Aktualitet

«Po Aline, këtu tek ne gratë trajtohen si objekte edhe nga objektet»

+

c88706d509ba2d70fdecfaa55cfb9b51 L

Në kohën kur emisionet më shumë sesa shihen në ekran, bëjnë bujë në mediat sociale me atë që thuhet apo që bën vaki në to, emisioni “Xing me Ermalin” ia arrin qëllimit çdo javë: portalet shkruajnë për të. Edhe pse nuk e kuptoj nëse suksesi i vërtetë matet me audiencë televizive apo me tituj portalesh, kjo nuk më hyn fare në xhep: është puna e atij që bën emisionin se si e ka kontratën me televizonin. Dhe mes lajmeve pako gjë me këngëtare që zihen me kunetërit apo me tituj “filanka i nxjerr të gjitha në publik”, më në fund më del përpara dhe një titull, që përtej mëtimit për të bërë klikime me fabulën e të ftuarës që shpërthen në lot në studio, godet drejt e në plagë: gratë në Shqipëri trajtohen si muti, trajtohen si objekte.
U desh të vinte një vajzë e huaj Aline (e fejuara e një blogeri udhëtimesh, hera e parë që dëgjoja për të dhe zor se do të dëgjoj më), që t’u mësonte gjithë grave shqiptare se si sillet një njeri normal i botës kur i prekin dinjitetin: nuk kapërdihet me idenë që po e shohin në televizor dhe nuk mund të bëjë figurë të keqe, nuk e kalon me një batutë për t’u treguar cool ndërkohë që nga brenda zjen, nuk qesh nga halli se do ta përgojojnë: ia plas, siç i vjen dhe me këtë rast thotë dhe ca të vërteta të mëdha.
Po, në Shqipëri, siç thotë Aline, gratë trajtohen ‘like shit’, pra si muti, si objekte në shumicën e mjediseve private apo profesionale. Edhe mashkulli më i rëndomtë shqiptar, edhe ai më barkderri dhe zhulsi, kërkon të ketë në krah një partnere që të duket copë ylli, të jetë e mbajtur dhe e pispillosur, me thonjtë të lyer dhe në formë fizike, e krehur tek parukierja dhe që të vijë era parfum, edhe pse mund të jetë rropatur gjithë ditën duke mbajtur shtëpinë dhe punën. Dhe burrat shqiptarë nuk i kanë këto kërkesa sepse janë shumë të dhënë pas estetikës, po të ishin të tillë do merreshin dhe me veten e tyre, por duan që gruaja që kanë në krah të jetë objekt mburrjeje para të tjerëve. Në gjuhën e tyre, kur ke një alamet gruaje në krah, i bie që dhe ti të jesh alamet burri.
Trajtohen ‘like shit’, siç thotë Aline, gratë shqiptare edhe në punë. Aty ku për të njëjtën punë paguhen më pak sesa kolegët dhe ku gjykohen e paragjykohen. Nëse nuk janë të mbajtura fizikisht, nuk vlejnë fare. Nëse vishen dhe rregullohen, janë bishtpërdredhura. Nëse nuk ndjehen, janë pula, nëse ngrejnë zërin, janë shtriga. Mes burrash fjala gjendet kollaj, asnjë sharje për ta, as për dembelat dhe të paaftët, në tavolinat e tyre i rregullojnë vetë të gjitha.
Dhe trajtohen ‘like shit’ më së shumti në ekran. Ndër shumë të tjera, studioja e Ermalit është shembulli më i mirë. Edhe pse është frymëzuar për emisionin e vet, deri edhe për skenografinë dhe ngjyrën e tryezës, nga emisione të tipit “late late show” nëpër botë, ku të ftuarit pyeten me një humor shumë fin dhe tregojnë shpenguar gjëra që nuk kanë guxuar t’i rrëfejnë kurrë në ekran, Mamaqi ka shtuar diçka nga vetja, diçka shqiptare, tipike shqiptare: një vajzë-objekt. Ka shtuar një vajzë të bukur, shumë të bukur dhe shumë provokuese në veshje, që mëton të bëjë pyetje provokuese. Apo më saktë, prezantohet si ajo që bën pyetje provokuese. Ishte pikërisht ajo që bëri dhe zhurmën këtë herë, kur ngacmoi të ftuarin “Po gjithë këto udhëtime i bën për të takuar goca?”. Ndoshta i është dukur pyetje e zgjuar dhe ngacmuese, për botën tonë shqiptare ndoshta edhe është. Ne e kemi zakon të shfaqemi kështu si “p…s…”, edhe në ekran, të qeshim e të shkelim syrin, edhe pse mund të jemi në krah të të fejuarës, kushdo vajzë shqiptare do kishte qeshur në vend të Alines, nga zori a nga turpi nuk do ishte ndjerë, por jo Aline. Ajo ka shpërthyer: “Kjo është shumë e pavend. Kjo nuk është për të qeshur. E di që kjo është Shqipëria dhe ju nuk keni respekt për gratë, por kjo e kaloi cakun. Të mos respektosh gratë nuk është për të qeshur. Jam e lodhur nga kjo botë që bën kështu gjërash. Nuk është në rregull. Kanali im në youtube me miliona ndjekës është për të drejtat e grave dhe ti bën këtë pyetje. Gratë në Shqipëri trajtohen si muti, si objekt”.
Për Ermalin dhe velinën e tij ndoshta qe thjesht një shaka. Në kuadrin shqiptar të shakasë ata nuk kanë kaluar asnjë limit, të ftuarit në atë studio kanë mbajtur shumë më shumë. Por duhet një shembull që vjen nga jashtë, që t’i bëjë njerezit të reflektojnë: kujt i shërbejnë të tilla spektakle të fjalës, ku fjala është gjëja më pa vlerë?! Aline, në fund të fundit, irritimin më të madh e kishte nga fakti që pyetja që e trajtonte si objekt i erdhi nga një vajzë që shfaqet çdo të shtunë thjesht si objekt. Por vetë objektet nuk dëgjojnë nga ai vesh: me siguri e shtuna ka qenë e frytshme, klikimet në rrjet janë në majë nga lotët e Alines./ Nga IVA TIÇO për TIRANA POST