Aromë Maroku

+

amb 2
Me Koordinatoren e Përhershme të OKB-së në Shqipëri, znj. Zineb Touimi-Benjelloun

Nga Dhurata Thanasi Deneri Fotografia Armand Habazaj

 

Kur e takon Zinebin për herë të parë, nuk të duket sikur po i jep dorën Koordinatores e Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Ajo ta shtrëngon atë duke të pare në sy dhe me një anglishte të përsosur prezantohet thjesht. Nga zëri dallohet menjëherë ngazëllimi dhe dashamirësia që të ofron. Jemi mbledhur për të darkuar me anëtarët e Klubit të Harvardit të Tiranës. Është hera e parë që Zinebi i bashkohet grupit tonë. Aty mësoj se ajo vjen nga Maroku. Nuk të jep përshtypjen e atyre njerëzve të “mëdhenj” që janë ulur me të “vegjlit”. Të bën menjëherë për vete me të qeshurën e saj të veçantë dhe mes një kesadije apo
fajite darkojmë duke folur për kujtimet e shkollës, Bostonin, fëmijët që rriten, receta gatimesh, çmimet e larta dhe krizën që ka përfshirë gjithë botën. Këto kujtime të afro dy vjetësh më parë I sjell ndër mend pikërisht sot që Zinebi më ka ftuar për drekë në shtëpinë e saj, së bashku me stafin e revistës “Living”. I ka ardhur familja nga Maroku: dy motrat, një nip i vogël dhe njëra nga bijat e saj. Ajo jeton në Shqipëri së bashku me bashkëshortin prej gati pesë vjetësh dhe është Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në vendin tonë, si dhe Përfaqësuesja e Përhershme e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP). Aroma e mrekullueshme mbush ambientin dhe nuk kuptohet mirë nëse vjen nga kus-kusi që po gatuhet diku apo nga esencat e bimëve ekzotike. Zinebi, veshur me një kaftan tradicional maroken prej mëndafshi ngjyrë deti, na prezanton me familjen; të bijën që punon në Paris, bashkëshortin, i cili jeton në Tiranë dhe motrat e nipin 4-vjeçar, që kanë ardhur ta vizitojnë. Të gjithë janë veshur me kostume kombëtare. Në njëfarë mënyre
ndihem keq kur mendoj që ne shqiptarët, për shumë arsye, kemi lënë pas dore këtë pjesë të mrekullueshme të traditës dhe identitetit kombëtar. Gjithsesi, nuk kam kohë të mendoj për këtë pjesë. Vogëlushi, nipi i Zinebit, më afrohet dhe më pyet për emrin. Pasi prezantohemi me të gjithë anëtarët e familjes, rehatohemi në apartamentin e këndshëm. Zinebi ka ftuar dhe dy kolege shqiptare, Nora Kushtin dhe Entela Lakon. Edhe ato janë veshur me kaftan e për një moment më duken si pjesëtare të familjes. Të dyja i njoh mirë, pasi vite më parë kam punuar me to pranë zyrës së UNDP- së. Jashtë zyrave të UN-it, e veshur me kostum tradicional maroken, rrethuar nga familjarët dhe të dashurit, Zinebi shndrin si diell mëngjesi. E pyes se si e nisi rrugën e punës me OKB-në. E ardhur nga një familje e moderuar dhe e pasur marokene, e diplomuar në Universitetin e Harvardit me rezultate të larta, vendosi të vazhdojnë studimet për Marrëdhënie Ndërkombëtare në “Columbia University” të Nju Jorkut. Padrejtësitë dhe kushtet e vështira në të cilat jetonin femrat marokene, intervistat jetësore që kishte marrë nga gratë e motrat e vendit të saj, do të bënin që diploma e Zinebit të vlerësohej maksimalisht nga profesorët e Harvardit. Dhe pikërisht me një kontratë fi llimisht si stazhiere, nis rrugëtimi i saj në botën e vështirë dhe plot sfi da të një gruaje në karrierë. Fillimisht puna pranë INSTRAW (Instituti Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara Për Zhvillimin e Grave) në Nju Jork, e më pas detyra në Republikën Dominikane. Çasti kur Zinebi po vendoste të kthehej në vendin e saj, të cilin e kishte lënë në moshë shumë të re, nuk duhej të kishte qenë i lehtë për të. Por ndoshta ka qenë vendimi I duhur, ai që i dha mundësinë të njihej me babanë e vajzave të saj, z.Hasan Sqalli. Kur përmend emrin e tij, Zinebit i vijëzohet një buzëqeshje e lehtë. Por kur më pas përmend emrat e Shama-s dhe Ghita-s, shkëlqimi në sytë e nënës krenare për bijat e saj i pushton gjithë qenien. Nga mënyra se si fl et, vërehet qartë që të bijat janë drita e syve të saj. Ajo kishte pikërisht moshën e tyre kur iu desh të merrte vendime të rëndësishme për jetën e saj dhe jo vetëm. Pas punës në Republikën Dominikane kthehet në Marok dhe nis punën me UNFPA (United Nations Population Fund), ku punon për gati trembëdhjetë vjet. Ishte koha kur njohu bashkëshortin, dhe më pas erdhën çastet më të bukura të jetës së saj, ato të mëmësisë. Por dhe të bijat do të rriteshin e do të nisnin rrugëtimin e tyre jashtë Marokut. Të dyja studiuan në Paris. E madhja, Shama, tashmë është 27 vjeçe, ndërsa e vogla, Ghita, 24 vjeçe dhe ndjek ende studimet. Ndërkohë, e pyesim Zinebin për Shqipërinë. “Oh, para se të vija këtu, nuk dija asgjë për këtë vend. Ishte si një libër i bardhë, i pashkruar. Sigurisht që e dija se Shqipëria ndodhej në Evropë dhe kisha dijeni për ngjarjet kryesore të saj. Gati pesë vjet më parë erdha këtu me mendimin se po vija në një vend krejt të panjohur, por që m’u bë menjëherë i dashur falë ngjashmërisë së kulturave tona. Ajo çka më ka befasuar është dëshira dhe ambicia e njerëzve për të mësuar e për t’u përmirësuar. E shoh këtë edhe me stafi n shqiptar të Kombeve të Bashkuara. Të gjithë këtu duan të ecin përpara në punën e karrierën e tyre. Nuk është diçka që e sheh dhe gjen gjithkund. Shqiptarët shohin gjithmonë përpara dhe mbi të gjitha më lë gojëhapur mikpritja e tyre dhe vlerësimi që kanë për mikun. Është vërtet unike!”

