Letra

E di shok? Më ka marrë malli…Kujtimet që duam të gjithë

+

autrell

Nga AUREOLA BUZI

E di shok?
Më ka marrë malli për veten time të disa viteve më parë. Nuk e di ç'dreqin ka ndodhur që më ka ndryshuar kaq shumë.. ose ndoshta e di.. Përjetimet. Realiteti. Që ta përplasin surratit, sa herë përpiqesh tia mbathësh heshtazi ndër ëndrra. Zhgënjimi. Për se jo gjithnjë mund të gjesh diçka të bukur në diçka e të mund ta shohësh vetëm atë, siç furrishëm besoja dikur; sot ftohtazi mendoj se objektivisht gjëja në fjalë ka këto parametra, të mirat dhe të këqijat në fjalë, nuk meriton kohën time, dhe vazhdoj rrugën.

E di shok?
Më ka marrë malli për kohët kur lirshëm mund të hidhja mendime nga më idiotet në letër, e t'i doja, t'i merrja energjitë nga shkrimet. Sot fjala duhet të ketë një sintezë të qartë, mesazh të përçuar rrjedhshëm, jo e lodhshme, e konsumueshme, që të mund të jetë perfekte.

Sot gjithçka duhet të jetë perfekte. Më kujtohet një mik që më ka thënë dikur "Në Shqipëri edhe ajri ka pritshmëri nga ty!". Perfekte fjala, shkolla, puna, mardhëniet, dukja, intenerari.. a thua të jenë vallë?
Më mungon naiviteti i dikurshëm, të cilit hiç nuk ia ndjente për perfeksionin. Që kridhej në përjetime, ndjenja emocione, e dilte gjithnjë e lumtur nga aty.
Më mungojnë njerëzit. Ata të cilëve nuk u duhej të ngrinin kokën nga telefoni për të të hedhur një vështrim të shtrembër. Në të cilin ti kujton rrufeshëm të gjitha defektet e tua, afatet, pritshmëritë, skadencat, perfeksionin.

E di shok?
Më mungon të luaj shtet qytet kur ikin dritat, të hamë patate të pjekur në një sobë të vogël drruri, të kridhem në librat e mi, e të mos kem kujtime apo përfytyrime të virtualizuara të të ardhmes.
Më mungon teatri i kukullave që patëm ndërtuar me gurë në provincë, fustanet e nusërisë prej perdeje për të cilat na qortonin nënat.


S'di çfarë shkoi kaq keq me të gjithë ne.
Thonë se të palumturit duhet patjetër ta flakin fajin diku.
Është ftohtë mes meje dhe meje. Përqafoj vetveten shpesh për t'i mbijetuar acarit.