ITALIANS DO IT Better - Një vizitë me zonjën dhe zotin Gaiani

+

italy
Nuk është e thjeshtë të takohesh me Ambasadorin e Republikës Italiane, zotin Gaiani. Jo sepse “si da delle arie”, që siç thonë italianët “mbahet me të madh”, por për vetë impenjimet e tij të shumta, e mbi të gjitha të zonjës së tij, Carolina, të cilën doja kaq shumë ta takoja.

Një mëngjes vjeshte, paksa të mbuluar nga re të buta, u nisa të takoja çiftin Gaiani. Mrekullohem sa herë hyj në ndërtesën madhështore të rezidencës së ambasadorit italian. Aty më pret Ernesti, i ngarkuari me punë për shtypin dhe publikun në Ambasadën Italiane, një djalë nga ata të quajturit “fjalëpakë e punëshumë”, i cili tymos jashtë cigaren, gati deri në fund. Më fton në sallon dhe më thotë të rehatohem. Nuk arrij të mendohem gjatë, pasi menjëherë hyn e zonja e shtëpisë, znj.Gaiani, e cila më mirëpret me gjallëri, duke më hequr tërësisht sikletin që më kishte kapluar. Pa hyrë shumë në hollësira, më bie në sy eleganca e znj.Gaiani, e kuruar deri në detajin më të vogël. “Tipike italiane”, thashë me vete. Nuk e kasha takuar asnjëherë zonjën Gaiani, sepse ajo jeton mes Romës dhe Tiranës, pasi punon si mjeke. “Por mbi të gjitha”, më thotë, “kam dy djemtë e mi, Niccoló dhe Francesco, të cilët vazhdojnë universitetin dhe unë jam e mbetem nënë italiane. Nuk mund të rri gjatë larg tyre!”. E shoh që sapo përmend të bijtë, sytë thuajse i mbushen me lotët, që mundohet t’i mbajë (e pabesueshme, sa të forta janë gratë, po aq menjëherë dhe natyrshëm “shkrihen” kur bëhet fjalë për fëmijët). “Janë krenaria jonë”, vazhdon të më thotë. “Edhe pse kur jam në Romë, mendjen e kam këtu e kur jam në Tiranë, mendjen e kam në Romë. Jetoj gjithmonë ndërmjet dy botëve”. Edhe pse jeta e saj diplomatike me të shoqin e ka bërë të jetojë në Montreal, Bruksel e Washington DC, Carolina ndihet shumë më mirë në Shqipëri. Asaj i duket sikur këtë vend e ka njohur gjithmonë, i ngjason me zonën e Jugut të Italisë, me një bukuri dhe origjinalitet thuajse tornatorian. “Më bën përshtypje mosha e re dhe nxitja që kanë të rinjtë tuaj. I shoh shpesh kur marr pjesë në trajnimet që bëjmë me mjekë dhe studentë të Universitetit Zonja e Këshillit të Mirë. Janë të jashtëzakonshëm! Në një nga vizitat e mia në jug të Shqipërisë, së bashku me djemtë dhe Masimon (ambasador Gaiani), ndaluam në një nga fshatrat e Përmetit. Makinat i ngisnim vetë. Kanë qenë momente të mrekullueshme, ku përballja me natyrën e pashoqe ishte befasuese, e mbi të gjitha ushqimi origjinal dhe natyral i zonës. Kemi ngrënë byrekë në saç, të ulur në bar dhe rrethuar vetëm nga natyra e rrallë. Djemtë e mi e adhurojnë Shqipërinë. Mezi presin të vijnë sapo u jepet rasti”. Më habit fakti që djem në moshë e mbi të gjitha, djem diplomatësh, që në mendësinë e njerëzve shpesh cilësohen si “figli di papa”, të duan të eksplorojnë vende si i yni. Por jo vetëm kaq, Niccoló dhe Francesco, sa here që vijnë mundohen të sjellin dhe shokët e tyre dhe ta njohin më shumë Shqipërinë, këtë vend të cilit italianët i njohin njerëzit, por jo atdheun. Dhe kënaqen e çuditen sesa lirshëm, pa frikë dhe mbi të gjitha sa hareshëm kalohen fundjavat mes djemve dhe vajzave të Bllokut. Ambasador Gaiani ka hyrë pa bërë zë, dhe menjëherë më jep një përqafim babaxhan. Është ndër të paktët italianë që ma shqipton emrin saktë, duke theksuar mirë shkronjën e përbërë që nis emrin tim. Ambasadorin e kisha njohur personalisht në disa raste edhe më parë. Figura e tij, thuajse fisnike dhe e ftohtë në dukje, aspak e lidhur me idenë kolektive që kemi ne për italianët, nuk përkon shumë me personin që në të vërtetë është Massimo Gaiani. Me një elegancë të jashtëzakonshme, të bën të ndihesh i pranishëm dhe I rëndësishëm sa herë takohesh me të. Nuk ka rëndësi nga je dhe nga vjen, për z.Gaiani përpara se të jesh ministër apo student, shef restoranti apo artist bashkëkohor, mbi të gjitha je njeri.

