Ish asistentja e paditi për ngacmim seksual, reagon Vin Diesel
Vin Diesel po i kërkon një gjyqtari të Los Anxhelosit që të hedhë poshtë padinë e ngacmimit se*sual të ngritur ku...
Një ditë në vit për t’i thënë “faleminderit” Zotit për gjithçka kemi: shëndet, familje, miq, ushqim. Tradita e bukur amerikane që promovon gjestin fisnik të mirënjohjes, jo vetëm ndaj Perëndisë, por dhe karshi njëri-tjetrit...
Ju kujtohet Zosia Brown, zonja me shije nga Ambasada Amerikane që në numrin special të festave të fundvitit 2012 hapi dyert e shtëpisë për të na prezantuar me traditat, ritualet dhe menynë e Krishtlindjeve në Amerikë? Asaj i pëlqen të ftojë miq në shtëpi e të gatuajë, kështu që ne i trokitëm sërish në derë, kësaj here që të na tregojë se si organizohet një Ditë Falënderimesh. “Dakord, - pranoi ajo me kënaqësi, - por ka për të qenë një festë Falënderimesh shqiptare, sepse këtu shumë produkte për menynë origjinale nuk i gjej dot. Megjithatë nuk është problem. Nëse ke miqtë, mollët, kungujt e gjethet e vjeshtës, atëherë je në rregull. Vetëm gjeli i detit nuk duhet të mungojë kurrsesi”.
Kjo festë për Zosian ka vlerë të dyfishtë shpirtërore, sepse djali i saj, Sidney, ka lindur pikërisht Ditën e Falënderimeve. “Atë vit festuam dy herë, - kujton bashkëshorti, Gleni. - Meqenëse Zosia ishte në maternitet dhe sapo kishte lindur, ne festuam përsëri kur ajo u kthye në shtëpi”. Amerikanët nuk mund ta humbasin këtë ditë, që prej tyre festohet më shumë se Krishtlindjet. Zosia dhe Glen kanë histori e kujtime pa fund nga Dita e Falënderimeve ndër vite. Për ta ky ka qenë momenti më i shumëpritur i vitit, kur gjithë pjesëtarët e familjes mblidheshin bashkë. Tani që janë në Shqipëri nuk mund të festojnë me të afërmit, ndaj në vend të tyre ftojnë miqtë.
“Vitin e kaluar kemi pasur 23 të ftuar, - tregon Zosia, - mes tyre shumë shqiptarë. Kam gatuar tre ditë rresht dhe kur më në fund gjithçka ishte në tryezë, më kishin shteruar fuqitë dhe mezi qëndroja në këmbë ”. Për darkën e sotme çifti Brown ka ftuar një familje gjermane. Chrisin, punonjës në Ambasadën Gjermane, me bashkëshorten, Miriamin dhe djalin e tyre, Luca. Miriam për fat të keq njofton se nuk vjen dot, pasi është sëmurur papritur me grip. “Ky është rasti kur dikush anulon ardhjen, por zakonisht vijnë më tepër njerëz nga sa ke planifikuar, - thotë Zosia duke qeshur .- Për këtë arsye gjithmonë marr masa që të ketë bollëk në tryezë. Pastaj, a nuk është Dita e Falënderimeve për të festuar bollëkun?”. Teksa na tregon gatimet, vë re se përbërësit kryesorë janë kungujt, mollët e xhenxhefili. Mbi tryezën vjeshtore të improvizuar nga Gleni me dy fuçi gjigante, më tërheq vëmendjen një shishe vere, e cila Zosia thotë se vjen nga vendlindja e tij dhe se sot do të jetë aperitivi për miqtë.
Kemi mbërritur kur Zosia e ka sistemuar tashmë tavolinën, një shtrim fin dhe elegant: “Dita e Falënderimeve ka shumë simbole, ndaj tryeza do jetë e ngarkuar me detaje, - thotë. - Për këtë arsye kam shtruar një mbulesë të bardhë, sipër së cilës kam hedhur rrëmujshëm gjethe artificiale vjeshte. Edhe pecetat janë me motive gjethesh”. Nga kuzhina vjen një aromë e këndshme. Është gjeli që po piqet. Gleni dhe Zosia shkojnë me radhë te soba për të kontrolluar nëse është gati, teksa tryeza pak e nga pak po mbushet me recetat e mrekullueshme të zonjës së shtëpisë.
