Aktualitet

Mjekët shqiptarë të parët në Ballkan, realizojnë operacionin e vështirë që bëhet në pak vende të botës

+

mjkushtiri

Ekipi i kardiokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka realizuar për herë të parë një ndërhyrje të vështirë kirurgjikale me hapje të kufizuar të zemrës, e cila aplikohet në pak vende europiane. Kirurgjia mininvazive e zemrës, me hapje të kufizuara të këtij organi është bërë tashmë realitet në vendin tonë. Ndërhyrja që nuk është arritur ende në spitalet e rajonit të Ballkanit dhe më gjerë konsiderohet e vështirë, për shkak të teknologjisë së avancuar, instrumentave të caktuar, të cilët duhet të disponohen si dhe të teknologjisë imazherike për të marrë imazhet në kohë reale dhe me një pastërti dhe cilësi të jashtëzakonshme, ndërkohë që zemra e pacientit është e ndaluar dhe koha në dispozicion të kirurgut duhet të jetë sa më e shkurtër.
Në videon e publikuar nga Shërbimi i Kardiokirurgjisë pranë QSUT, paraqitet një pacient që nënshtrohet kirurgjisë mininvazive të valvolës mitrale nën video-skopi. Procedura kirurgjikale konsiston në implantimin brenda kraharorit në anën e djathtë të pacientit të një sistemi kamerash 3-D, të cilat bëjnë të mundur një vizualizim direkt nën një hapje të kufizuar të të gjitha strukturave kardiake, duke shmangur hapjen standarde. Teknologjia komplekse u është vënë në dispozicion mjekëve shqiptarë të kardiokirugjisë për përdorim për qëllime shkencore nga kolegët italianë. Ekipi i mjekëve që kanë kryer ndërhyrjen përbëhej nga Prof. Edvin Prifti, Dr. Klodian Krakulli, Dr. Fjorba Mana, Dr. Saimir Kuci, Dr. Alfred Ibrahimi,Ms. Marinela Agolli, Ms Majlinda Elezi.
Realizimi i një procedure të tillë, jo vetëm që duhet të konsiderohet si një pikë kthese për mjekësinë shqiptare, por njëkohësisht një ndërhyrje e tillë kirurgjikale duhet t'i shërbejë publikut shqiptar si një sinjal i impenjimit, zhvillimit dhe profesionalizmit të mjekëve tanë./Burimi ‘’Report Tv”