Letra

Pesë muaj pas lindjes kuptova që kisha rënë në depresion, mendoja se sjelljet e mia ishin normale

+

depresioniini

Kur linda fëmijën tim të dytë, ne ndiheshim sikur kishim arritur qiellin nga lumturia. Prindërit e mi dhe të bashkëshortit udhëtuan drejt nesh për të më ndihmuar me vajzën time 2-vjeçare, në mënyrë që unë të kisha kohë të rikuperohesha nga prerja cezariane dhe t’i përkushtohesha tërësisht fëmijës. Ishte një kohë kaq e mrekullueshme.
Unë dhe bashkëshorti im jetonim në New Jersey në atë kohë, larg familjes. Pas lindjes së fëmijës vendosëm të ktheheshim në Florida për të qenë më pranë familjeve, pasi ishte shumë e vështirë të menaxhoje jetën me dy fëmijë pa asnjë ndihmë.
Pasi i porsalinduri im bëri 3 muajsh, bëmë gati gjithçka që na duhej dhe u nisëm drjet Floridës. Në atë kohë nuk kishim gjetur ende një vend për të jetuar, kështu që përkohësisht vendosëm të jetonim me prindërit e mi.
Pak përpara se të niseshim në udhëtim, unë pata mastit në gjoks dhe nga ai moment e gjeta veten shumë të përfshirë e të zhtyur në gjithçka që po ndodhte në jetën tonë. Dhe shumica e gjërave kishin të bënin me fëmijën tim të vogël.
Fillova të ndihem e stresuar sa herë që qante, gjë që ndodhte shpesh. Sapo ishim larguar nga shtëpia jonë, nga ambienti ynë komod, si unë, si fëmija ndienim ndryshimin e madh.
Fillova të urreja me të vërtetë ushqyerjen me gji dhe megjithëse dëshiroja shumë ta ndërprisja, djali im nuk pinte me biberon, prandaj isha e detyruar ta vazhdoja.
Pata sërish mastit, 3 herë radhazi. Vazhdimisht ndihesha keq, e sëmurë, e pafuqishme dhe pavarësisht gjithë këtyre vështirësive, nuk isha plotësisht në dijeni se çfarë periudhe po kaloja.
Mendoja se këto ishin gjëra normale, me të cilat duhet të mësohesha dhe më pas t’i kaloja. Në dijeninë time,depresioni pas lindjes ndodhte menjëherë sapo sillje në jetë fëmijën, kështu që e përjashtova këtë mundësi.
Kam dëgjuar se shumë gra e kalojnë depresionin pas lindjes dhe as që e kuptojnë se kjo gjë po ndodh me to. Kjo ishte pikërisht situata ime.
Gjatë kësaj kohe nuk isha aktive në rrjetet sociale sepse fotot e bukura dhe lumturia e të tjerëve me ngjallte trishtim dhe përkeqësonte gjendjen time.
Pyes veten përse nuk isha në gjendje të kuptoja se po kaloja depresion dhe ndoshta përgjigja është se kjo gjendje nuk ishte konstante tek unë. Kishte momente që ndihesha shumë keq, por kishte edhe momente që ndihesha mirë.
Nëna ime ishte ajo që kuptoi më mirë gjithçka. Ajo ishte e shqetësuar për mua sepse vuri re se kishte ditë që nuk dilja fare nga shtëpia, kishte ditë që rrija gjithë kohën me pizhama, madje herë pas herë ajo shqetësohej nëse po e ushqeja fëmijën sa duhej apo jo.
Kjo vazhdoi për rreth dy muaj të tjerë. Pastaj një ditë po shikoja një program televiziv ku flisnin për depreisonin pas lindjes dhe kuptova se pikërisht kjo po ndodhte me mua.
Tani fëmija im është pesë muajsh, dhe më në fund po filloj të ndihem mirë përsëri. Bashkëshorti im dhe unë gjetëm një shtëpi për familjen tonë dhe gjithçka ka filluar të normalizohet.
Kam filluar të gjej kohë për t’u kujdesur për veten, shpenzoj kohë cilësore me bashkëshortin, bëj aktivitete me fëmijët dhe të gjitha këto më falin shumë kënaqësi.
Edhe pse ende kam ditë të vështira, unë i kujtoj vetes se kjo periudhë do kalojë dhe gjithçka do të bëhet mirë.
Për të gjitha nënat që po kalojnë një periudhë të vështirë, mund t’ju them vetëm se shumë shpejt do të përjetoni sërish ndjenjën më të bukur që fal mëmësia dhe mos harroni se nuk jeni vetëm./ letra e postuar ne portalin pernenat