Aktualitet

Gratë që nuk duan t’ia dinë nëse bashkëshorti është i famshëm, sa mirë që janë!

+

graetbshk

Në pjesën më të madhe të rasteve, përvoja ka treguar që fama të lezeton! Edhe ata që në fillim kanë bërë naze për të shoqëruar partnerët e tyre publik, në evente të rëndësishme, më pas, kanë ndryshuar mendim. U ka pëlqyer që të jenë pjesë e rretheve ‘të rëndësishme’, e njerëzve që i njeh i gjithë (krye) qyteti. Kështu, vetëm për këtë arsye, bëhen të famshëm personazhe që nuk përfaqësojnë asnjë vlerë, që u përmendet emri vetëm sepse, për një periudhë të caktuar, shoqërohen me një këngëtar, zihen me një modele, shajnë e fyjenë e të tjera situata absurde si këto. Dje, themeluesi i Facebook, Marc Zuckenberg, ka lajmëruar se rregullat e rrjetit më të përdorur social do të ndryshojnë në mënyrë radikale dhe arsyeja ka të bëjë edhe me këtë. Facebook, ndryshe nga qëllimi i tij fillestar për të lidhur miqtë e të afërmit, ishte shndërruar në një mjet që përdorej nga media dhe grepi ishin pikërisht këta njerëz të mbirë nga hiçi.

Nga ana tjetër, ekzistojnë disa njerëz, vlerat e të cilëve nuk njihen, sepse pëlqejnë të qëndrojnë në ‘dhomën’ e tyre, pa ekspozuar çdo pulovër apo të kuq buzësh që blejnë e pa përcjellë çdo ide, demek gjeniale, që u shkon nëpër mend. Kanë profesionet dhe jetën e tyre dhe, as atëherë kur partnerët kanë zgjedhur që të jenë njerëz publik, ato, gratë, nuk janë bërë pjesë e zhurmës së punës së partnerit të tyre. Për shembull, kush ka dëgjuar ndonjëherë të flitet për gruan e këngëtarit Sidrit Bejleri? Po për bashkëshorten e Adi Krastës? Po të Saimir Brahos, aktorit Ndriçim Xhepa? Sikur të mos punonte me të shoqin, do të funksiononte njësoj edhe për Anila Gjebrenë, bashkëshorten e Ardit Gjebresë. Asnjëra prej tyre nuk ka dal të thotë se sa e vështirë është të përkrahësh e motivosh një bashkëshort artitst, se sa duhet të durosh a heroizma të kotë për të mbushur mediat. Në fakt, rastet janë disa, mund të përmenden edhe emra të tjerë, shqiptarë e të huaj. Dhe sa mirë që janë! Ato nuk janë as më pak të dashuruara pas burrave, përkundrazi, e as me më pak mundësi se të tjerat që reklamojnë çdo drekë në rrjetet sociale. Jetojnë jetën e tyre të tërhequra dhe siç thonë ‘memet’ e famshme të facebook-ut, është shumë herë më i lumtur ai që nuk e ndan jetën e tij me të tjerët.

Nga Living