Letra

Kur vjehrra mbretëron në kuzhinë (dhe nusja nuk duron dot erën e qepës)

+

gatimigjyshet

Sot më doli gjumi që në orën shtatë e gjysmë edhe pse e shtuna është pushim: nga kuzhina vinte era e qepës së skuqur. Kam dëgjuar shumë njerëz të ankohen për erërat e tilla që vijnë nga shtëpitë e fqinjëve që në mengjes, por unë nuk kam se si të ankohem: era vjen pikërisht nga kuzhina e shtëpisë sime ku vjehrra ime me siguri po bën specat e mbushura ose gjellën me patate, të preferuarat e saj dhe ata që do jenë duke sharë e mallkuar në shtëpitë e tyre janë fqinjët.
Kam tentuar një herë t’i them që nuk është mirë që dreka të gatuhet kaq herët sepse deri në drekë bëhet bajate dhe duhet ngrohur prapë. U pendova sapo hapa gojën, sepse mora prej saj një fjalim të gjatë, se si ime më nuk më paskësh mësuar asgjë dhe se për nikoqiret e vërteta dreka është e para punë që duhet bërë, për të vënë punët para. Sigurisht që nuk kam ndërmend t’i them që të shtunën dhe të dielën duhet të fle ca më shumë dhe se nuk e meritoj të zgjohem nga era e qepës pasi jam rropatur gjithë javën në punë, sepse nuk dua të dëgjoj se si do më thotë që jam me fat që kam atë dhe e gjej çdo gjë gati. Sigurisht që nuk ia vlen t’I them as tim shoqi, më ka thënë që në fillim që nuk do të ngatërrohet fare me të tilla biseda…
Ndokujt mund të mos i duket dhe aq shqetësim, por ja që unë po shkoj 45 vjeç dhe nuk po ndihem asnjë ditë si në shtëpinë time, për aq kohë sa në kuzhinë mbretëron ime vjehërr që nuk e lëshon atë post në asnjë vakt. Ndërsa unë jam pesë ditë të javës në punë, nga mëngjesi deri në shtatë të pasdites, ç’e keqe do e gjente atë që të shtunave dhe të dielave të hiqte dorë nga ato gjellërat me qepë të skuqur dhe të më lejonte të gatuaja përshembull një peshk në tavë? (ajo peshkun e skuq, e lyen madje dhe me miell). Apo të bëja një spageti me fruta deti? (e kotë të them që makaronat ajo i thyen më tresh, pastaj i bën me gjalpë dhe djathë, si qëmoti.) Kur dëgjoj atë kërrcitjen e makaronave që thyhen në kuzhinë, diçka më kërrcet dhe mua në kraharor: nëse do ishte mami im, do i thoja që unë nuk i dua ashtu, mund të bënim dhe debat dhe pas pesë minutash të harronim gjithçka, po në këtë rast pse është kaq e vështirë? Pse vjehrrat thonë që na ndihmojnë dhe nuk e vënë asnjë sekondë veten në vendin tonë? Sigurisht që unë i kam mundësitë ekonomike të jetoj në shtëpi më vete, por që në fillim menduam që ishte më e mira që ajo të mos jetonte vetëm, por a do të thotë kjo që ne jetë të na mungojë dhe gjëja më elementare: të zgjedhim se çfarë do hamë?!
Dhe thonë pastaj që është faji i nuseve të sotme. Ndoshta dhe është, nëse faj është të konsiderosh ushqimin dhe gatimin kënaqësi.