Letra

Gratë që dua!

+

marrte
Nga Zhaklin Lekatari

Tetë mars. Festa e gruas. Ka shumë për të thënë mbi këtë festë, që nuk ka asnjë vlerë për dikë, e shumë vlerë, për të tjerë. Ka shumë tema për të trajtuar, flamuj për të valëvitur, çështje të nderuara apo jo, ndaj të cilave mund të koagulojmë ndjenjën tonë të përkatësisë ndaj gjinisë femërore.
Mund të ndalemi dhjetë minuta, unë këtu që shkruaj dhe ju që lexoni, në punë, në bus, në makinë, apo të ulura të ËC, në darkë. Mund të kujtojmë historinë e kësaj feste, luftatfeministe, pushtimin e të drejtave, punën, mundësitë, barazinë, pabarazinë, dhunën, fuqinë për të denoncuar diskriminimet e pësuara, dëshmitë e guximshme, intervistat me gratë që mund të na frymëzojnë të gjithëve; mund të flasim dhe për gra të tjera, në pjesë të tjera të botës, që nuk janë të bardhë apo perëndimorë, ato jeta e të cilëve shënohet nga një gjymtim gjenital mizor, gurëzimet, martesa të kombinuara, prostitucioni si një alternativë unike për jetën dhe mijëra forma të skllavërisë që i burgosin ato, kudo që janë, disa dhjetra apo mijëra kilometra larg nesh. Mund të flasim për polemikat rreth abortit dhe mjekëve ose sa suerreale është fakti që ende diskutojmë për këtë gjë. Mund të bëjmë këtë dhe të vazhdojmë në atë retorikën që na përkëdhel pak shpirtin, për të vazhduar me punët e përditshme me më shumë dëshirë, forcë e krenari ndaj të qënurit një qënie e jashtëzakonshme: grua. Heroina e sfidavë të përditshme. Shumë mirë nëse do të bënim të gjitha këto.

Por, ka diçka që mungon në këtë motëri të cunguar, që zgjat sa një post në Facebook, ose një hashtag në Instagram, ose në rastin më të mirë në pjesëmarrjen e ndonjë organizimi në shesh. Normalisht kjo është më mirë se asgjë, por do të doja më shumë. Do të doja që gratë, secila prej tyre, të dëshironte më shumë, të ndryshonte diçka nga traditat, nga mënyra e të menduarit, në feminizmin tonë të përditshëm, atë të vërtetin, që ndoshta nuk do të zgjidhë problemet e grave në gjithë botën, por që mund të na përmirësojë ne dhe gratë me të cilat kontaktojmë çdo ditë.

Doni shembuj? Po ja gratë që do të doja, nuk i thonë njëra-tjetrës “kurvë” me lehtësinë me të cilën pijnë një kafe, sepse tjetra të parakaloi gjatë rrugës për në Big Market. Gratë që dua nuk mendojnë që një grua e suksessshme është e tillë për shkak të burrit, babait, apo shefit. Gratë që dua nuk thonë që “bythët” e asaj janë aq të mëdha sa më shpejt i kapërcen se sa i bie përqark. Gratë që dua nuk mendojnë që nëse njëra është e bukur është patjetër budallaqe, apo që njëra nëse nuk është tërheqëse meriton të nënvlerësohet. Gratë që do të doja, seksi ju pëlqen në mënyrë të sinqertë dhe e jetojnë lirshëm dhe me vetëdije, duke shijuar repertorin e emocioneve apo ndjenjave që ai ofron. Këto gra e dinë çfarë duan dhe ja shpjegojnë partnerëve të tyre, pa pretenduar dhe pa u ankuar për padituri apo pamundësi. Gratë që dua besojnë tek vetja dhe tek mundësitë që kanë. Ato dinë të qeshin me gabimet e tyre dhe të lehtësojnë pasiguritë e tyre pa u mundura nga etja për konfirmim që të gjitha kemi. Gratë që dua janë kurioze dhe jo të trembura nga ato që janë ndryshe, krijojnë dialog dhe jo paragjykim. Gratë që dua kuptojnë që dhe gruaja më e fortë është e brishtë, dhe që ajo më e dobët ka një titan të fshehur në vete. Gratë që dua nuk gëzohen kur shohin celulitin te këmbët e tjetrës. Gratë që dua nuk do gjykonin apo linçonin të tjerat publikisht apo në Facebook për shkak të veshjes.

Gratë që dua e kanë kaluar me sukses dikotominë e imponuar nga shoqëria, të kurvës dhe shënjtores. Gratë që dua janë të lira të thonë që nuk e duan një fëmijë, pa u ndjerë të tjetërsuara. Gratë që dua janë të lira të duan, një, dy, tre apo katër fëmijë, pa u ndjerë démodé nga të emancipuarat. Gratë që dua kanë opinione, por nuk është e thënë që duhet ta kenë mbi çdo gjë apo që duhet ta shprehin. Gratë që dua dinë të jenë tërheqëse dhe në moshën që kanë, edhe kur shikimet e burrave zvoglohen, sepse bukuria nuk qëndron aty. Gratë që dua janë bashkëshorte të tradhëtuara, por jo budallaçka naïve, ndonjëherë janë dashnore të mashtruara, por asnjëherë “kurva të pista”. Gratë që dua mund të fitojnë më shumë se sa burri i tyre, të kenë më shumë eksperiencë, më shumë vite, pa qënë e nevojshme të ngrejnë dyshime dhe pasiguri. Gratë që dua mund të duan një burrë të pjekur pa dashur lekët e tij. Gratë që dua nuk bezdisen nga mbulesa e njërës dhe bytha e tjetrës. Gratë që dua janë të lira të jenë të virgjëra deri në martesë por respektojnë ato që kanë nisur marrëdhënie që 15 vjeç dhe viceversa. Gratë që dua nëse janë të mërzitura nga diçka e thonë, gjithmonë. Gratë që dua kanë mikesha më të reja, më të vjetra dhe nuk kanë frikë të diskutojnë me to. Gratë që dua kanë kuptuar që bashkëpunimi është më mirë se sa urrejtja . Gratë që dua kundërshtojnë me gjithë forcën e karakterit të tyre, fjalitë më të shpifura, por ndonjëherë të besueshme, se si ne gratë jemi armiku më i keq i vetës, dhe se si miqësia midis nesh ështe e pamundur, apo mitologjike.

Unë njoh disa gra që dua, dhe nuk janë ëonder ëoman. Nuk janë perfekte, nuk janë pa dështime, por tentojnë. Tentoj dhe unë, por nuk është gjithmonë e thjeshtë. Por urimi që bëj sot e nesër, pasnesër, është që të jemi gjithmonë e më shumë në numër, që mundohemi të përmirësojmë veten, njëra me tjetrën, pak më të forta. Ky është urimi që i bëj vetes dhe çdo gruaje.
Gezuar 8 marsin.