Kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 korriku, ja sa do të jetë shtesa
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Në shtëpinë e Hebrenjëve
Në numrin e kaluar ishim të ftuarit e bashkëshortes së ambasadorit britanik në Tiranë, Alice Canon, duke çelur kështu rubrikën tonë të re “Living Ambassador”, me anë të së cilës synojmë të depërtojmë në kultura të ndryshme dhe stilin e tyre të jetesës. Kësaj here ishte bashkëshortja e ambasadorit izraelit në Shqipëri, znj. Ahouva Cohen, e cila hapi dyert për të zbuluar pak nga shpirti hebre, kultura, kuzhina dhe mënyra e tyre e të jetuarit...
Si do të kishte qenë bota sikur të gjithë të ishin sjellë si shqipta rët? Këtë po mendoja teksa shihja pamjet në televizor mbi “Ditët e Kujtesës”, gjenocidin kundrejt hebrenjve dhe mikpritjen shqiptare gjatë viteve të luftës. Tek lexoja një sërë dokumentesh për hebrenjtë e Shqipërisë m’u kujtua Ana dhe familja e saj, fqinj e miq të mirë të familjes së mamasë sime në lagjen Murradie, në Vlorë. Vonë e kam marrë vesh që ata ishin hebrenj, ndonëse i takoja çdo vit kur shkoja për pushime te gjyshërit. Jetuan këtu deri në fillim të viteve ’90, pastaj u kthyen në Izrael për t’iu bashkuar vendlindjes së të parëve të tyre. E megjithatë, Shqipërinë dhe Vlorën e lanë vetëm fizikisht, jo me zemër. Ahouvan, bashkëshorten e ambasadorit izraelit në Tiranë, e njoha krejt rastësisht teksa flisja për një projektin tim për Food Revolution Albania, në një takim me të huaj e shqiptarë. M’u afrua me një buzëqeshje të veçantë e me zë të kadifenjtë më pyeti: “Ju punoni për promovimin e ushqimit të shëndetshëm? Do të doja të kontribuoja edhe unë... Nëse ju nevojitet ndihma ime, në çdo çast jam këtu, pasi jam marrë shumë me edukimin e të ushqyerit të fëmijëve në shkolla”. Pastaj e prezantoi veten me shumë elegancë. “Quhem Ahouva dhe jam nga Izraeli”. Më tërhoqi thjeshtësia e saj. Më vonë mora vesh se ajo quhej Ahouva Cohen dhe ishte bashkëshortja e ambasadorit izraelit në Shqipëri, z.David Cohen. E diplomuar në Histori dhe Letërsi në Universitetin Shtetëror të Izraelit dhe nënë e tre fëmijëve. Për të mos bërë atë që menjëherë shkon pas “të rëndësishmit” të radhës, nuk i shkrova menjëherë për ta ftuar për kafe. Herën e dytë që u takuam vendosëm të njiheshim më mirë dhe Ahouva më ftoi në shtëpinë saj, në një festë mes grash e vajzash, për të shijuar gatimet e saj të shëndetshme e për të shkëmbyer mendime mbi kulturat e historitë e vendeve tona. Në bisedë e sipër i rrëfeva se familja e nënës sime në Vlorë kishte strehuar për një vit të tërë fqinjët hebrenj dhe vura re se Ahouva u mrekullua.
“Shqiptarët kanë bërë atë që shumë vende më të mëdha e të fuqishme nuk e kanë bërë. Izraeli dhe hebrenjtë ju janë mirënjohës juve dhe “besës” suaj aq të shtrenjtë. Mikpritja e shqiptarëve është unike”.
Të them të drejtën, mes gjithë atyre zonjave që përfaqësonin vende të ndryshme të botës u ndjeva e mikluar; për ne shqiptarët mikpritja është pjesë e jetës dhe përditshmërisë sonë dhe do të duheshin të huajt që hera herës të na vinin në dukje këtë vlerë të jashtëzakonshme për ta, por normale për ne. Ahouva të mrekullon me shumëllojshmërinë e gatimeve të saj. Atë ditë ishte e premte, “sabbath” për hebrenjtë. Në hyrjen e apartamentit të saj në Tiranë dalloj një shenjë të veçantë, e cila identifikon të gjitha familjet hebreje kudo ndodhen. Quhet “mezuzah”, sipas Ahouvas njëfarë mbrojtjeje për familjen dhe në brendësi të saj është një letër me lutje për mirësinë e familjes. Teksa shoh tavolinën e shtruar me hijeshi e pyes mikeshën time gjithë kuriozitet se ç’është “sabbath”. “Është dita e lutjeve e të falurit për Zotin që krijoi botën në shtatë ditë. Të gjithë e kanë ditë pushimi.
