Letra

Pavarësisht ankthit dhe depresionit ti je bashkëshortja më e mirë!

+

ciftitletrata

Kur u takuam pesë vite më parë, nuk mendoja një ditë që do të mund të shkruaja këto fjalë. Qëndronim të dy në këmbë në një park të madh para shumë të panjohurve dhe po recitonim me gjithë zemër. Në atë periudhë as që e çoja në mend se do të arrinim në këtë gjendje. Duhet ta pranoj, kemi bërë goxha rrugë të gjatë bashkë. Kur filluam të shoqëroheshim për herë të parë, s’e dija si mund të ishte jeta përkrah një njeriu që vuante nga ankthi dhe çrregullimet depresive. Mendoja se ishin qurravitjet e radhës nga njerëz që donin të ishin gjithmonë në qendër të vëmendjes.

Shprehje të tilla si ‘’ Oh Zot, po kaloj në depresion! ‘’apo ‘’ Po përjetoj një krizë paniku! ‘’ dukeshin aq monotone në syrin tim. Por ti ishe ndryshe. Nuk e kam vënë re kurrë këtë lloj monotonie tek ti. Përkundrazi, krejt e kundërta, ishe plot jetë dhe energji. Vetëm më vonë munda të zbuloj atë sekret që ti fshihje nga unë dhe të tjerët. Ndoshta mendoje që nuk do ta zbuloja një ditë, në të vërtetë e kam ditur gjithmonë që kishte diçka që nuk shkonte.
I mbaj mend ditët kur nuk ngriheshe fare nga shtrati apo kur refuzoje të haje qoftë një vakt të vetëm. Sa herë të kam kapur duke qarë fshehurazi në dhomë. Justifikoheshe duke thënë se ishte thjesht një alergji prej pluhurit që gjendej në shtëpi.

Jemi bashkë prej gati pesë vitesh, në fund të këtij muaji do të festojmë dy vjetorin e martesës. Marrëdhënia jonë i ngjan karuselit të maleve ruse, me ulje-ngritje të vrullshme. Nuk mund ta mohoj që shpeshherë e kam ndjerë veten një dështak, i paaftë për të të bërë të ndiheshe mirë. Torturoja veten në kërkim të pse-ve e sepse-ve. Nuk mund të bëja asgjë për të qenë një bashkëshort më i mirë, një shok, një bashkëudhëtar i kësaj rruge të gjatë.
E mbaj mend kur arrite kulmin e krizave. Më kërkoje të të lija të qetë, se kishe nevojë për paqe dhe ta përballoje e vetme të gjithën këtë. Qaje dhe më thoje se nuk ishte faji im, se kjo ishte sfida jote. Nuk do ta harroj kurrë kur më the : ‘’Nëse jam gjallë është vetëm falë teje. Nuk mund ta vras veten pasi e di sa keq do të të bëja’’. Sa herë që më thoje këto fjalë më thyeje zemrën. Mjaftonte një fjali e vetme që të rikuptoja sa i rëndësishëm isha për ty , por dhe sa e rëndësishme kishte mbetur akoma për veten. Ndihesha i paaftë të të thoja sa shumë të doja dhe sa i lumtur isha pranë teje.

Por sot është një ditë më e mirë. Ka kaluar thuajse një vit nga ajo ditë. Pas shumë telefonatash dhe të qarash me dënesë vendose të takoje një psikolog i cili të ndihmoi (të ndihmuam të dy) që të përballeshe me ankthin dhe depresionin. E di që do të ketë gjithmonë ditë ku do të ndihesh e plogësht dhe pa asnjë motivim për jetën. Do të ketë ditë ku nuk do të jesh vetvetja. Ditë ku do të duash të mbyllësh grilat e rënda gri dhe të qash poshtë çarçafëve. Nuk do të fshihem më pas derës ngjyrë qershir dhe të dëgjoj ngashërimet e tua. E di që të tremb ideja e vetvrasjes. Ke frikë mos rikthehet në jetën tonë, troket në derën e shtëpisë që kemi ndërtuar me aq dashuri. Por kësaj here…kësaj here jam gati.

Kur u takuam për herë të parë isha një student budalla që i kishte hyrë frika në palcë. Nuk ndihesha akoma gati të përballesha me sëmundjen tënde. I gatshëm të dorëzohesha para çdo dëshire tënde, edhe atyre më të frikshme.
Sot, jam një burrë. Sot jam bashkëshorti yt.
Kur u njohëm mendoja se ti ishe ndryshe. Kisha të drejtë. Pavarësisht betejës së përditshme me të cilën përballesh çdo ditë, arrin të jesh bashëkshortja më e mirë që mund të kisha.E di që kjo sëmundje do të jetë sfida jonë në të ardhmen, por do ta pranoj me kokën lart. Do ta pranoj dhe do e fitojmë bashkë këtë betejë.

Luftëtari yt besnik,
bashkëshorti yt