Eni Shehu: Arbana shtrigë, të nxinte jetën!
Eni Shehu, i ftuar në emisionin “Natën me Aulonën”, ka folur për marrëdhënien e tij me Arbana Osmanin, duke thë...
Kur e takon për herë të parë Isabelle Tauch, bashkëshorten e zotit Holger Tausch, Drejtorit të Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri, gjëja e parë që të bie në sy janë trupi i hajthëm dhe lehtësia në komunikim.
E kam njohur Isabellen rreth tre vjet më parë dhe më është dukur një grua shumë energjike. Duke qenë se bashkëshorti i saj është zviceran, fillimisht mendoja se edhe ajo ishte zvicerane, por rastësisht, në një festë gatimesh, ku të gjithë të ftuarit u prezantuan me gatimin e vendit të vet, Isabelle vjen me një pjatë spanjolle dhe marokene. Pyetjes sime, veshur me habinë e tipit “Po ju, nuk ishit zvicerane?”, Isabelle iu përgjigj me buzëqeshje dhe qetësi, “Sigurisht, jam edhe zvicerane, sepse jam martuar me një zviceran. Por unë vetë jam gjysmë franceze dhe gjysmë spanjolle”. Kështu, kuptova gjithçka, që nga stili bohochic i paraqitjes së Isabelle e deri te larmia e karakterit të saj. “E dua shumë Shqipërinë, më duket një vend shumë i veçantë. Këtu njeriu nuk resht së zbuluari vende të mrekullueshme dhe njerëz plot pasione. Por përveç të tjerave, im bir është arsyeja kryesore përse ne duam të vazhdojmë të punojmë këtu. Ai e adhuron Tiranën, shokët dhe shoqet e tij, ndihet si në shtëpinë e tij këtu.”
Isabelle, a selfmade artist.
“Nuk kam studiuar asnjëherë për arte. Unë jam diplomuar në letërsi dhe filozofi”, shprehet Isabelle kur më sheh të mrekulluar nga çdo vepër që shijoj në shtëpinë e saj; që nga abazhurët e stilit Tiffany, të bërë me copa xhami të ricikluara, e deri te një pemë e dizajnuar dhe konceptuar nga vetë ajo, me shufra metalike të mbetura nga saldatori që bashkon pjesët e veprave të saj. Është e pabesueshme se si pjesë, që në pamje të parë mund të duken krejtësisht të panevojshme, mund të kthehen në vepra unike arti. E jo vetëm kaq, por Isabelle përdor edhe materiale të ricikluara. “Asgjë s’duhet të humbasë e mbi të gjitha të dëmtojë natyrën. Ne mund t’i shndërrojmë mbetjet në art e pse jo, t’i kthejmë edhe në kryevepra”, thotë ajo dhe nuk kalon shumë dhe shoh me sytë e mi se kjo është një e vërtetë e madhe për Isabelle-n. Kur hyn në laboratorin e saj të punës, në katin përdhes të shtëpisë, në një kënd të bien në sy një mori fustanesh të krijuara me pjesë të mbetura, duke filluar që nga mbështjellëset prej rrjete të luleve që i kanë ardhur dhuratë, e deri te copat e tastierave të kompjuterëve, që do t’ia kishte zili edhe Vivienne Westwood, për sa i përket idesë origjinale dhe pasi dhe kjo e fundit i është dedikuar kryekëput mbrojtjes dhe parandalimit të shkatërrimit të ambientit. Isabelle është vërtet unike në idetë dhe veprën e saj. Pjesëmarrëse e ngjarjes më të madhe kulturore të artistëve bashkëkohorë, Art Basel Miami, për të disatën herë, edhe këtë vit Isabelle u përfaqësua me modele të veshura me fustane të krijuara me pistoleta dhe plumba, në shputat e duarve të të cilave ishin shkruar fjalët: “Don’t Shoot” “Mos qëllo!”. Mesazhi që Isabelle jep me veshjet e saj është jo vetëm ai i paqes, por edhe i ruajtjes së gjësë më të shtrenjtë që njerëzit kanë, ambientit dhe tokës ku jetojnë.
Por si ka lindur kjo dëshirë e saj për të kthyer mbeturinat në art?
“Asokohe jetoja në Washington, por u desh të largohesha për të ndjekur tim shoq, i cili sapo kishte marrë një detyre të re. Brenda një kohe të caktuar duhej të paketoja gjithçka që kisha ndër vite, e sidomos veshjet e mia. Nuk m’u duk me vend t’i falja, pasi i kisha përdorur shumë, por nuk mundesha as t‘i hidhja. Nuk më shqetësonte fakti se i kisha blerë me para të gjitha ato, porse do të përfundonin në paketime mbeturinash. Aty “jetonte” një pjesë e jetës sime, kujtimeve të mia. Dhe atë moment vulosa fatin e atyre rrobave. Mendova të pikturoja me to”.
Isabelle ka përdorur një teknikë të jashtëzakonshme në punimet e saj, duke krijuar një lloj “patchwork” në pikturë. Pikturat e saj, që nga Merilyn Monroe, Barak Obama, Salvador Dali, Andy Warhol, janë objekte frymëzimi. Të paraqitura në një ekspozitë të suksesshme në Washington DC, të gjitha u shitën dhe fitimet shkuan për bamirësi. Është viti i dytë që ajo merr pjesë edhe në Tirana Eco Fashion Show, ku punimet dhe veshjet e saj janë ndër më të pëlqyerat, duke hapur kështu dritën jeshile për stilistët e rinj shqiptarë. Edhe këtë vit, ajo do të jetë pjesëmarrëse e kësaj ngjarjeje me ndikim në Eco Fashion show, e cila do të zhvillohet në muajin maj.