Kanë mbërritur të ftuarit. Chrisi, mik i familjes, ka qenë i ftuar dhe vitin e kaluar në Ditën e Falënderimeve. Djali i tij, Luca, një 11 vjeçar me fl okë të verdhë e të gjatë, mban në duar një shishe vere të paketuar bukur. “Më pëlqen atmosfera që krijon Zosia. - thotë Chris. - ne mblidhemi shpesh në shtëpitë e njëri-tjetrit, po se ç’ka diçka më të ngrohtë, më familjare në këtë festë”. Ndërkohë, djalin 4 vjeçar i çiftit Brown, Sidney, na bën të gjithëve për të qeshur kur thotë se është mërzitur dhe se dëshiron të kërcejë mbi karrige. “Mund të kërcesh, të vraposh, të bësh çfarë të duash”, i thotë Zosia me ëmbëlsi, teksa e puth në ballë dhe i cimbit faqet. Kjo më bën të kuptoj se Dita e Falënderimeve ka ardhur zyrtarisht, me gjithë dashurinë dhe ngrohtësinë e saj!
Historia e Ditës së Falënderimeve
Më 11 dhjetor të vitit 1620 disa pelegrinë u vendosën në zonën e “Plymouth Rock”. Dimri i tyre i parë atje rezultoi shkatërrues. Në fillim të vjeshtës së ardhshme, ata kishin humbur 46 nga 102 personat që ishin gjithsej. Por të korrat e vitit 1621 qenë me bollëk dhe kolonistët e mbetur vendosën ta festonin këtë ngjarje me një darkë ku ftuan edhe 91 indianët, të cilët i ndihmuan të mbijetonin vitin e parë atje. Besohet se pelegrinët nuk do kishin mbijetuar dot atë vit pa ndihmën e indianëve. Festa përngjante më shumë me një festival tradicional të të korrave, sesa një festë të mirëfilltë ‘falënderimi’.
Ajo zgjati tre ditë. Me shumë gjasa atëherë nuk pati gjel deti me lëng mishi, salcë me boronica apo patate të ëmbla e natyrisht, as kek me kungull, gatimin tradicional të amerikanëve për Ditën e Falënderimeve. Por në atë festë padyshim që kishte peshk
Zyrtarizimi i festës
Në vitin 1863, presidenti Linkoln shpalli të enjten e fundit të nëntorit si ditë kombëtare të Falënderimeve. E në fakt, Dita e Falënderimeve u shpall nga çdo president pas Linkolnit në data të ndryshme, derisa Frenklin Rusvelt e shpalli atë një javë para të enjtes së fundit të po atij muaji. Në vitin 1941, kjo ditë u njoh dhe u sanksionua nga Kongresi si një festë kombëtare të enjten e katërt të nëntorit., boronica, lakërishte, karavidhe, fruta të thata, molusk, mish dreri dhe kumbulla të thata.
Dita e Falënderimeve është një festë kombëtare e cila festohet kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, si një ditë falënderimi për bekimin e të korrave në vitin pararendës. Por dhe vende të tjera nëpër botë organizojnë festime të ngjashme. Dita e Falënderimeve festohet të enjten e katërt të nëntorit në Shtetet e Bashkuara, që këtë vit i bie të jetë më 28 nëntor. Kjo festë i ka rrënjët historike në traditat fetare e kulturore, por prej kohësh festohet dhe në mënyrë laike. Është një kohë për t’u mbledhur me familjen dhe miqtë, për të festuar një darkë së bashku e për të shijuar bukurinë e stinës të vjeshtës.
Duke e pasur zanafillën në festimet e lashta për korrjen, Dita e Falënderimeve karakterizohet nga një ikonografi që pasqyron më së miri të kaluarën e saj. Imazhet që përfaqësojnë shumë prej zbukurimeve të Ditës së Falënderimeve në kohët e sotme janë të lidhura me festimin e vjeshtës ndër shekuj.
