Letra

E dua shumë fëmijë tim por jam penduar që u bëra nënë

+

mamamdhej
Mendimi për të pasur një fëmijë u bë aq i fortë sa që nuk arrija të mendoja për asgjë tjetër. Nuk kishte kaluar shumë kohë pas martesës, kur isha vetëm 26 vjeç dhe i kërkoja me këmbëngulje tim shoqi të bënim një fëmijë. Në mendjen time, isha shumë larg shoqeve të mia që e kishin kaluar këtë hap. Çdo film që shihja e paralelizoja me jetën time; martesa, fëmijët, shtëpia…Nisa të qaja e të lutesha për një fëmijë…Një herë u largova edhe nga shtëpia, si kërcënim për ta arritur këtë.
Im shoq mendonte se nuk ishim ende financiarisht gati për fëmijë dhe kishte të drejtë. Mirëpo unë isha obsesionuar dhe nuk arrija të mendoja asgjë tjetër.
Asokohe jetonim në një apartament të vogël; kuzhina dhe dhoma e ndenjjes ishin bashkë. Siç im shoq theksonte, shtëpia jonë nuk mund të priste edhe një pjesëtar tjetër.
Kur u zhvendosëm në një apartament më të madh, më në fund, im shoq pranoi të provonim. Kaluan disa muaj përpjekje deri sa ia dolëm.
Tani, im bir është pothuajse 6 vjeç . E kotë të them se sa shumë e dua, do vdisja për të, është e gjithë jeta ime!
Mirëpo, tani që ai është aty jeta ime më duket krejt e pa plotësuar. Kam qenë gjithnjë njeri egoist. Gati e detyrova tim shoq të bënim fëmijë sepse doja unë. Më pëlqen shumë të fle, të shoh shfaqe të ndryshme, të shpenzoj para për veten, të shkruaj, kur mundem….Dua t’i bëj të gjitha këto pa menduar nëse tim biri i mungon gjë…
Ndoshta iu ndodh edhe të tjerave por unë jam penduar për sjelljet e mia dhe mënyrën si e kërkova dhe e bëra këtë fëmijë. Kam humbur vite të jetës sime me një fëmijë që e doja për arsyet e gabuara.
Sigurisht që do të ketë njerëz që do mendojnë se fëmija është bekim por unë tani nuk mendoj më kështu. Mendoj vetëm që e shkatërrova jetën time duke ndjekur ca modele që mendoja se ishin të duhurat.
Është vetëm faji im, i askujt tjetër!
Në moshën 35 vjeçare, ende mendoj se çfarë është normale dhe çfarë jo, përpara se të bëj një veprim. Kjo është një mënyrë e gabuar jetese! Po përpiqem të mësoj dhe të veproj ndryshe; të ndjek zemrën dhe atë që është më e mira për mua.
Ndërkaq, kam një fëmijë të mrekullueshëm që e dua shumë….
Living