flisnin për muzikë. Britney, Christina dhe madje edhe Beyoncé prezantoheshin të gjitha si torollake që vetëm qeshnin, të veshura me pantallona të shkurtra.

Unë nuk mendoj se, në atë kohë, kam qenë zhgënjyese. Imazhi i këtij mijëvjeçari për gratë, “Unë duhet të jem joshëse”, më bën të mendoj. Duhet të jem e bukur, e hollë, duhet të kem gjoks të madh, ose nuk do të kem asnjë vlerë, edhe sikur të bëj miliona dollarë për veten dhe për të tjerët, ashtu si Britney Spears.

A ishte ky fillimi i obsesionit tim të pamëshirshëm me pamjen time? A ishte kjo ndoshta para se të mbaja një Barbi? Apo mos ishte hera e parë që pashë nënën time të mbante dietë? Kjo ndoshta është një temë më e thellë për terapi, apo trillim ose, në rastin tim, të dyja, por sido të ketë filluar, unë kam provuar të ndryshoj pamjen time në çdo mënyrë të mundshme, përveç kirurgjisë. Që kur Britney u shfaq në Rolling Stone në vitin 1999, unë kam qenë një bionde me muskuj me abdominalë të formuar, si ajo. Kam qenë gjithashtu një zeshkane sportive dhe një princeshë platini pas lyerjeve të dyfishta të flokëve të mia me zbardhues, derisa skalpi nuk e mori veten për tre vjet. Kam përdorur makeup për t’i bërë sytë si mace me dritëhije dhe makeup për të theksuar buzët. Unë kam bërë penel portokalli dhe ton syri në bronz, kam pasur thonj të gjatë dhe të shkurtër, flokë të gjatë dhe shumë të shkurtër. Kam bërë manikyr, pedikyr, trajtime për fytyrën dhe kam blerë një mijë kremra dhe lëngje magjike, të gjitha të shtrenjta. Kam punuar për të qenë e bukur. Kam punuar shumë fortë.
Dhe tani, pas një periudhe kaq të gjatë, gjatë të cilës jam përpjekur të ndryshoj pamjen e jashtme, papritmas… u ndala. Ndalova së kujdesuri aq shumë për pamjen time saqë kur u pashë në pasqyrë, për një moment, harrova se po shikoja fytyrën time. Një pjesë e këtij ndryshimi është sigurisht për shkak të përfundimit të romanit të parë, “Do të ha kur të jem e vdekur”. Në atë libër, ku mister i një vrasjeje të ndodhur në një revistë mode prezantohet si gjysmë satirë e gjysmë tragjedi, kam punuar me shumë me mesazhin 355 miliardë dollarë të shitjeve të lidhura me pamjen. Kam punuar si një ekzorcizëm, si një makth, si një shaka që nuk mund ta ndalësh duke qeshur dhe kjo ishte e dobishme, por unë mendoj se shumica e kësaj apatie të re në lidhje me pamjen time është sepse unë përfundimisht kuptova koston e bukurisë. Bukuria kushton më shumë se ç’do të mund të ofronte ndonjëherë. Kushton kohën tuaj çdo ditë, kur thani dhe rregulloni kaçurrelat, ndërsa burrat luajnë dhe pinë së bashku. Kushton paratë që fitoni çdo javë. Kushton vetëbesimin që jeni munduar kaq shumë kohë për ta krijuar ndërsa jeni duke luftuar për të përmbushur standardin e dikujt tjetër, të një fotografie që mbani në profilin tuaj në rrjetet sociale.

Pas të gjithë këtyre, kohë, para, vetëvlerësimi, bukuria sjell… absolutisht asgjë. Sepse ne nuk jetojmë më në një botë ku bukuria sjell siguri ekonomike. Avokati i djallit mund të argumentojë se të qenit e bukur të ndihmon të martohesh (gjë e cila do të nënçmonte shumë lidhjen që kam me partnerin tim), por edhe e martuar, duhet të punosh për të jetuar.
Nëse po vrisni mendjen se çfarë ndodhi me mikeshën time, e cila i dha përparësi Botox-it, mund t’ju them se u shkarkua për marrjen e lejes mjekësore për abortin e ndërlikuar që përjetoi. Frika e saj për të qenë e shëmtuar doli të jetë tërësisht e parëndësishme. Në luftërat më të vështira, ato për të drejtat më të çmuara, si lejet mjekësore ose qasja për abortin e sigurt dhe ligjorë, fuqia e bukurisë nuk është një argument bindës sepse bukuria nuk është një armë e vërtetë.

Fytyrat nuk nisin një mijë anije, nuk ndalojnë plumba dhe nuk i bëjnë burrat e vjetër me hundë të kuqe, të nënshkruajnë legjislacionin për mbrojtjen tënde. Për ta je vitrinë. Tani për tani, flokët e mi janë të shkurtra, ngjyrë kafe natyrale me fije gri. Lëkura ime është e lyer vetëm me krem për mbrojtjen ndaj diellit. Sytë e mi janë errësuar nga fshirja e syve të lyer me penel. Më vonë do të vë buzëkuq. Ndoshta. Nëse më shkon në mend. Do të vesh një palë kominoshe, do ha darkë me miqtë dhe nuk do e vras mendjen nëse dukem apo jo e bukur. Pas një kohe të gjatë të humbur kot duke u kujdesur për imazhin, më në fund po heq dorë nga bukuria. Dhe ndjehem kaq mirë./Përshtati për Dritare.net Ana Toçi