Brenda rezidencës së Ambasadorit turk/ Zonja Aysegul rrëfen për Living përvojën e saj në Shqipëri

+

bferr
NGA ETLEVA ÇEPELE/ FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ
Çelësi i portës kryesore që të çon drejt lumturisë 
është paqja me veten, kurse çelësat e dhomave të saj, janë të ndash me të tjerët dhe të japësh pa pritur shpërblim. Nëse ia shtoni këto tipare jetës suaj, lumturia është me ju.

Zonja Aysegul Yoruk, e ftuara e radhës për rubrikën "Living Ambassador", është zonja e ambasadorit turk në Shqipëri, Murat Ahmet Yoruk. Çifti diplomatik ndodhet në Shqipëri prej më pak se një viti, porse shprehen të lumtur që u ka takuar të punojnë për një periudhë kohe në një vend si yni, ku, më së shumti i ka tërhequr ajri, natyra plot gjelbërim, afria e njerëzve me njëri-tjetrin, por, mbi të gjitha "të jenë bashkë me motrat dhe vëllezërit shqiptarë”, - siç shprehet plot entuziazëm zonja Yoruk.
Në fakt, sapo hyjmë në rezidencën e ambasadorit turk në Shqipëri, edhe ekipi ynë ndjen një lloj familjariteti, një lloj njehsimi kulturash. Zonja Yoruk, një femër të cilën sapo e sheh, rrezaton një elegancë dhe fisnikëri të lindur, na jep një mirëseardhje të ngrohtë, ndërsa sytë i shkëlqejnë nga kënaqësia e vizitës sonë. Ashtu sikundër edhe ne, shqiptarët, duket se përfaqësuesit e vendit mik në Shqipëri, kanë tipar dallues mikpritjen dhe respektin.

cijgdg

KUSH ËSHTË KUSH
Ajo ka lindur në qytetin e bukur turk të Ankarasë. Pasi përfundoi studimet e larta në degën Hoteleri-Turizëm, punoi për disa vite si menaxhere financash në një grup kompanish private. Njohja me zotin Yoruk, dashurinë e jetës së saj, por edhe shokun dhe mbështetësin e saj më të madh, do të bënte që pas kësaj kohe ajo të niste bashkë me të rrugëtimin e bukur të diplomacisë, i cili do t'i çonte në vende dhe kultura të ndryshme, që do të pasuronin formimin e tyre të mëtejshëm. Ata kanë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, sot, të rritur - vajza 29 dhe djali 19 vjeç - të cilët kanë jetën e tyre dhe qëndrojnë në Turqi. Nëse do të ndalemi vetëm një çast te dashuria e çiftit Yoruk, ajo u lexohet qartazi në sy të dyve, teksa flasin apo qëndrojnë përpara aparatit fotografik të Living. "Pavarësisht nga angazhimet, ne e nisim dhe e mbyllim gjithmonë ditën bashkë dhe të lumtur, - ndan për ne zonja Yoruk. Ajo vjen në këtë rrëfim ekskluziv për revistën Living, duke na njohur më hollësisht me jetën e tyre të re në Shqipëri, por edhe me atë të një familjeje diplomate ndër vite.

Zonja Yoruk, cila ishte përshtypja juaj e parë për Shqipërinë? Çfarë ju pëlqeu dhe çfarë jo, kur erdhët në vendin tonë?
Sigurisht që më pëlqeu dhe fjalët e mia për vendin tuaj nuk mund të jenë veçse të bukura. Më pëlqen në veçanti natyra dhe gjelbërimi, absolutisht vëllezërit tanë shqiptarë, e them këtë pa asnjë ngurrim. Nuk ka asgjë që nuk më pëlqen në Shqipëri, sepse ky vend është si shtëpia jonë e dytë.