Gjatë darkës së “sabbath”-it tavolina jonë shtrohet duke u bazuar në disa rregulla: nuk duhet të mungojë buka challah (hallah), e cila pritet detyrimisht me dorë, ngjyhet me pak kripë dhe hahet përpara se të thuhen lutjet për familjen, shëndetin dhe paqen. Më pas vera hebreje shërbehet me një shishe karakteristike nga ku hidhet pastaj në gotat e vogla prej argjendi dhe pihet nga pjesëmarrësit në “sabbath”. Një rit i jashtëzakon- shëm dhe jo detyrimisht i ndjekur vetëm nga fetarët e frekuentuesit e sinagogës, por nga shumica e hebrenjve, të cilët marrin shkas nga e premtja e pasdites për të ftuar miq dhe të afërm e për t’u dhënë atyre bekimin për paqe.
Më pas Ahouva sjell pjatat e mrekullueshme që ka përgatitur, duke filluar nga një tabouleh izraeliane, humusi, baba ganoush, tortat e ndryshme të lehta dhe me përbërës organikë. “Mundohem të gatuaj sa më shëndetshëm”, thotë ajo. “Më pëlqejnë të mbushurat tuaja dhe byrekët, të cilat i bëjmë dhe ne sipas mënyrës sonë. Jam e gëzuar që çdo gjë e gjej në dyqanet shqiptare dhe nuk më mungon ajo pjesë e vendit tim që është ushqimi”.
E pyes për Izraelin, këtë vend të magjishëm që kaq herë kam dashur ta vizitoj. Aty kam miqtë më të mirë, por asnjëherë nuk kam mundur të shkoj. “Duhet të shkosh”, më thotë Ahouva. “Ne ngjasojmë shumë, jemi dy vende të vegjël, por me dëshirë dhe etje për të ecur përpara. Vendi ynë ka marrë pavarësinë 66 vite më parë, është shtet i ri, por popull i lashtë, shumë i lashtë. Është toka e mbretërve David dhe Solomon, të cilët ndërtuan Jerusalemin rreth 3000 vite me parë. Ashtu si në Shqipëri, edhe tek ne, falë dokumenteve historike dhe mozaikëve të shumtë, mund të shohësh që tre fetë kryesore, ajo hebreje, myslimane dhe katolike kanë bashkekzistuar në tolerancë të plotë. E po ashtu si Shqipëria, vendi ynë ka qenë i pushtuar nga romakët, turqit, britanikët, etj. Ndaj Shqipërinë e dua shumë! E dua dhe për faktin se edhe ju, njësoj si ne, nuk e keni aspak problem kur miqtë ju vijnë pa ftuar. Mjafton të trokasin në derë dhe e hapni atë ashtu si zemrën tuaj. Kjo është e pashoqe ! Shqipëria dhe shqiptarët janë të mrekullueshëm”.
Kek izraelit - me arra nga Ahouva (shumë i shëndetshëm)
Përbërësit: 200gr arra (çdo lloj), 200gr rrush i thatë (ose çdo lloj fruti i thatë), 8 lugë gjelle miell, 7 lugë sheqer kaf, 3 vezë mesatare (temperaturë ambienti), 1 lugë çaji sode buke.
Përgatitja: I qërojmë arrat, i ndajmë në copa të mëdha (dyshe) dhe i hedhim në një tas të madh. Shtojmë rrushin e thatë, sheqerin dhe miellin. Shtojmë sodën e bukës dhe i trazojmë mirë. Në fund shtojmë vezët e rrahura, i njëtrajtësojmë me masën e përzierjen e hedhim në një tavë të gjatë, ku kemi vendosur më parë një letër kuzhine (letra është e detyrueshme, pasi torta nuk ka vaj). Lyejeni me vaj, futeni në furrë 180 gradë për 30 minuta dhe provojeni herë pas here nëse është pjekur me një shkop shishqebapi. Pas disa orësh, kur keku të jetë ftohur tërësisht, ose të nesërmen, të pritet në feta të holla, që mund të ruhen në frigorifer.
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Vin Diesel po i kërkon një gjyqtari të Los Anxhelosit që të hedhë poshtë padinë e ngacmimit se*sual të ngritur ku...
Çmimi i kakaos është rritur me shpejtësi gjatë muajve të fundit. Një ton kakao të martën arriti vlerën e m...