Çaj në rezidencën britanike

+

living.8

Çaj në rezidencën britanike


Alice Canon e njoha në qershor të vitit 2012, në hotel Rogner, në një mëngjes të ngrohtë, ku shumë prindër e fëmijë ishin mbledhur për të kaluar një të shtunë mes tyre. Nuk u prezantua aspak si e shoqja e ambasadorit britanik të ardhur rishtas në vendin tonë, por me një buzëqeshje “ngjitëse” më drejtoi dorën duke thënë: “Unë jam Alice (Ellis), ju kush jeni? Çfarë do të thotë emri juaj, çfarë kuptimi ka në shqip?”. Më bëri përshtypje menjëherë kjo zonjë, me tipare orientale dhe theks britanik, me linja trupi perfekte dhe me një fytyrë... atë që unë e quaj të “pamoshë”. Alice është një lloj magneti që mbledh rreth saj këdo, me mënyrën e të treguarit të gjërave, ngjarjeve dhe çdo gjëje që bën. Kur një ditë i thashë se doja të shkruaja për të, për të bërë të njohur jetën e saj në Shqipëri si gruaja e ambasadori britanik, por në të njëjtën kohë dhe si “njëra prej nesh e mes nesh”, pranoi menjëherë.


Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar
Nuk ndodh shpesh të hysh në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, një nga ambasadat më të rëndësishme në botë. Alice dëshiroi të na mirëpresë në shtëpinë e britanikëve, për të më treguar një pjesë të vendit të saj. Nuk është hera e parë që hyj në këtë ambasadë, por menjëherë vë re një shpërthim lulesh e veçanërisht trëndafilash: Është “The English Rose”, më thotë Alice, “simboli i Anglisë”. E dija mirë se “Trënda- fili Anglez” ishte i rrallë, që nga koha e Tudorëve dhe simbol, sidomos gjatë muajit nëntor, që për ta është “Muaji i Kujtesës”, për të rënët dhe ata që dhanë jetën për Mbretërinë e Bashkuar dhe jo vetëm. Kopshti është gjithandej i lulëzuar, pothuajse një park botanik me kundërmim të ndjeshëm, falë dhe lagështisë dhe shiut që sapo ka nisur. Alice më fton në sallën e ndenjes, e veshur me një fustan të kuq dhe një jelek me mëngë të zeza. Nderim për një shqiptare që po e viziton. Në dhomën e pritjes bie në sy një kombinim stilesh britaniko-ori- entale. Alice ka lindur dhe është rritur në Hong Kong dhe është e vështirë të mos e ndjesh praninë e vendit të saj në rezidencë. “Për vite të tëra ambasada nuk kishte pasur një grua”, sepse të gjithë ambasadorët paraardhës kishin jetuar në Rezidencë pa bashkëshortet/tët kështu që, si të thuash, kësaj shtëpie i kishte munguar dora e një gruaje”, thotë ajo. E vërtetë, duke filluar nga kopshti e deri në detajet më të vogla të stolisjes së ambienteve duket “dora gjithë shije e gruas”. Aspak detaje më shumë, thjesht stil minimal siç janë hera-herës orientalet dhe gjithë klas e fisnikëri britanike. Silvana, punonjësja e rezidencës, me ofron çajin tipik anglez me qumësht dhe biskota. Ndërsa flasim dhe pimë çaj, gjej kohën të pyes Alice sa i është përshtatur kulturës britanike dhe nëse ndihet më shumë angleze apo kineze. Më thotë: “Të lindje në kohën time në Hong Kong si kineze ishte vërtet një privilegj. Për shumë arsye të tjera, por si kineze, mbi të gjitha për lirinë e fjalës. Hong Kong për gati 99 vite ka qenë nën administrimin e Mbretërisë së Madhe dhe kjo na ka bërë që fizikisht të jemi orientalë por me edukim britanik. Nga vendi im ruaj kujtimet e aromave, ushqimit dhe natyrës unike”.


Alice, familja dhe Shqipëria
Është nëna e dy djemve, Robert dhe Eduard, përkatësisht 21dhe 20 vjeç, të cilët studiojnë dhe jetojnë në Angli. Si nëna e një vogëlushi 7 vjeçar, e pyes me ndrojtje si ndihet dhe se si ia ka dalë momentit kur i është dashur të largohet nga djemtë e saj. “Nuk ka qenë fare e thjeshtë”, - më thotë – “por si prindër mundohemi t’iu sigurojmë më të mirën që mundemi. Kjo është jeta jonë, të jetuarit gjithnjë jashtë vendit tonë. Por gjithsesi, ata na vizitojnë shpesh, kanë ardhur dhe në Shqipëri dhe iu ka pëlqyer shumë. Udhëtojmë gjithandej me tim shoq dhe nuk kemi lënë vend pa shkuar”. Edhe Alice, ashtu si bashkatdhetarët e saj paraardhës, Lord Bayron, Edith Durham e shumë britanikë të tjerë, e ka ëndje udhëtimin dhe zbulimin e qyteteve të vendit tonë. Sa herë vijnë njerëzit tanë, mezi presim të njohin Shqipërinë. Më pëlqen kultura shqiptare, mikpritja e pashoqe, kuzhina e saj, e mbi të gjitha freskia e produkteve të mirëfillta shqiptare.
Në Hong Kong pëlqejmë shumë prodhimet e detit, që këtu në Shqipëri janë jashtëzakonisht të mira dhe të freskëta.


