Letra

Vajzat e vetmuara që nuk kanë më shpresë!

+

vajzmvet

Nga Edison Ypi

Vajza e vetmuar pyet veten ku ta gjejë një djalë të vetmuar. Jo me kufje dhe selfie. Me shkrepëtima shikimesh, rrënqethje prekjesh, mornica ledhatimesh, rënkime puthjesh, lotë depërtimesh. Por djali i vetmuar nuk del nga kafeneja të më gjejë të më bëjë vajzë të shoqëruar dhe veten djalë të realizuar. Të dalim të na dehi aroma e blirit, të na turbullojë trishtimi i Hënës, përgjakja e diellit në perëndim, era e dheut në Pranverë, V-ja e patave në fluturim, blegërima e qingjave, këmborët e bagëtive, flladi i malit, simfonitë e ujvarave. Të rrokullisemi mbi bar. Të vallzojmë nën shi. Të flemë natën në pyll. Mirpo djali i vetmuar është një sedentar i padobishëm, i pavlefshëm. Djali i vetmuar nuk di të bëjë asgjë me duart e veta; të nguli një gozhdë, të ndreqi një bravë, të ndali pikën e ujit që rrjedh nga rubineti. Djali i vetmuar di vetëm të flasi në celular duke u mbllaçitur, të nisi SMS duke ecur, të bëjë selfie duke u zgërdhitur. Unë vajza e vetmuar nuk dua ta ndot vetminë time me celulara dhe smsra. Unë vajza e vetmuar dua të arratisem, të rrëmbehem, të pengohem, të dërrmohem, të përgjakem. Djali i vetmuar më pret mua vajzën e vetmuar, të kollajshme, pa ngatërresa materiale, pa peshë, pa aromë të mishit, pa rrënqethje të lëkurës, pa dridhje të shpinës, pra ashtu si unë nuk jam dhe nuk dua të jem. Djali i vetmuar më pret të bie nga Qielli. Unë vajza e vetmuar s'kam nga cili qiell të bie. Unë jam vetë qielli. Selektive dhe durimtare, unë vajza e vetmuar që djalin e vetmuar e pres në heshtje me përpëlitje zemre dhe padurim për t'i pëshpëritur vargje, megjithatë ndjehem e lumtur; që rracës i garantoj pastërtinë, dhe Shqipërisë mbijetesën.