ambb1
Zinebi thotë që së bashku me të shoqin, Hasanin, gatuajnë gjithmonë kur kanë miq dhe u shërbejnë atyre gatime marokene. Të gjithë ne shqiptarët në atë tavolinë kishim ngrënë edhe më parë kus-kus, por ishte hera e parë që e provonim atë të gatuar nga marokenët. E pyesim Zinebin nëse e kishte pasur ndopak të vështirë të përshtatej me gatimet tona. “Aspak”, përgjigjet “pasi ju përdorni erëza njësoj si ne. Kultivoni shumë ullinj, ashtu si ne në Marok. Por ullinjtë tuaj më shijojnë më shumë. Në veçanti më pëlqen djathi juaj I bardhë.” Fillojmë të shijojmë kus-kusin e mrekullueshëm të përgatitur nga duart e saj dhe bashkëshortit e më pas ëmbëlsirat me sherbet, emrat e të cilave i ngatërroj vazhdimisht. Zakoni e do që çdo gjë të
shoqërohet me çaj, të cilin bashkëshorti I Zinebit na e shërben me një elegancë, thuajse ikonoklastike. Me një ibrik argjendi, ai derdh çajin gjithë aromë në fi lxhanë qelqi me ngjyra të ndryshme. Është vërtet një çast solemn. Zinebi, Nora, Entela, gjithë skuadra e OKB-së dhe agjencive të saj, këtë vit festuan 70-vjetorin e krijimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në vitin 1942, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin Roosevelt, e pagëzoi me emrin Kombet e Bashkuara. Në vitin 1945, të gjitha vendet anëtare nënshkruan një akt paqeje mes shteteve të dala nga Lufta e Dytë Botërore. “Jam e lumtur që
kam njohur Shqipërinë në këto vite, jam e kënaqur që e ka njohur dhe familja ime” thotë Zinebi. “Përveç kryeqytetit dhe disa qyteteve që nuk i shmangen dot vrullit të urbanizimit, pjesa tjetër e Shqipërisë është unike. Ju rrethoheni nga vende dhe shtete evropiane me potencial të madh turistik. Keni mjaft konkurrencë rreth e përqark. Por ajo çka e bën Shqipërinë të veçantë, është natyra dhe larmia e biodiversitetit natyror që ofron. Prodhimet e tokës, kuzhina, tradita... këtu është forca e Shqipërisë. Shpresoj që kjo të mos ndryshojë kurrë dhe kur të rikthehem pas disa vjetësh, ta gjej po kaq të mrekullueshme
dhe mahnitëse.” Në sytë e saj vë re njëfarë mallëngjimi. E mbyllim këtu bisedën për Shqipërinë. Më pas, në atë aromë dehëse marokene, flasim veçse për receta gatimesh, pushimet e verës, fotografinë dhemiqësinë.

amb 3

KUSH është KUSH
Që nga tetori i vitit 2010, Zineb Touimi-Benjellouni është Koordinatorja e Përhershme e OKB-së dhe Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së për Shqipërinë. Ka punuar për gati 11 vjet si Drejtore Rajonale e UNIFEM-it për Zyrën e Afrikës së Veriut në Marok. Po ashtu ka punuar për 13 vjet si Ndihmës Përfaqësuese e zyrës së UNFPAsë në Rabat të Marokut. Për afro dy vite ka punuar si Oficere Për Çështjet e Kërkimit dhe Trajnimit në INSTRAW Nju Jork dhe Republikën Dominikane.
Flet shkëlqyeshëm gjuhët arabe, franceze, angleze dhe pak shqip. Është martuar me Hassan Sqalli dhe ka dy vajza, Ghita dhe Shama. 

