Kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 korriku, ja sa do të jetë shtesa
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
“Ura e mbretit Shën Luigj”, një libër i sjellë në shqip nga Botimet Living, që u shkrua në vitit 1928, 7 muaj më vonë fitoi çmimin Pulitzer, në 1928-ën.
Çmimet, përkthimet në më shumë se 40 gjuhë të huaja, leximet, më shumë se 100 edicionet, ekranizimet, por edhe veprat që u frymëzuan nga “Ura” e Thorton do të jehonin edhe gati 100 vite më vonë. Një kompozitor gjerman, Hermann Reutter, shkroi një opera bazuar në këtë novelë. Hollivudi e ka ekranizuar tre herë, në 1929-ën, 1944-ën dhe së fundi në vitin 2004 me Robert De Niron. E shkrova këtë të fundit se kur ia dhashë mikes time ta lexonte, ia prezantova shumë thjesht:
“Është viti 1714, në Peru. Një urë e ndërtuar nga Inkasit një shekull më parë shembet dhe bashkë me të edhe pesë njerëzit që po kalonin në të. At Xhuniperi, një prift françeskan qëllon pikërisht në atë moment aty pranë, shikon gjithë ngjarjen dhe i çliruar që ka shpëtuar, vendos të mësojë gjithçka për pesë të pafatët që humbën jetën në aksidentin tragjik. Thonë se gjithçka që na ndodh është pjesë e fatit të shkruar për secilin prej nesh dhe është e pashmangshme. Por cilët ishin ata njerëz dhe çfarë i çoi mbi urën e mistershme të gjithë bashkë? Përse jetët e tyre duhet të shkëputeshin pikërisht atë çast? Pse u ndodhi atyre të pestëve? A ka një plan për secilin prej nesh? Ishte thjesht një aksident apo ndodhia ishte e parashkruar? Këto pyetje ka prifti që i shpëtoi vdekjes dhe që nis një kërkim 6-vjeçar për secilin prej këtyre personazheve që humbën jetën në atë urë. Pesë jetë njerëzish që duan, besojnë, urrejnë, janë egoistë e vetmitarë. Çfarë i bashkon ata? Pesë rrëfime të mrekullueshme që e bëjnë këtë libër një nga 100 më të mirët e renditur nga shkrimtarët e kritikët”.
Në fund ka vetëm një mesazh, atë që edhe Toni Blair e ka cituar në më shumë se dy nga fjalimet e tij : “Ka një tokë të të gjallëve dhe një tokë të të vdekurve. Dashuria është ura, e vetmja mbijetesë dhe i vetmi kuptim.” Në fakt, e gjithë faqja e fundit e këtij libri është mesazhi.
Vijon ne faqen e dyte
STRUKTURA E LIBRIT
Pjesa e parë: Ndoshta ishte një aksident.
Rrëfen aksidentin dhe synimin e At Xhuniperit, një prej personazheve për të zbuluar më shumë e për të shkruar një libër për këto viktima, me synimin për të gjetur një përgjigje se pse Zoti zgjodhi ata të pestë.
Pjesa e dytë: Markeza de Montemajor
Një personazh i rrëfyer në mënyrë të mrekullueshme. edhe pse pjesa më e gjatë e librit, autori a redaktori i tij, edhe nëse do të donte të hiqte diçka për t’i dhënë një hapësirë të njëjtë të gjitha historive, nuk do të mund të hiqte asgjë. Çdo fjali rrëfen diçka më shumë për një nënë, që çmendet nga dashuria për vajzën që nuk i përgjigjet dashurisë së saj. Thorton Wilder nuk e ka sajuar këtë personazh, por e ka ndërtuar sipas historive që kishte dëgjuar për Maria de Rabutin-Chantal, një zonjë e njohur për historianët e për oratorët që ka jetuar në vitet 1626-1696, e famshme për letrat e saj. Markeza de Montemajor bie në humnerë, në lumë bashkë me shoqëruesen e saj Pepitën.
Pjesa e tretë: Esteban
Esteban është viktima e tretë e këtij aksidenti tragjik. Ai është binjaku i Manuelit dhe pas humbjes së të vëllait, ai është i vetëm në botë. Herë është Manuel e herë Esteban, derisa bie atë të premte nga ura.