Festa ime e preferuar
“E dashuroj Ditën e Falënderimeve, duke filluar nga ushqimi, festimet, miqtë e të afërmit që mblidhen rreth tavolinës” - thotë Zosia. Për të është festa më e dashur e vitit, pasi është rritur në një familje ku asaj i jepet rëndësi më shumë se vetë Krishtlindjeve. Si të mos mjaftonte, djali i Zosias, Sideny, ka lindur në Ditën e Falënderimeve të vitit 2009. “Kjo i dha akoma dhe më tepër kuptim frymës së “të qenit mirënjohës” që ka festa”. Zosia ka punuar gjithë fundjavën për të përgatitur recetat që do të fotografojmë. Janë disi të ndërlikuara, por të veçanta. “Pak përpara se të mbërrinit, isha në ankth se si do dukeshin pjatat. Nuk para shqetësohem për pamjen e gatimeve, por kur bëhet fjalë për foto në një revistë, atëherë imazhi ka shumë rëndësi” – tregon pasi gjithçka ka mbaruar dhe ne jemi më shumë se të kënaqur me menunë e saj. Vitet e fundit Dita e Falënderimeve ka qenë e lodhshme për Zosian. Pak sepse i pëlqen të gatuajë disa receta njëkohësisht, pak sepse fton shumë miq në festë e t’i ‘ushqesh’ të gjithë nuk është e lehtë. “Kam pjekur shumë gjela gjatë qëndrimit tim në Shqipëri – thotë treguar nga soba – Këtë vit po mendoja të shtroja një darkë më të thjeshtë, vetëm për miqtë e ngushtë. Ky ishte plani, por gjërat ndryshuan. Ja ku jam sërish mbyllur në kuzhinë, duke gatuar për Living”. Gjeli është mbreti i tryezës ditën e Falënderimeve, ndaj çifti Brown i ka kushtuar shumë rëndësi. “Gjelat e detit në Shqipëri janë popullorë, gjenden kollaj, por në Krishtlindje dhe Viti të Ri – thotë Zosia – Kurse në këtë kohë është e vështirë, ndaj m’u desh të bëja disa telefonata e ta sillja nga Italia. Kur më pyetën sa të madh e doja, thashë “sa më i madh të jetë e mundur”, por me këtë nuk kisha parasysh gjelin 14 kg. që më erdhi”. Ky është gjeli më i madh që ajo ka gatuar ndonjëherë dhe ishte e shqetësuar nëse furra e sobës do ta nxinte. Për të mos folur për mbushjen e tij. “Falë Glenit, zogu ‘mostër’ u gatua në kohë për miqtë dhe fotografitë – thotë duke qeshur – Vitin tjetër do kërkoj një gjel pak më të vogël”. Kështu thotë Zosia, por darkat tradicionale në familjen Brown do të jenë gjithmonë spektakolare dhe shtëpia plot me miq.
SIMBOLET
Ato mund të mbushin tryezën si gatime, por mund të përdoren dhe për dekor e zbukurime. Të mbledhura nga një ose më shumë simbole të Ditës së Falënderimeve, objektet e punuara me dorë mund të luajnë një rol thelbësor në këtë festë të veçantë. Nëse keni fëmijë, me siguri mundësitë për të qenë krijues nuk mungojnë në shtëpinë tuaj.
BRIRI I BOLLËKUT Simbolika e tij përshtatet përsosmërisht me vlerësimin e ushqimit dhe bollëkun që karakterizon Ditën e Falënderimeve. Simboli, i cili daton që nga koha e grekëve të lashtë nënkupton bollëk, pjellori dhe të korra. Tradicionalisht briri mbushet me lule, fruta dhe perime vjeshte.
KUNGUJT DHE KUNGULLUJËSIT Një tjetër pasqyrim i historisë së Ditës së Falënderimeve si festim i të korrave është prania e frutave të vjeshtës, siç është kungullujësi. Kungujt e kanë origjinën në Amerikën e Veriut dhe për rrjedhojë shërbejnë si zbukurim në tavolinat amerikane Ditën e Falënderimeve. Natyrisht, shumë tavolina zbukurohen dhe nga keku me kungull.
GJETHET E VJESHTËS Mishërimi i vërtetë i stinës së vjeshtës, gjethet e saj dhe gjallëria e tyre, ngjyrat e bukura, janë një element i rëndësishëm në zbukurimet e Ditës së Falënderimeve. Të vërteta ose artifi - ciale, shfaqen në kurora elegante, si zbukurime në mes të tavolinës. Format dhe ngjyrat e gjetheve mund të përdoren gjithashtu për të krijuar ëmbëlsira unike.
QIRINJTË Të pazëvendësueshëm në shumë festa, qirinjtë ofrojnë një ndjesi të veçantë ngrohtësie. Një qiri me aromë të ngrohtë molle ose erëzash sjell një atmosferë të veçantë festash. Qirinjtë e rrethuar nga lule dhe fruta sigurojnë një zbukurim elegant për mesin e një tavoline.