Isabelle mendon që vetëm ndërgjegjësimi i njerëzve dhe sjellja e tyre kundrejt tokës dhe ambientit që i rrethon, do të bëjë të mundur përmirësimin e tyre dhe të gjeneratave që do të vijnë. Dhe pse jo, për Isabelle, arti dhe dashuria për natyrën janë zgjidhja!
Një kuzhinë ku mbizotërojnë ngjyrat dhe kombet:
Kur hyn në kuzhinën e Isabelle-s, mrekullohesh nga ngjyrat ku mbizotërojnë e gjelbra dhe e purpurta. “Janë dy ngjyra që i adhuroj dhe që më qetësojnë”, thotë ajo. Sirtarët e saj janë të mbushur me erëza që udhëtojnë nga Afrika, Azia e deri në Amerikë Latine, etj. “I pëlqej dhe gatuaj të gjitha kuzhinat e vendeve ku kam jetuar, por parapëlqej atë marokene. Unë jam franceze dhe spanjolle dhe të dyja këto vende kanë një lidhje të ngushtë me Afrikën”. Por për lexuesit e Living, ajo ka ardhur me një gërshetim gatimesh të tre vendeve me të cilët ka lidhur fatin e jetës së saj. Mjaftojnë pak teknika dhe mund të gatuhen shumë mirë edhe nga shqiptarët. Janë të thjeshta dhe të shijshme:
Mish viçi Stroganoff
Përbërësit:
Për marinimin e mishit:
Përgatitja: Marinojmë fileton e mishit të prerë në formë shiriti, me kripën, piperin e zi dhe hudhrën dhe i lëmë për gati 12 orë. Më vonë i pastrojmë nga marinimi dhe i kalojmë në miell. Në një tigan të madh, ku kemi hedhur vajin e ullirit dhe gjalpin, u japim një të skuqur të lehtë nga të dyja anët (zjarr shumë i ngadaltë). E heqim fileton e mishit nga tigani. Shtojmë qepën e prerë dhe kërpudhat në yndyrën e mbetur në tigan. E lëmë qepën të skuqet pak derisa të zbutet. Shtojmë në tigan një lugë çaji miell. E fusim sërish fileton e mishit në tigan bashkë me qepën dhe kërpudhat. Shtojmë supën e kërpudhave dhe lëngun e mishit. E mbulojmë dhe e lëmë të ziejë në temperaturë të ulët për rreth 30 minuta. I shtojmë kripë e piper sipas dëshirës. Shtojmë panën në çastin e fundit, vetëm pak minuta para se ta shërbejmë.
Ratatouille / Ratatujë (franceze)
Përbërësit:
Sekreti është: gatimi i çdo përbërësi veçmas dhe më pas përzierja e tyre vetëm në momentin e fundit.
Përgatitja: E vëmë të ngrohet në një tigan të mesëm dhe shtojmë në të vajin e ullirit. Kur të jetë ngrohur, shtojmë qepën dhe hudhrën. Për 5 deri 7 minuta e skuqim qepën duke e përzier herë pas here derisa të zbutet e të marrë ngjyrë të kuqërremtë. Shtojmë patëllxhanin dhe trumzën dhe vazhdojmë gatimin për 5 minuta. Duke e përzier herë pas here, derisa patëllxhani të jetë i gatuar pjesërisht. Shtojmë specat e gjelbër e të kuq, kungujt dhe e lëmë të ziejë edhe për 5 minuta të tjera. Shtojmë domaten, borzilokun, majdanozin, kripën e piperin sipas shijes dhe i japim një zierje të fundit për 5 minuta të tjera. E përziejmë mirë që të bëhet një masë e njëtrajtshme dhe e shërbejmë të nxehtë ose në temperaturë dhome.
Swiss Rosti / Rosto Svicerane (zvicerane)
Ka shumë situata të veçanta, por një rosto mund të kthehet në një vakt të plotë duke i shtuar qepë, proshutë dhe djathë alpin me arra. Gjithsesi, ajo çka ju nevojitet për një rosto të mirë janë patatet e ziera pjesërisht, të cilat krijojnë një brendësi të butë dhe skuqja në gjalpë të nxehtë e yndyrë rose, derisa të krijohet një shtresë krokante nga jashtë.
Përbërësit:
Përgatitja: Ziejmë patatet pjesërisht në ujë me kripë derisa të fillojnë të zbuten, por jo të ziejnë plotësisht. I lëmë të ftohen për disa orë. I grijmë në rende patatet. Ngrohim gjysmën e yndyrës në një tigan për skuqje dhe kur të ketë arritur temperaturën e skuqjes, hedhim patatet e i lëmë të skuqen për disa minuta e ndërkohë mundohemi t’i shtypim me lugë duke ushtruar një presion të lehtë. E tundim lehtë tiganin që patatet të mos ngjiten. Vazhdojmë gatimin derisa patatet të marrin ngjyrë të artë e të bëhen krokante. Më pas vendosim një pjatë mbi tigan dhe e kthejmë tiganin me qëllim që forma e kekut e krijuar me patatet të hidhet si një pjesë e vetme në pjatë. Shtojmë në tigan pjesën e mbetur të gjalpit dhe yndyrës së rosës dhe kur të jetë e nxehtë, fusim përsëri të skuqet formën e kekut të krijuar me patatet, veçse tani nga ana tjetër.
Nga: Dhurata Thanasi Daneri
Eni Shehu, i ftuar në emisionin “Natën me Aulonën”, ka folur për marrëdhënien e tij me Arbana Osmanin, duke thë...
Historia e një italiani që kaloi nëntë muaj duke jetuar në një aeroport mund të tingëllojë paksa si komploti i fi...
Ka disa hapa shumë të thjeshtë për të pastruar syzet apo ekranin e celularit në mënyrën e duhur, nuk është n...