Guidë për shëndetin

Nga obeziteti tek duhanpirja, cilat janë arsyet që rrisin rrezikun e mëlçisë së dhjamosur dhe cirrozës

+

toxic

Mëlçia është organi qendror i metabolizmit dhe gjendra më e madhe e trupit tonë që lidhet me aparatin tretës. Mëlçia ka disa funksione: metabolizon të gjitha elementët ushqimore (yndyrë, proteina, karbohidrate, vitamina, kripëra minerale etj.); përmban depozitat e hekurit dhe të bakrit; prodhon substanca për të përthithur vitaminë K, ndihmon në përthithjen e vitaminës A nga beta-karoten; prodhon enzima për të tretur ushqimin, funksionon si detoksikues për të larguar lëndë toksike që janë marrë nga ushqimi apo janë prodhuar në aparatin tretës etj. Këto dhe shumë funksione të tjera që janë jetësore për të jetuar, por kur mëlçia është e infekatuar me parazitë dhe toksina ajo humbet të gjitha funksionet. Ja cilët janë armiqtë e mëlçisë!

 Obeziteti: Obeziteti mendohet se luan një rol në sëmundjen e dhjamosjes së mëlçisë jo për shkak të alkoolit. Kjo sëmundje shfaqet kur depozitohet shumë dhjam në qelizat e mëlçisë. Nuk dihen akoma me saktësi shkaktarët e kësaj sëmundje, megjithatë gjendja lidhet gjithashtu me sindromën metabolike, tensionin e lartë të gjakut dhe nivelet e larta të triglicerideve, përveç obezitetit. Nëse formohet shumë dhjam në qelizat e mëlçisë, mund të zhvillohet cirroza e mëlçisë. Njerëzit mbi 40 vjeç janë më të rrezikuar nga kjo sëmundje, edhe pse janë hasur raste edhe tek adoleshentët obezë. Duke qenë se mbipesha dhe obeziteti mund të dëmtojnë mëlçinë po aq sa alkooli, është e rëndësishme të mbani një peshë të shëndetshme për një mëlçi të shëndetshme.

Pijet e gazuara dhe me sheqer: Pijet e gazuara të mbushura me sheqer janë një shkaktar i pashmangshëm i shtimit në peshë, prandaj nuk është për t’u çuditur përse ato futen në listën e zezë të “armiqve të mëlçisë”. Një studim i fundit, i publikuar tek Revista e Hepatologjisë, ka zbuluar se njerëzit që pinë 1 ose më shumë pije të ëmbëlsuara me sheqer artificial në ditë janë më të rrezikuar nga dhjamosja e mëlçisë, krahasuar me personat që nuk konsumojnë fare pije të gazuara. Rreziku është edhe më i lartë tek njerëzit që janë mbipeshë ose obezë. Një studim i kahershëm ka zbuluar se njerëzit që konsumojnë 2 pije me sheqer në ditë për 6 muaj shfaqin shenja të sëmundjes së dhjamosjes së mëlçisë.

Hepatiti: Hepatitet kronike B dhe C janë përgjegjëse për shumicën e rasteve me kancer të mëlçisë në të gjithë botën. Hepatiti C përhapet zakonisht nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar, që do të thotë se mund të prekeni nga ai nëse përdorni të njëjtën gjilpërë, kryeni marrëdhënie seksuale pa përdorur masa mbrojtëse (edhe pse kjo është më pak e zakonshme) dhe shumë rrallë nga transfuzionet e gjakut. Bërja e një tatuazhi me një gjilpërë të infektuar gjithashtu ju vë në rrezik. Infeksionet kronike të hepatitit C mund të kurohen me ilaçe, megjithatë e rëndësishme është që të diagnostikohen në kohë: kësaj sëmundje i referohen shpesh si “vrasësi i heshtur”, duke qenë se shumë njerëz nuk e dinë që kanë hepatit, dhe mund të çojë edhe në cirrozë dhe kancer të mëlçisë, deri edhe në vdekje nëse lihet pa trajtuar.

Duhanpirja: Një tjetër arsye përse duhet të hiqni dorë nga duhani: mund të rrisë rrezikun e kancerit të mëlçisë. Kimikatet toksike tek duhani mund të shkaktojnë inflamacion dhe cirrozë. Duhani shkakton gjithashtu prodhimin e citokineze, substanca kimike që mund të shkaktojnë edhe më shumë inflamacion dhe dëmtim të qelizave të mëlçisë. Një tjetër shqetësim që duhet të keni parasysh, është se tek njerëzit që vuajnë nga hepatiti B ose C, duhanpirja mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të karcinomës hetaocellular, një formë e kancerit të mëlçisë.