GRURI Është një simbol unik i të korrave të vjeshtës dhe mund të përfshihet në shumë dekorime. Mund të krijohen kurora të bukura festash me duaj gruri të tharë, por gjithashtu këta të fundit mund të përfaqësojnë fare mirë lulet dhe ngjyrat e vjeshtës.
MISRI Ka të ngjarë që misri të ketë qenë festimi i parë i Falënderimeve të pelegrinëve dhe ai shfaqet si pjatë e rëndësishme në shumë vakte të kësaj feste. Por kur vjen puna te përdorimi për zbukurim, misri nuk shfaqet vetëm në ngjyrë të verdhë. Kallinjtë e tij kanë një larmi ngjyrash të vlefshme për stinën e vjeshtës.
KAPELAT ‘Pilgrim’ quhen kapelat që fshatarët mbanin kur u themelua Dita e Falënderimeve, kështu që me vitet ky është shndërruar në një simbol të kësaj feste. Pilgrimi ka një formë karakteristike, por si dekor për Ditën e Falënderimeve kapelat mund të jenë të çfarëdolloj forme.
Menuja e Zosias
* Kek me mollë. Për koren e tij Zosia ka përdorur gjalpë të ftohtë, të prerë në copa të vogla, miell, dhallë ose ujë, kurse për kekun mollë të llojeve të ndryshme, të qëruara e të prerë në feta të vogla, sheqer ngjyrë kafe, arra të pjekura, miell misri, kanellë të grirë, arrëmyshk të grirë, lëng limoni dhe qumësht.
* Qepë “AU GRATIN”, përgatitur me qepë të grira hollë, gjalpë, vezë, pana, verë të athët, arrëmyshk, kripë, piper dhe djathë Parmiggiano të grirë.
* Patate të ëmbla e dardhë të pjekura. Gjysmë kg. patate të ëmbla (të qëruara, të pastruara e të prera në kubikë) dhe dy kokrra dardhë (të pjekura, të qëruara, me fara të hequra e të prera në kubikë) gatuhen me vaj ulliri, sherbelë të sapo bluar, kripë dhe piper të zi.
* Lakër me pançetë, gatuar në zjarr të ngadaltë, me vaj ulliri, pançetë të prerë në kubikë, qepujka, karota, lëng limoni, piper të kuq dhe kripë sipas dëshirës.
* Ëmbëlsirë me xhenxhefil. Për kekun Zosia ka përdorur gjalpë pa kripë, miell, xhenxhefil të grirë, kanellë, erëza të ndryshme, karafil, sodë për pjekje, arrëmyshk, kripë, sheqer, vezë, melasë dhe gjysmë filxhani dhallë. Kurse shurupin e xhenxhefilit e ka përgatitur me ujë, 1 filxhan sheqer dhe treçerek filxhani me xhenxhefil të freskët, të pastruar dhe të prerë hollë. Për mbushjen e kremit ka përdorur pana, sheqer dhe një lugë gjelle ‘Kirsch’. Për ta mbledhur triflenë i është dashur kek me xhenxhefil, shurup xhenxhefili, pana dhe karamele me xhenxhefil.
* Pure Patatesh me hudhra, përgatitur me patate të pastruara, të qëruara dhe të prera në kubikë prej 3 cm, hudhër e qëruar, salcë kosi, gjalpë pa kripë, kripë dhe piper.
Ndonëse është e pamundur që pelegrinët të kenë darkuar me gjel deti gjatë kremtimeve në vitin 1621, ky shpend është pikë referimi i Ditës së Falënderimeve në ditët e sotme. Gjeli i detit është një figurë aq e rëndësishme, saqë shpesh kjo festë njihet dhe si “dita e gjelit të detit”. Zosia dhe Glen kanë përgatitur ekskluzivisht për Living gjel deti të mbushur.
Gjel Deti i Pjekur dhe i mbushur me erëza e lëng
Për gjelin e detit: Gjel deti që të peshojë 6-7 kilogramë, 1/2 filxhan gjalpë i zbutur dhe i prerë në copa të vogla, 1 lugë çaji kripë normale, 1 lugë çaji piper i zi i sapo bluar, 1/2 lugë çaji piper i kuq hungarez, 2 filxhanë ujë.