Alice në Botën e Aromave
Po të njohësh Alice nga afër do të shikosh pasionin e saj për kuzhinën. Për shumëkënd do të ishte e vështirë ta imagjinonte atë mes tenxhereve, tiganëve dhe Wok-ve, tek gatuan gjellët e saj orientale gjithë përbërës që i sjellin çdo ditë në tryezë aromat e vendit të saj. Ajo gatuan çdo gjë vetë, edhe kur ka familjen e saj, edhe kur ka të ftuar grupin e mikeshave apo kur ka të ftuar për darkë apo festa zyrtare në rezidencë, për rastet që Ambasadori organizon. “Herën e fundit, me rastin e Ditëlindjes së Mbretëreshës kishim rreth 600 të ftuar. I gjithë ushqimi u përgatit këtu, në këtë kuzhinë. Sigurisht, kur kemi shumë të ftuar kam ndihmën e përhershme të Silvanës e të dyja së bashku bëjmë mrekullira”, buzëqesh Alice. Tek e shikon të flasë për kuzhinën e gatimin, asaj i shndrisin sytë dhe menjëherë na fton në kuzhinë, ku fillon të gatuajë një pjatë tradicionale të vendit të saj. Gatimi është vërtet pasioni i saj, por si infermiere, tërë jetën e saj ia ka dedikuar punës me të sapolindurit dhe fëmijët e vegjël. Sapo er- dhi në Shqipëri, së bashku me gra të tjera ndërkombëtare kontribuon në përmirësimin e jetës së fëmijëve. Ajo mbledh fonde për OSAAB, një organizatë shqiptare që ndihmon foshnjat e braktisura. Çdo dhjetor, gratë ndërkombëtare organizojnë “Tregun e Krishtlindjeve” (Christmas Bazar) pranë Hotel Sheraton, ku paratë e mbledhura nga shitja e punëve të dorës, ushqimeve të përgatitura, shkojnë në të mirë të kësaj organizate. Është vërtet e vështirë për mua të marr me mend sesi kjo grua ia del të jetë gjithnjë rreth dhe pranë njerëzve, miqve, të jetë nënë dhe në të njëjtën kohë, të përmbushë detyrimet e saj si grua ambasadori. Por ajo nuk është veçse “Alice në Botën Reale”.


Feta Bifteku në salcë fasulesh të zeza
Përbërësit për 4-5 persona

٭ 400gr fileto vici ( prerë në feta të holla të vogla)
٭ 2 speca të gjatë, një i kuq, një i gjelbër
٭ 1 qepë e vogël
٭ 2 thelpinj hudhër
٭ pak xhenxhefil i freskët, prerë në feta
٭ 1 lugë gjelle salcë fasulesh të zeza
٭ 4 lugë gjelle vaj vegjetal për skuqje
٭ 200ml lëng pule ose ujë
٭ Për marinimin:
٭ ½ lugë çaji sheqer
٭ 2 luge çaji salce soje
٭ 2 lugë çaji verë orizi kinez ose shery
٭ 1 ½ luge çaji miell misri (i bardhë)
٭ piper i bardhë
Përgatitja:
1.    Shtoni përbërësit e marinimit mbi fetat e biftekut të vicit.
2.    Përgatisni zarzavatet në feta të vogla ndërsa mishi është duke u marinuar. Largoni farat nga specat. Pastroni qepën dhe ndajeni në copa të vogla, kubikë
3.    Pritni në copa të vogla xhenxhefilin dhe hudhrat
4.    Nxehni tiganin e tipit Wok dhe shtoni 2 lugë gjellë vaj vegjetal dhe sapo të ngrohet, shtoni filetot e vicit. Trazoheni hera-herës dhe sapo të ketë filluar të marrë ngjyrë të artë dhe të jetë gati 80% i gatuar, largoheni nga Wok-u
5.    Shtoni në Wok 2 lugët e gjellës së vajit vegjetal të mbetur. Sapo të ngrohet vaji, shtoni xhenxhefilin, hudhrën dhe salcën e fasuleve të zeza. Skuqeni derisa të përftojë aromë dhe më pas shtoni qepët dhe skuqini për 3 minuta të tjera. Më pas shtoni specat. Skuqini dhe ato për 2 minuta të tjera.
6.    Shtoni lëngun e pulës të nxehtë më parë. Gatuani së bashku me zarza- vatet derisa pothuajse të ketë avulluar plotësisht. Bashkoheni me fileton dhe shërbejeni në pjata.