italy2
ITALIAN Style
Besoj se kushdo që ka pasur nderin të vizitojë rezidencën e Ambasadorit italian, është entuziazmuar nga stili i mobilimit të ambienteve të saj. Padyshim, një vend dhe rëndësi të veçantë zë vetë ndërtesa e rezidencës së ambasadorit, të cilën e unë e sjell ndër mend që në kujtimet e mia të vegjëlisë. Në vitet `80, ajo ndërtesë njihej si ish-muzeu “Lenin-Stalin” dhe ne fëmijëve na çonin shpesh me shkollën, por tashmë është kthyer në një nga rezidencat më të bukura që kam parë ndonjëherë. Çdo gjë e konceptuar dhe stiluar nga arkitektë interierë, italianë. Të mbizotëruar nga stili neoklasik, ambientet ofrojnë një bardhësi që gradualisht dhe miqësisht takon të zezën nëpërmjet grisë kobalt, pa e lodhur ambientin e destinuar të presë qindra miq, me të cilët Gaian-ët ndajnë festa, gëzime, promovime të kulturës së dy popujve. “Kisha shumë dëshirë t’i jepja një fytyrë italiane këtij vendi”, më thotë z.Gaiani. “Një fytyrë të re, ku klasi italian i djeshëm takohet me atë të së nesërmes. Ky është vendi ku ne jetojmë, por është konceptuar si shtëpia e gjithë italianëve, por dhe e shqiptarëve. Ndaj kudo, muret e shtëpisë sonë,(kështu e quan ambasadori rezidencën) janë veshur nga Artan Shabani. Kushdo që vështron pikturat e Shabanit, e ka të pamundur të mos kuptojë shqiptarizmin aty brenda”. Ambasador Gaiani, së bashku me zonjën, ndihen sa të privilegjuar aq dhe të detyruar të promovojnë Shqipërinë me sa munden. “Sepse fati i popujve tanë është lidhur kryekëput që nga lashtësia”, thotë z.Gaiani.

italy1
Roma nuk u ndërtua në stinë
Nuk gjej dot një periudhë të historisë së Italisë, duke nisur që nga Perandoria Romake, që të mos ketë pasur praninë e ilirëve, arbërve dhe shqiptarëve, deri në ditët e sotme. Ambasador Gaiani ndihet krenar për Shqipërinë e sotme, për atë çka ajo po tërheq vëmendjen si një shembull i bashkëjetesës fetare. “Dhe këtë, shqiptarët nuk na e tregojnë vetëm sot”, thotë ai. “Shekujt e bashkëjetesës së tyre na i kanë mësuar që në Mesjetë, kur ne vërtet i strehuam dhe mirëpritëm, porse, arbëreshët ditën me dinjitet të ruajnë zakonet, kulturën dhe fenë e tyre, në kontekstin e kulturës sonë. Realitete si Piana degli Albanesi “Hora e Arbëreshëve”, në afërsi të Palermos, apo fshatrat e Kalabrisë, janë dëshmi e gjallë e një jetese dhe trashëgimie kulturore gati mijëvjeçare. Ndaj ne këtu nuk jemi vetëm për të përçuar kulturën tonë italiane, por dhe për të promovuar atë shqiptare në Itali dhe jo vetëm”, thotë krenar Gaiani. Rasti më i afërt është panairi “Milano 2015”, i cili nis rrugëtimin e tij gjashtëmujor në maj të vitit që vjen dhe ku Shqipëria do të mund të tregojë potencialin e një vendi vërtet të vogël, por me veçanti që mahnitin. Janë pikërisht bashkimi dhe jetesa ndër mijëvjeçarë i kulturave që janë përballur në këtë tokë, që kanë formuar shqiptarët e sotëm, mendon Gaiani. Shqipëria, për zotin dhe zonjën Gaiani, është vendi i së ardhmes, një vend i ri, jo për sa i përket historisë, por pasurisë njerëzore, intelektuale dhe mendësisë që brezi i ri ka. “Janë pikërisht këto veçanti dhe ky potencial që e bëjnë Shqipërinë e të sotmes të jetë lider I promovimit të bashkëjetesës së të ardhmes” më thotë krenar ambasador Gaiani, tek më ofron ca byrekë të vegjël, me elegancë italiane dhe me traditë shqiptare.

italy3
Është hera e parë në kaq vite që nuk flas me italianët për ushqimin dhe gatimin dhe ndihem vërtet e “ngopur”, shpirtërisht!

 

Nga: Dhurata Thanasi Daneri