Dielli lind nga Lindja

+


Living bujti në rezidencën e Ambasadës Turke

 

U takuam me zonjën e ambasadorit, Füsun Bayraktar, me të cilën folëm gjatë për marrëdhënien e saj dhe të popullit turk me Shqipërinë e shqiptarët. Ishte si një rrugëtim në kulturën e një populli ballkanas, kaq të ngjashëm me ne. Një vend me të cilin kemi shkëmbyer shumë, duke filluar që nga fjalët, recetat e kuzhinës e deri tek intelektualët...

 

Është një e diel e bukur qershori dhe jam e ftuar për drekë në shtëpinë e Füsun Bayraktar, bashkëshortes së ambasadorit turk në Tiranë. Me të u njoha tetë muaj më parë, kur sapo kishte mbërritur në Shqipëri dhe të them të drejtën, që në çastin e parë, m’u duk sikur isha me një shqiptare e jo me një të huaj. Füsun ishte e qeshur, e përzemërt dhe me gjeste të ngjashme me ne shqiptarët. Nuk kish drojë të të përqafonte dhe puthte në faqe, krejtësisht e shpenguar nga ideja “të pres sesi do të sillet tjetra”. Me një buzëqeshje që të bën për vete, më fton në shtëpinë e saj e më prezanton menjëherë me Ninën (shqiptare), “krahun e saj të djathtë”. Mundohem të shpreh dhe të përdor si duhet ato pak fjalë turqisht që di. Füsun mrekullohet dhe ma kthen përshëndetjen në shqip dhe kështu, të dyja, së bashku me Ninën, që flet turqisht rrjedhshëm, thyejmë akullin, derisa hyjmë në sallën e pritjes së rezidencës. “O Zot, ç’ndjesi!”, i them vetes. “Shkojmë nga shkojmë nëpër botë, me turqit na hahet muhabeti”.
 
Kemi pasur fatin të udhëtojmë shumë dhe të kuptojmë botën, kulturat e ndryshme. Në çdo vend, kemi njohur njerëz të mrekullueshëm, të cilët i lidh diçka e përbashkët: dashuria për jetën”, më thotë ajo teksa më ofron një llokume tradicionale, siç vetëm turqit dinë t’i bëjnë.
 
Konaku i Turqve Kur hyj në sallën e pritjes së Rezidencës së Ambasadës Turke, më duket sikur jam vërtet në Turqi. Më “jep mirëseardhjen” Ataturku, krah flamurit kombëtar, “buzëqeshin” piktorët e njohur, duke më falur një udhëtim nëpër veprat e tyre, “më ftojnë” të ulem mbi damaskët e rafinuar e sofatë e buta. Duke parë hutimin tim thuajse fëmijëror, Füsun më lë të qetë për disa momente. I them që më pëlqen shumë, që ky ansambël ambientesh që ka krijuar, duke sjellë një pjesë të vendit të saj këtu, është mikpritës. “Normale”, ma kthen ajo, “kjo është oda e turqve, shtëpia e të gjithë atyre që u mungon Turqia. Kemi risjellë dhe rinovuar gjithçka. Por duke ruajtur kanapetë e vjetra, të cilat i kanë ripunuar dhe tapetuar në çdo detaj mjeshtrit shqiptarë. Për shembull, këto ku jeni ulur tani duken të reja, por janë antike”. Kur Füsun më ofron çajin turk aroma e të cilit përhapet gjithandej, më duket vetja si në një saraj veziri.
 
Bashkëshortja e një diplomati Füsun është diplomuar për ekonomi, ka punuar si bankiere në një nga institucionet më të njohura në vend dhe është nëna e një djali që studion në Ankara. Megjithëkëtë, i dha lamtumirën punës për t’iu bashkuar bashkëshortit të saj diplomat dhe për të nisur kështu rrugëtimin e njohjes së botës dhe historive njerëzore. Kur dëgjoj Füsun të tregojë për vendet në të cilat ka jetuar së bashku me të shoqin, z.Hydayet Bayraktar, më bën përshtypje fakti sesi ajo flet për të gjithë vendet dhe popujt që ka njohur. Ata kanë jetuar në vende si Arabia Saudite, Izraeli, Brazili, Sllovenia, Maqedonia e tani edhe në Shqipëri. “Kemi pasur fatin të udhëtojmë shumë dhe të kuptojmë botën, kulturat e ndryshme. Në çdo vend, kemi njohur njerëz të mrekullueshëm, të cilët i lidh diçka e përbashkët: dashuria për jetën”, më thotë ajo teksa më ofron një llokume tradicionale, siç vetëm turqit dinë t’i bëjnë. Ndoshta Füsun nuk e ka pasur të lehtë të braktisë profesionin dhe vendin e saj, por ama, as e ka pasur të vështirë të udhëtojë dhe të njohë botën mbarë, historinë dhe artin e këtyre vendeve, që i ka shumë për zemër.
 