PËRBËRËSIT
1kg kus-kus ● 1/4 filxhan çaji vaj vegjetal ● 1kg mish qengji ose viçi, të prerë në copa të mëdha (ose 1 pulë e tërë) ● 1 qepë e madhe, e prerë trashë ● 3 domate, të prera trashë ● 1/4 filxhan çaji vaj vegjetal ● 1 1/2 lugë gjellë kripë ● 1 lugë gjellë piper i zi ● 2 lugë çaji xhenxhefil ● 1 lugë çaji shafran ● 1 grusht majdanoz dhe koriandër të freskët ● gjysmë lulelakër e bardhë, e vogël ● 10 karota mesatare të qëruara dhe përgjysmuara ● 1 ose 2 domate të ndara në copa çerekshe
● 1 ose 2 qepë të vogla, të plota ose të përgjysmuara ● 200g kungull dimërak ● 4 ose 5 kunguj të vegjël, të njomë, të prerë për së gjati ● 2 ose 3 patate të vogla të ëmbla, të qëruara dhe përgjysmuara ● 250g qiqra të zier ● 1/2 filxhan fasule fava
të freskëta (jo e detyrueshme) ● 1 ose 2 speca jalapeno djegës ● 2 lugë gjalpë (për kus-kus) ● 1 lugë gjellë kripë (për kus-kus)

PËRGATITJA:
(Kuskusi)
Marrim kus-kusin e thatë dhe e vendosim në një tas të madh. Nxehim rreth 800ml ujë. I shtojmë shafran dhe e shtojmë mbi kus-kus. E mbulojmë me pecetë pambuku dhe tasin e lëmë mënjanë ndërsa gatuajmë gjellën.
(Gatimi i mishit)
Në të dyja rastet e përgatitjes së kus-kusit, pra, si me pulë, ashtu dhe me mish qengji, ziejmë fillimisht mishin në një enë të thellë të mbuluar me ujë të bollshëm dhe kripë. Pasi ka zier mishi, e presim në copa dhe e vendosim në një tigan të thellë ku më parë janë gatuar qepa me vaj, domatet dhe erëzat. I lëmë së bashku me kapak të mbyllur derisa të krijohet një masë e trashë. Shtojmë hera-herës pak nga lëngu i zier i mishit. Pjesën tjetër të lëngut të mishit e lëmë mënjanë. Shtojmë rreth 1 litër ujë mbi mish, si dhe majdanozin dhe koriandrën të lidhura me fill si tufë lulesh. Po ashtu, shtojmë qiqrat e zier më parë. Mbulojmë
me kapak gjellën dhe masën e gatuajmë në zjarr të ngadaltë për gati 25 deri në 30 minuta të tjera. Në lëngun e mbetur të mishit (ku kemi zier qengjin ose pulën) shtojmë patatet e prera trashë, kungujt, lakrën, qepët, karotat, xhenxhefilin, kripën dhe piperin dhe i ziejmë për gati 15-20 minuta.

amb 4
PREZANTIMI PËRFUNDIMTAR
Hedhim kus-kusin në tas apo tavë të madhe dhe e shkërmoqim me duar derisa kokrrat e vogla të ndahen (për të arritur një rezultat të mirë e fërkojmë kus-kusin ndërmjet dy shputave
të dorës). Hedhim 2 lugë gjalpë në një tas ku kemi hedhur dy garuzhda me lëng mishi të ngrohtë. Lagim kus-kusin me lëngun e përgatitur. Për ta shërbyer kus-kusin, e hedhim në tavë dhe formojmë një si kodër. Më pas hapim një gropë si krater. Në gropën e kraterit vendosim mishin dhe salcën e tij dhe e shpërndajmë gjithandej nëpër kus-kus. Perimet i vendosim rreth e qark kus-kusit. Shpërndajmë mbi kus-kus lëng mishi me perime në mënyrë të njëtrajtshme. Lëmë pak lëng mënjanë për ata që e preferojnë kus-kusin më të lëngshëm.
SHËNIM.
Nëse do ta shërbejmë me speca jalapeno, i ziejmë këto speca për rreth 40 minuta të mbuluara në një gjysmë garuzhde lëng mishi dhe pak ujë. Specat i vendosim zakonisht në krye të kus-kusit dhe I aromatizojmë me piper të zi.