Thuhet se Shqipëria dhe Turqia kanë shumë pika të përbashkëta. Cila është qasja juaj ndaj kësaj teorie? A është e vërtetë kjo apo ka mbetur një mit për shkak të marrëdhënieve të hershme mes dy vendeve?
Nuk është mit, është absolutisht e vërtetë. Turqit dhe Shqiptarët kanë jetuar bashkë ndër shekuj, madje vazhdojnë ta bëjnë këtë. Jetojmë bashkë në Shqipëri dhe në Turqi. Lidhjet farefisnore dhe familjare mes nesh janë shumë të zhvilluara dhe të forta. Mund të jepja shumë shembuj për këtë, por është fat që mund ta jap këtë shembull nga familja jonë. Kushërinjtë e bashkëshortit tim janë shqiptarë. Por në Turqi banojnë miliona shtetas turq me origjinë shqiptare. Të parët e tyre janë shpërngulur në Turqi para shumë vitesh dhe sot kanë përparuar shumë. Mund të përmend këtu që familjarët e shumë personaliteteve apo artistëve turq, janë me origjinë shqiptare. Natyrisht, kjo ka bërë që traditat tona dhe ne të shkrihemi me njëri-tjetrin: kemi shumë ushqime të përbashkëta, po ashtu edhe rreth 5000-6000 fjalë të përbashkëta. Serialet turke pëlqehen shumë në Shqipëri. Shumë miq na thonë se duke ndjekur serialet turke, shpesh gjejnë pjesë nga vetja e tyre te personazhet apo ngjarjet.

Si është jeta e një bashkëshorteje diplomati? Si ndiheni që jeni gjithmonë në lëvizje? A ka ndikuar kjo në jetën e fëmijëve tuaj?
Mund të them pa frikë se është një jetë e larmishme. Më ka dhënë mundësinë të njihem nga afër me shumë vende e kultura, të krijoj edhe miqësi të ndryshme. Megjithatë, duhet ta pranoj që e gjitha kjo ka avantazhet dhe disavantazhet e saj. Sa për fëmijët, më parë nuk ka qenë problem, porse tani ata janë rritur dhe banojnë në Turqi. Vizitojmë shpesh njëri-tjetrin.

wgweg

A keni përjetuar ndonjëherë ndonjë situatë të vështirë ose të pazakontë që dëshironi ta ndani me lexuesit tanë? Si janë paskuintat e një zonje ambasadori?
Nuk më ka ndodhur të kem mbetur në situata të vështira. Meqenëse bashkëshorti im preferon të jetojë në bazë të një plani të vazhdueshëm, kemi pasur ngaherë një plan B përballë çdo vështirësie. Pas kamerës, bashkëshortja e një ambasadori tregon mirëkuptim dhe jep mbështetje. Intensiteti i punës së bashkëshortit më orienton gjithmonë në këtë mënyrë jetese. Ai e do shumë punën e tij. Në gjithë këtë intensitet, në atë kohë të kufizuar që ndajmë me njëri-tjetrin, ia dimë mirë vlerën asaj dhe ia kalojmë më së miri. Para së gjithash, duke biseduar me të, përpiqem ta mbështes edhe unë me projektet sociale, të cilave u jap formë. Me anë të tyre, përpiqem të kontribuoj edhe për promovimin e Turqisë.

Për të ndjekur karrierën e bashkëshortit tuaj, a ju është dashur të hiqni dorë nga ndonjë ëndërr juaja?
Nuk kam qenë aspak e detyruar ta bëja këtë. Unë i rishikoj ëndrrat e mia sipas vendit ku është me detyrë bashkëshorti im dhe i përshtat ato me kushtet e atij vendi. Në këtë mënyrë, marr më shumë kënaqësi nga jeta.