Pjesa e katërt: Xha Pio
Xha Pion e njohin të gjithë, në pjesën e dytë të librit, edhe në pjesën e tretë, ashtu sikurse edhe aktoren La Perichole. Ai ishte mësuesi i saj, me gjasë edhe i ati. Edhe aktorja nuk është një personazh i sajuar. La Perikole ka qenë një ndër aktoret më të bukura të teatrit aso kohe dhe njihet për historinë e dashurisë famëkeqe me Guvernatorin e Perusë, Don Andreas. Për të ka shkruar edhe Prosper Merime. Xha Pio, pasi ka rritur aktoren, dëshiron të mësojë edhe djalin e saj, që atë ditë bashkë me të humb jetën në urën e mistershme.
Pjesa e pestë: ndoshta ishte e parashkruar
Është pjesa ku pritet përgjigje, e ku përgjigjja humbet me një tjetër vdekje, atë të priftit që dënohet për herezi. Në fakt, nuk ka një përgjigje, por shumë të tilla për vdekjen e këtyre 5 personave.
SHËNIME
Traditës për të nxjerrë thëniet mënjanë në fleta të verdha shënimesh nuk i shpëtova as me këtë novelë.
Për artin
• Stili është si një enë disi e pavlerë, që i sugjeron botës gjëra të hidhura
• Krijime të tilla, që duken të mrekullueshme për ne, për ata (flet për shkrimtarët e mëdhenj) janë paksa më të mira se sa rutina e një dite.
• E folura, ndonjëherë është një formë e zvetënuar e heshtjes.
• Ne vijmë nga një botë ku kemi njohur vepra artistikisht të përsosura, e vagëllimthi kujtojmë bukuri të cilat nuk janë arritur më, prandaj kthehemi përsëri tek ajo botë.
• Artëdashësit, për të cilët janë bërë kryeveprat, ndoshta nuk ndodhen në këtë botë, a ndoshta nuk ndodhen afër.
Për dashurinë
• Dashuria për fëmijën është aq e madhe sa përfshin të gjitha ngjyrat e dashurisë, por edhe ajo dashuri nuk është pa një dozë tiranie. Sepse ndonjëherë i duam fëmijët, jo për t’i bërë mirë atyre, por vetes.
• Kënaqësia nuk është më aq e thjeshtë , sa të ngërnët, kur ndërlikohet nga dashuria.
• Shumë njerëz nuk do të kishin rënë kurrë në dashuri, nëse nuk do të kishin dëgjuar për të.
• Fjala dashuri është e pamjaftueshme për të përshkruar unitetin e dy njerëzve.
• Në teatër mbizotëron ideja se dashuria është përkushtim.
• Edhe në një marrëdhënie dashurore të përsosur, njëri nuk dashuron aq fuqishëm sa tjetri. Mund të gjenden dy njerëz njësoj të mirë, njësoj të talentuar, njësoj të bukur, por kurrë nuk mund të gjenden dy që e dashurojnë njëri-tjetrin njëlloj.
• Në dashuri ndjesia për gabimet e bëra, duket se nuk zgjat shumë në mendjet tona.
• Kujtesa nuk është e domosdoshme për dashurinë. Ka një tokë të të gjallëve dhe një tokë të të vdekurve dhe dashuria është ura, e vetmja mbijetesë, i vetmi kuptim.
Për jetën
• Ne sakrifikojmë ato gjëra që e dimë se nuk i arrijmë dot ose që disa dije të fshehta na tregojnë se do të jenë të pakëndshme ose të trishtueshme po t’i zotërojmë.
• Në botë, padrejtësia dhe mjerimi janë të përhershëm.
• Të varfrit, ngaqë nuk e kanë njohur kurrë lumturinë, janë të pavetëdijshëm ndaj së keqes.
• Vetëm për njerëzit shumë të ditur mund të thuhej se e dinë që janë të trishtuar.
Autori, Thorton Wilder e shkroi “Urën e mbretit Shën Luigj”, i frymëzuar nga bisedat me të atin, një prift kalvinist. Por, më shumë se për kishën dhe besimin, “Ura” e tij na rrëfen një rrugëtim për të gjetur përgjigjet e atyre pyetjeve që na kanë shoqëruar të gjithëve, teksa humbim diçka a dikë, e kur rreshtim së kërkuari e rigjejmë sërish. Sepse fuqia është e jona. LUELA MYFTARI
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Vin Diesel po i kërkon një gjyqtari të Los Anxhelosit që të hedhë poshtë padinë e ngacmimit se*sual të ngritur ku...
Çmimi i kakaos është rritur me shpejtësi gjatë muajve të fundit. Një ton kakao të martën arriti vlerën e m...