Füsun dhe shqiptarët “Dhurata, nuk e merr me mend sa u gëzuam, kur gati 10 muaj më parë, tim shoqi i dhanë lajmin se do të merrte detyrën e re në Shqipëri. Po vinim në një vend të ri, por me njerëz që i njihnim. Turqit nuk i shohin shqiptarët si të huaj, ne jemi rritur me ta, ata janë pjesë e jona dhe ne e tyre. Vjehrra e tezes sime është shqiptare, kemi bërë dhe bëjmë krushqi me njëri-tjetrin. Për të mos përmendur njerëzit e shquar, të cilët ju i keni dhënë kombit turk”. Në këtë pikë, Füsun nis e flet për emra si Mehmet Akif Ersoy, autori i tekstit të himnit turk; Sami Frashëri, hartuesi i enciklopedisë së parë turke, apo Ali Sami Yen (Frashëri), biri i tij, themeluesi i skuadrës, e më vonë edhe i stadiumit emblemë të turqve, “Gallatasaray”-t. Të them të drejtën, edhe pse më pëlqen shumë futbolli dhe turqit i kam ndjekur në sport, këtë të fundit nuk e dija. Kam përshtypjen që ka edhe shumë shqiptarë që nuk e dinë. Shpresoj që të paktën ta dinë përmetarët, sepse Ali Sami Yen (Frashëri) i kaloi ditët e fundit të jetës në Frashër, vendlindjen e të atit.


E kështu vazhdojnë rrëfimet për ato vende ku Füsun ka qenë në këta pak muaj qëndrimi në Shqipëri. Thotë se ka vizituar fillimisht qytetet historike e vendet arkeologjike, duke filluar nga Berati, Apolonia, Ardenica, Shkodra, Saranda, Kruja, etj. Ka dëshirë të udhëtojë dhe shohë gjithë Shqipërinë dhe sidomos Gjirokastrën, për të cilën ka dëgjuar aq shumë të flitet. “Shpresoj të shkoj këtë shtator”, më thotë me sytë që i shndrisin nga padurimi.
Sofr a turk e Kur bëhet fjalë për gatimin, zemra ime shkrin menjëherë, ashtu sikurse një copë gjalpë baxhoje i porsarrahur në dybek, shkrin në një tigan të përvëluar mbi prush. Nina, së bashku me Füsun, më ftojnë në tryezën ku pjatat e praruara me simbolin e flamurit turk, janë vendosur mbi një sofrabeze të punuar me dorë e ku pjatancat e shumta me byrekë, qofte, ëmbëlsira, ofrojnë pasurinë e kësaj kuzhine të lashtë dhe të pasur. Në çast, më vjen t’i provoj të gjitha, por mendimi që jam në shtëpinë e ambasadorit turk më zbret me këmbë në tokë, pas dehjes prej gjithë atyre mrekullive që kam përpara syve. Füsun e di pasionin tim për kuzhinën dhe më tregon gjithçka mbi pjatat e gatuara dhe emrat e tyre, gjysmat e të cilave i kuptoj, pasi janë emërtime shqiptare. Ulem dhe gatimi i parë që provoj është një byrek i quajtur “tallash byrek” pasi mishi me të cilin është bërë, ngjason me tallashin. “Të shkrin në gojë”, si i thonë një fjale. E pyes nëse mund t’i kem të gjitha recetat dhe Nina më thotë se do të m’i dërgojë. Një tavolinë e mrekullueshme, e mbushur me takëme që të kujtojnë pak ato të gjyshes e pak ato të filmave. Pas pak na bashkohet dhe i shoqi i Füsun, ambasadori turk, z.Hydayet Bayraktar, një burrë me një elegancë të jashtëzakonshme, por edhe me një dashamirësi dhe afrimitet të pashoq. I veshur sportiv, si për fundjavë, bisedon me mua sikur të më ketë njohur prej vitesh. Të dy, burrë e grua, më tregojnë për shqiptarët që kanë njohur dhe sa me fat ndihen që janë në Shqipëri. “Para disa kohësh, patëm fatin të njohim regjisorin e mirënjohur Dhimitër Anagnosti dhe bashkëshorten e tij, Rozën”. E ndiej që takimi me këta artistë të mëdhenj i ka mrekulluar bashkëshortët Bayraktar. E kështu, me Füsun dhe Ninën, flasim për gjërat e përbashkëta të kombeve dhe popujve tanë, rrëfejmë tregimet, historitë, shprehjet e zakonet 500-vjeçare që na i kanë treguar gjyshet apo i kemi lexuar nëpër libra. Biseda shkoi buzagaz e plot të qeshura të diellta, ashtu si ajo e diel, ashtu si vetë sytë dhe shprehja e Füsun. Sepse, dielli vërtet lind nga Lindja!