Aktualitet

Kontrata paramartesore, moda e re e martesave shqiptare

+

maartts
Nga Nertila Maho
“Derisa vdekja të na ndajë”. Ky është betimi tradicional para lidhjes së një martese, ku çifti i premton njëri-tjetrit të ndajnë të mirat dhe të këqijat bashkë deri në fund të jetës. Jo të pakta janë rastet kur këto fjalë përfundojnë në praktikën “derisa Gjykata të na ndajë” dhe kjo në shumicën e rasteve lë njërën palë të lënduar. Situata bëhet më problematike bëhet kur duhet të vendosen pikat mbi “i” se kush do të marrë çfarë nga ajo që ka mbetur nga marrëdhënia. Disa mendojnë që këtë pjesë, nëse ndodh, të mos ia lënë spontanitetit, por ta paracaktojnë me një kontratë paramartesore.

Por, a ka në Shqipëri çifte që bëjnë kontrata të kësaj natyre? Ekspertë të fushës thonë se po, madje janë kontrata me kusht.
“Zakonisht, në kontratat paramartesore, mund të përfshish një gamë të gjerë elementesh mbi të cilën ti apo partneri bini dakord. Në ato pak kontrata që kemi bërë ne, çiftet kanë përfshirë pasuritë, por kanë vendosur edhe kushte. Për shembull, në katër kontrata që kemi bërë, palët kanë vendosur si kusht që: nëse ti më tradhton mua, ose martesa prishet për shkak të një tradhtie, të provuar, atëherë ti nuk ke pjesë në asnjë nga pronat që unë do të vendos gjatë martesës, por edhe pronat që unë i kam pasur para martesës.

Të njëjtën gjë bën dhe pala tjetër. Kam parë kontrata të shteteve të ndryshme që janë shumë më të gjera në përfshirje. Në Suedi, për shembull, përfshihet edhe ndarja e fëmijëve apo modele në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku detajohet roli që luan secili në familje”, thotë për “Monitor”, Margerita Kola, avokate pranë Kalo and Associates. Sipas saj, në Shqipëri, edhe ato pak kontrata që janë nënshkruar, janë shumë të kufizuara në diapazonin që mbulojnë sa i përket marrëdhënies së një çifti.

Numri i kontratave ende i vogël, kufizohet nga mentaliteti
Është e vështirë të gjesh një numër të saktë të kontratave paramartesore sepse, përveçse është një praktikë relativisht e re në vend, ajo shihet edhe si tabu në shoqërinë shqiptare. Madje, në listën e kontratave disi të “veçanta” që po evoluojnë në tregun shqiptar, duke nisur nga testamentet, tek ndërmjetësimi e deri tek kontratat paramartesore, këto të fundit janë më pak të avancuara. Kjo lidhet më së shumti me pjesën e mentalitetit.

“Shumë pak njerëz bëjnë kontrata paramartesore.
Pjesa e kontratës paramartesore lidhet me kulturën e përgjithshme, por ka të bëjë edhe me elemente të tjera që e pengojnë vendosjen e një kontrate të kësaj natyre. E para, ne vijmë nga një sistem kulture ku martesa ka qenë diçka shumë private. Njerëzit nuk duan të thonë asgjë për familjen e tyre, çfarë zotërojnë, si duan t’i ndajnë. Në këtë sistem ka mbizotëruar mblesëria dhe kalimi tek martesa që e shohim si kontratë është diçka krejt e kundërt me atë që është vendosur tradicionalisht.

Kur ne vendosëm në studion tonë ligjore edhe kontratat paramartesore pati një lloj rezerve, pasi ishte një shteg i pashkelur fare, por gradualisht vendosëm modelin e kontratës, sipas formës së kërkuar nga ligji, duke shtuar elementet që kërkon çdo çift, në mënyrë specifike për marrëdhënien e tij. Kërkesa për të marrë informacion mbi kontratat është e madhe, por numri i atyre që realisht përfundojnë me një të tillë është shumë i vogël”, – shprehet avokatja Margerita Kola.

