Guidë për shëndetin

Më mirë të parandalosh sesa të kurosh

+

kangjiri

Sipas mjekëve, vetëm një 5-10% e llojeve të kancerit të gjirit, janë të trashëgueshme. Kjo do të thotë se ka mjaft gjëra që ju mund të bëni për të ulur, qoftë edhe sado pak, rrezikshmërinë për t’u diagnostikuar me një të tillë. Studiuesit në mbarë botën, janë duke vlerësuar një sërë faktorësh të “mjedisit” jashtë apo brenda organizmit tonë, që mund të ndikojnë më vete apo së bashku në shfaqjen e kancerit. “Mjedisi” brenda organizmit tone përfshin gjenet, nivelin hormonal, sëmundjet e ndryshme, etj. “Mjedisi” jashtë nesh përfshin ajrin që thithim, ujin që pijmë, ushqimin që hamë, mënyrën e jetesës dhe gjithcka tjetër me të cilën jemi në kontakt të përditshëm, e që bëhet pjesë e mjedisit tonë të brendshëm. Disa nga këta faktorë, si mosha, gjinia, apo gjenet, janë të pandryshueshëm, por të tjerët dhe më saktë zgjedhjet tona si p.sh: duhanpirja, kequshqyerja, mungesa e aktivitetit fizik, gjumi i pamjaftueshëm, etj., mund dhe duhen ndryshuar. Pjesa më e madhe e studimeve tregojnë faktorë më të lartë të riskut për kancer gjiri tek grate që pijnë duhan, ndërkohë që sipas të tjerash, ushqyerja me gji ndihmon në njëfarë mase në parandalimin e kancerit të gjirit. Rezultatet e një kërkimi të prezantuar në Simpoziumin e Kancerit të gjirit, në shtator 2013 dhe në të cilin ishin përfshirë gati 10 000 gra, referonin se vetëm 9.5 % e tyre e vlerësonin sa dhe si duhet, rrezikun e kancerit të gjirit. Pjesa tjetër ose e nënvlerësonin ose e mbivlerësonin. Sipas autorëve, këto të dhëna ishin mjaft shqetësuese: Nëse një grua nuk e vlerëson siç duhet rrezikun, nuk ndërmerr hapat e duhur për parandalimin apo trajtimin. Dhe nëse e mbivlerëson, mund të shohë si zgjidhje ndërhyrje kirurgjikale që jo gjithmonë janë të nevojshme.
Gjithsesi disa nga gjërat që nuk është kurrë vonë për t’i bërë janë:
-Mos pini duhan ose lëreni në rast se e pini
-Mbani një peshë brenda limiteve
-Bëni aktivitet të rregullt fizik
-Kufizoni alkoolin
-Hani shëndetshëm
Dhe BËNI EKZAMINIME TË RREGULLTA.
Shkëputur nga revista Living Përshtati Etleva Çepele