Kulturë

Regjisori Saimir Kumbaro : Robert Ndrenika është aktor i rrallë dhe njeri me modesti të jashtëzakonshme

+

rrobbdnrenik
Dje, në 75 vjetorin e lindjes së aktorit Robert Ndrenika, ka folur edhe një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të disa filmave, regjisori Saimir Kumbaro…
“Bert Ndrenika ka lënë gjurmë në ekran dhe në teatër, është një nga figurat që rrallëherë vijnë në teatër dhe kinematografi. Mua Berti nuk më duket 75 vjeç, sa mbush sot, por ai që kam njohur që kur ishim studentë.
Berti u diplomua për inxhinieri, por pastaj përfunduam të dy në art, sepse e tillë ishte koha atëherë. Jemi miq prej shumë vitesh, madje jemi edhe komshinj, por përveç miqësive e rrethanave të tjera, kemi bashkëpunuar në 4 filma, te ‘Koncert në vitin ‘36″, “Nxënësit e klasës sime”, “Ne dhe Lenini” dhe “3 njerëz me guna”. Që është aktor i madh, kjo është e ditur tashmë prej shumë kohësh por, përveç kësaj, Berti është aktor shumëplanësh, është bashkëpunues me regjisorin, prandaj edhe kemi gjetur gjithnjë gjuhën e përbashkët. E them këtë, sepse ka edhe aktorë që u pëlqen mendja e tyre dhe nuk është as i pëlqyeshëm e as i thjeshtë bashkëpunimi me ta. Berti nuk e ka kërkuar dhe as e kërkon famën, nuk do të jetë pjesë e këtyre eventeve boshe që bëjnë sot të gjithë.
Tipari i tij i padiskutuar është modestia. Është nga ata njerëz të paktë, të cilëve mund t’u thuash artistë, atij dhe emrave si Bujar Lako apo Timo Flloko. Tani ‘artist’ është bërë një fjalë thuajse banale, aq pa vend dhe abuzivisht përdoret. Berti është ndryshe nga gjithë të tjerët që bëjnë zhurmë për asgjë. As në këtë ditëlindje të tij të 75¬të nuk e shohim askund e meqenëse ai nuk pranon të flasë për veten, jemi ne që duhet të bëjmë zhurmë për këtë burrë të rrallë. Ka pasur peripeci në jetë, qoftë në atë private, qoftë në atë profesionale, megjithëse nuk u morën gjatë me të për shkak të cilësive të padiskutuara si aktor. Bertit i hoqën rolin te filmi “Fije që priten” për shkak të biografisë, kishte një vëlla që donte të arratisej. Kur ka vdekur Enver Hoxha. kemi qenë duke xhiruar një film te Mali me Gropa. Nuk e besonim lajmin dhe flisnim të gjithë me njëri¬tjetrin, duke pyetur në ishte e vërtetë. “Më duket se e mori mortja”, tha Berti. Këtë nuk e them kot, sepse ishte e rrezikshme asokohe të nxirrje këtë fjalë nga goja, mund ta bënte ose një provokator, ose një njeri vërtet i pastër e i drejtë! Berti ishte pa dyshim ky i fundit, dhe kjo ishte shenjë besimi që krijohej mes nesh. Filmi ‘Koncert në vitin ‘36’ ishte i rëndësishëm për të, sepse e pa Enver Hoxha dhe i pëlqeu shumë, e cilësoi të gjithë ekipin si shumë të mirë. Ai kishte qenë në fije të perit, sepse sapo i kishin hequr rolin te ‘Fije që priten’ por pas ‘Koncertit…” nuk e ngacmoi më askush. Madje, Hoxha e ka përmendur edhe në një nga veprat e tij. Pastaj sigurisht që vazhdoi karrierën dhe mori rolet e shumta e të bukura që të gjithë i njohim. Ka dy kategori aktorësh, karakteri dhe protagonisti, siç janë ata që luajnë heronjtë. Berti është aktor karakteri, pra ajo kategori që nuk të ngulitet në mendje dhe nuk mund ta harrosh kurrë!”./Panorama