Kontratat do të shmangnin një pjesë të dramave familjare post-divorc
Që të pretendosh se çdo martesë do të rregullohet me një kontratë paramartesore, kjo është diçka e pamundur dhe në Shqipëri, edhe më shumë. Megjithatë, avokatët dhe noterët në këtë pikë bëhen bashkë, pasi përcaktimi paraprak përmes një kontrate i disa detajeve të martesës shmang dramën që vjen më pas me divorcet, edhe pse asnjë nga çiftet nuk i hyn martesës me idenë e ndarjes.
“Ua rekomandoj kontratën paramartesore çifteve sepse, në shumë raste, do të shmangej dhuna në një divorc dhe, mbi të gjitha, do të shmangej përdorimi i fëmijëve si shantazh. Divorcet janë një dramë e madhe kudo në botë, por në Shqipëri përdoren për t’i bërë shantazh njëri-tjetrin. Kontrata paramartesore ka diçka të pastër ligjore. Kodi ynë i Familjes e ka të ndarë divorcin nga ndarja e pasurisë, çka do të thotë dy gjyqe, pra bëhet ndarja e çiftit dhe më pas, ajo e pasurisë dhe në shumë raste palët shfrytëzojnë mundësinë për të tjetërsuar pasurinë, duke dëmtuar palën tjetër”, – nënvizon avokatja Kola.

Evolucioni i kontratave, nga ndëshkuesja te mirëkuptimi
Shqipëria ka përqafuar së fundmi edhe një lloj jurisprudence të re që nuk është ajo ndëshkuese. Për avokaten Margerita Kola, kjo është ajo lloj jurisprudence që cilësohet si e mirëkuptimit. Preferenca për të zgjidhur gjërat në mirëkuptim vjen në kushtet kur vendosja e së drejtës përmes ndëshkimit ka kosto relativisht të lartë, njëra nga palët del gjithmonë e pakënaqur dhe në finale, dënimi për njërin apo tjetrin ngarkon me barrë taksapaguesit e thjeshtë, sepse do të shkohet në burg.
“Sot po lëvizet në jurisprudencën restauruese, që në praktikë e gjejmë me mirëkuptimin që arrijnë palët. Është mirë që palët të lidhin shpesh marrëveshje ndërmjetësimi, sepse ligji për ndërmjetësimin e njeh si një titull ekzekutiv këtë proces dhe, në rast se nuk përmbushet vullneti i rënë dakord, gjykata në momentin që ti e çon, nxjerr urdhrin dhe duhet të ekzekutohet. Procedura e një urdhri ekzekutimi që ka ardhur nga një marrëveshje ndërmjetësimi është jashtëzakonisht e thjeshtë. Numri i atyre që duan të hyjnë në një marrëdhënie ndërmjetësimi rritet dita-ditës, kurse i atyre që interesohen për të, shumë herë më i madh. Kjo duhet përshëndetur, pasi si një kulturë e re edhe në botë e jo më në Shqipëri, po gjen përthithje”, – shprehet Kola.

Shqiptarët po i largohen “fjalës”, për t’i lënë vend kontratës
Kultura juridike nuk është diçka që mund të përthithet menjëherë nga një popull, madje për Shqipërinë gjithçka dikur ka qenë e lidhur me “besën” apo “fjalën e burrit”. Më pas, gjatë periudhës së komunizmit, dinamika e zhvillimit nuk ishte dhe aq nxitëse, sepse marrëdhënia ishte vetëm një shtet-individ. Ekonomia e tregut bëri që shqiptarët edhe një herë të testonin disi me fjalën dhe më pas, përvojat e hidhura vit pas viti t’i shtynin ata drejt kontratave normale para noterit.
“Ka rritje të lidhjes së kontratave dhe po vendoset një kulturë e tillë, sepse kanë parë nga përvoja se kanë humbur shumë të drejta për shkak se marrëdhënia e tyre nuk është lidhur sipas ligjit, apo nuk është lidhur fare. Legjislacioni ynë, për hir të së vërtetës, pranon që provon detyrime edhe një kontratë që nuk është e thënë të lidhet para noterit, pra një deklaratë dore, që lidhet mes dy personave, por më pas kjo ka barrë prove më të madhe dhe mund të pretendohet se është lidhur nën presion apo arsye të tjera.