Si e kaloni kohën e lirë kur jeni me shërbim diplomatik në vende të ndryshme?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje ndryshon në varësi të personave. Personalisht, në çdo vend ku shkon bashkëshorti im, më pëlqen të punoj me gratë dhe fëmijët e atij vendi. Edhe kohën time të lirë e vlerësoj në mënyrë të dobishme për ta.

gwweg

Meqenëse jemi në këtë pikë, kam dëgjuar se në Turqi jeni aktivizuar me projekte të ndryshme për integrimin e fëmijëve në arsim dhe në shoqëri. Sa ka ndikuar kjo përvojë në planin personal dhe a keni plane të tilla të ngjashme edhe në Shqipëri?
Në Turqi kam punuar për fëmijët që janë nën mbrojtjen e shtetit tonë. Atje krijova një shoqatë dhe hartova disa projekte. Në qytetin e Edirnesë, në perëndim të Turqisë, kishim 150 fëmijë nën mbrojtjen e shtetit. Shteti turk është një baba i jashtëzakonshëm për ta, ndërsa ne ishim pranë tyre me ndjenjat tona të amësisë. Kam hartuar shumë projekte edhe për shoqërizimin e mëtejshëm të atyre fëmijëve, për përshtatjen e tyre në shoqëri, pa u përjashtuar nga jeta sociale. Pasi kam parë ndikimin pozitiv që patën projektet tona tek ata, e kam kuptuar edhe më shumë vlerën e tyre. Ndihem e lumtur kur jam pranë njerëzve që kanë nevojë për ndihmë, kur i mbështes ata shpirtërisht dhe mund t'u gjallëroj jetën.. Në fakt, kjo është diçka që ua këshilloj të gjithëve. Kam bindjen se çdo të mirë që bëjmë, do të na rikthehet duke lumturuar jetën tonë.
Për projekte të tilla kam filluar të punoj edhe në Shqipëri. Puna e parë që kam bërë këtu, ishte një vizitë në shtëpinë e të moshuarve në Tiranë. Me një veprimtari që do ta zhvillojmë nga fundi i qershorit, do të organizojmë dasmën e një çifti të moshuarish që janë njohur në atë azil dhe sapo janë celebruar. Më pas, kam menduar të vizitoj fëmijët e shtruar në pavijonin e onkologjisë në Spitalin e Pediatrisë në Tiranë, për të mësuar për nevojat e tyre e për t'u përpjekur që të plotësojmë ato që kemi mundësi dhe ta gjallërojmë jetën e tyre duke zhvilluar veprimtari të ndryshme.
Të gjitha këto, janë projekte të miat për fëmijët tanë, për ata që do të jenë e ardhmja jonë. Kam edhe një projekt, të cilin dua ta vë në jetë për gratë që banojnë në zonat rurale. Mendoj të hap një treg në qytet ku të shiten prodhimet e atyre zonjave. Falë këtij tregu, ato do të kenë një mundësi punësimi dhe sigurim të të ardhurave. Ndërkaq, banorët e qytetit do të kenë përfitimin e tyre, duke siguruar prodhime natyrore organike nga ato zonja.
Gjithashtu, bashkë me miqtë dhe mikeshat që kam njohur në Edirne, kam filluar punën për të hapur disa kurse profesionale për gratë shqiptare. Për shembull, do të mësojnë të realizojnë spila si kjo që kam sjellë sot për ju, por edhe shumë të tjera. Këtë projekt do ta vëmë në jetë brenda një kohe sa më të shkurtër.

Tani do të doja të kalonim pak në pjesën Living të bisedës sonë. Cili është për ju sekreti i një jete të shëndetshme?
Sipas meje, një jetë e rregullt. Kjo është filozofia ime. Unë bie në shtrat herët dhe ngrihem po herët. Gjithashtu, shmangia nga ekstremizmi është një mënyrë e mirë për të bërë jetë të shëndetshme.

A lexoni libra? Cilët janë shkrimtarët tuaj të preferuar?
Lexoj sapo më jepet mundësia. Shkrimtarët e mi të preferuar turq, janë Reshat Nuri Gyntekin dhe Ajshe Kulin, ndërsa mes shkrimtarëve të huaj, do të përmendja Agatha Christie, Dan Brown dhe Viktor Hygo.

Nëse do të dëshironit të jepnit një mesazh për botën, cili do të ishte ai?
Dëshira ime më e madhe është që të marrin fund luftërat dhe konfliktet, të mos humbasin më as jetë fëmijësh e as të rriturish, pa dallim feje, gjuhe dhe race. Le ta përqafojmë të gjithë me dashuri njëri-tjetrin.