Letra

Shija nuk diskutohet, ose të pëlqen ose jo!

+

shijanukdi
Nga Meri Dishnica

Të ngrënët dhe të shijuarit, aq e thjeshtë po aq sa edhe e ndërlikuar. E thjeshtë si një nevojë e natyrshme fiziologjike, pa përmbushjen e të cilës nuk mund të shkojmë larg në mendimet tona. Madje as nuk mund të ëndërrojmë gjë tjetër përveçse për ushqim, madje as për falje e as për dashuri… Është aq e ndërlikuar sa kënaqësia që ndiejmë kur hamë “një gjë” të mirë, aq sa nuk e përshkruajmë dot me fjalë por vetëm me një “mmmmmmm” të gjatë.

Këtë muaj nuk mund të mendoja tjetër temë veçse për ushqimin dhe të shijuarit edhe pse në një tjetër prizëm. Kam provuar gjithçka të re dhe të çuditshme nëpër menutë e restoranteve. Kam qënë e uritur gjithë kohën. Këtë më solli kjo stinë dhe unë e fajësoj për këtë… E fajësoj në mënyrën time (duke ngrënë). Nuk ka lidhje me urinë si ndjesi boshllëku, por me atë që ne e quajmë “neps”. Neps për çdo gjë që shoh në menu, neps për çdo gjë shikoj tek pjata e tjetrit. Këtë fundjavë në një restorant të periferisë, më bënë shumë përshtypje disa elemente të menusë. Përvec zogjve të egër dhe lepujve, që jemi mësuar ti shohim në “menutë ekstavagante” të lokaleve të fshatit, më ngelën sytë tek breshka, iriqi dhe kërmilli. Pas disa gotave me verë më erdhi keq për breshkën dhe iriqin, nuk ishin as të shijshëm madje. Por aspak keq nuk më erdhi për kërmillin, ashtu me gjalpë, hudhër dhe majdanoz ngjante mrekullisht i përlyer. Shoqes sime nuk i pëlqyeu kërmilli, por unë ndërkohë e kam parë atë të hajë këmbë bretkosash :/

Nga ky episod u nxita të mendoj më gjatë, më thellë. Mendova sa relative mund të jetë shija. Nuk diskutohet për shijen. Ose të pëlqen ose jo! Nuk ka “po sikur”, nuk ka hidhi pak limon, apo hidhi ca piper. Ka gjëra në jetë që nuk shtyhen as me vaj e as me uthull! Është pak a shumë si prezantimi me dikë, ose të pëlqen ose jo! Nuk ka sikur, nuk ka kontorno dhe ingredientë shtesë që ti përmirësojnë “shijen” dikujt. Edhe pse në ditët e sotme “përtypim” shumë gjëra, mendoj se vetëm para ushqimeve nuk mund te jemi dot hipokritë, një pjate pa shije kurrsesi nuk e kalojmë dot poshtë, ndërsa njerëz pa shije jemi të detyruar të “përtypim” çdo ditë. Pse dikush na pëlqen më shumë se dikush tjetër?! Pse një ushqim na shijon me shumë se një tjetër?!

Çfarë është ajo gjë që na afron me një person apo shije të caktuar?! Pse më pëlqenjnë të kripurat më shumë se të ëmblat?! Pse më pëlqejnë nektarinat dhe jo pjeshkët?! Pse më pëlqen peshku i pagatuar më shumë se friturat krokante?! Fundja çfarë e bën një vesh rrushi të rritur në jug të Francës të ndryshojë nga të tjerët?! Çfarë e bën të vërtetën të jetë ndyshe nga gënjeshtra?! Çfarë na bën ne të dallojmë një buzëqeshje reale nga ajo e shtirura?! Çfarë më bën mua të jem ndryshe nga ty?! Është shija esenciale, brendësia, thelbi… Është ai element që përcakton një “diçka” dhe njohja e këtij elementi vjen vetëm nëse kultivon një shije të mirë. Por nuk i referohem vetëm shijes së ushqimeve, i referohem momentit kur kam parë njerëz të veshur mirë që hanë si kafshë. Është vetëm çështje shijesh!

Burimi:Thegoodpsychology