Përgatitja: Parangrohet furra në 425/218 gradë. Gjeli shpëlahet mirë, jashtë e brenda me ujë të ftohtë, thahet pastaj vendoset sipër skarës së pjekjes, i mbushur me masën e parapërgatitur. Heqim ngadalë lëkurën e gjelit dhe hedhim copat e vogla të gjalpit mes lëkurës e mishit. Gjalpi duhet të shpërndahet në mënyrë të barabartë mbi të gjithë sipërfaqen. Nëse lëkura s’hapet mirë, mund ta prisni vende-vende për të futur gjalpin si duhet. Gjithë gjeli spërkatet me kripë, piper e piper të kuq. Hedhim ujin në fund të tavës dhe e fusim gjelin në furrë, ku e pjekim për 30 minuta. Pastaj ulim temperaturën e furrës në 325/163. Vazhdojmë ta pjekim derisa temperatura e brendshme e gjelit të ketë arritur në 180/82 gradë, matur kjo me termometër mishi, të cilin e kemi futur në pjesën më të trashë të gjoksit. Kur gatuajmë gjel të mbushur, planifikojmë 40 minuta gatimi për çdo një kilogram mish. Pasi gjeli është pjekur, e heqim nga furra dhe e lëmë në gjendje të qetë për 15 minuta para se ta heqim nga tava. Pastaj, e lëmë dhe 15 minuta të tjera para se ta presim.
Për mbushjen: 1 bukë të plotë, të prerë në kubikë sa masa e një kafshate, 1/2 filxhan gjalpë pa sheqer, 1 filxhan me qepë të prera, 1 filxhan selino të prerë imët, 1 dardhë mesatare të prerë në kubikë, 2 lugë gjelle sherbelë të freskët, të grirë, 2 lugë gjelle majdanoz të grirë, 4 lugë gjelle sherbelë të thatë, 1 lugë çaji kripë normale, 1 lugë gjelle piper të zi të sapo bluar, 2 vezë të rrahura lehtë, 2 filxhanë me lëng pule të nxehtë.
Përgatitja: Parangrohim furrën në 400/200 gradë. Vendosim kubikët e bukës në një shtresë të vetme mbi një letër pjekjeje dhe i pjekim për 20 minuta ose deri sa të thekërrohen. Ndoshta këtë gjë mund ta bëni dy herë. Pastaj lëreni të ftohet. Vendosni një tigan të madh në nxehtësi mbi mesataren. Atje hidhni gjalpin, qepët, selinon, dardhat dhe i tiganisni dhjetë minuta. Bukën e thatë hidheni në një tas përzierjeje dhe shtoni ngadalë përzierjen e gjalpit. Pastaj hidhni sherbelën e freskët, majdanozin, kripën dhe piperin dhe përziejini që të lidhen mirë. Shtoni vezët dhe në fund shpërndajeni përbërjen ngadalë në gjithë mbushjen. Gjithmonë nga gjysmë filxhani, shtoni lëngun e pulës, duke e përzierë mirë pas çdo here që e hidhni. Mbushja duhet të jetë e lëngshme por jo qull, kështu që ndoshta mund të mos duhet ta përdorni të gjithë lëngun. Nëse do ta mbushni gjelin e detit me mbushjet që përmendëm më sipër, mbulojeni me letër pjekjeje në temperaturën 350/177 për 30 minuta.
Për lëngun: 2 filxhan dhe 3 lugë gjelle ujë, filxhan verë të athët, 2 lugë gjelle miell misri, kripë e piper sipas dëshirës.
Përgatitja: Vendoseni tavën me lëngun e gjelit në nxehtësi të lartë. (Ndoshta mund t’ju duhet të përdorni dy vatra për t’u shpërndarë më mirë nxehtësia). Nëse nuk ka shumë lëng, mund të shtoni pak ujë. Kur përzierja të nisë të ziejë, ulni temperaturën dhe hiqni çdo copë të tepërt nga fundi i tavës. Në një tenxhere të vogël, hidhni miellin e misrit dhe tre lugë gjelle ujë. Përziejini derisa të formohet një si lloj paste. Shtoni përzierjen e miellit të misrit në lëngun e mishit dhe rrihini bashkë. Vazhdoni të gatuani derisa përzierja të trashet mirë. Shtoni sherin e gatuajeni dhe për një minutë. Hidhni kripën dhe piperin dhe shërbejeni menjëherë.
Vin Diesel po i kërkon një gjyqtari të Los Anxhelosit që të hedhë poshtë padinë e ngacmimit se*sual të ngritur ku...
Çmimi i kakaos është rritur me shpejtësi gjatë muajve të fundit. Një ton kakao të martën arriti vlerën e m...
Albano dhe Baby G, teksa qëndrojnë në oborrin e “Ferma VIP”, kanë treguar historite e tyre të dashurisë ndër vi...