Kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 korriku, ja sa do të jetë shtesa
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Dizajnuesit Anna Citelli dhe Raoul Bretzel zbulojnë për revistën “Living” projektin Capsula Mundi, i cili po bën zhurmë në të gjithë botën. Ky projekt rreket ta shndërrojë njeriun që ka ndërruar jetë në një pemë që do të jetë për shumë shekuj, duke zhdukur kështu varrezat me pamje të trishtë dhe duke ndërtuar në vend të tyre më shumë pyje të bukur. Diskutimi për vdekjen mund të jetë i rëndë dhe aspak i këndshëm, por ndonëse ky projekt do t’ju përballë me frikën tuaj më të madhe, ia vlen të mësoni për të...
KUSH është KUSH?
*Anna Citelli, e diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura, në Bari, në vitin 1987. Në të njëjtin vit u shpërngul në Milano. Ka punuar në agjenci reklamash si ilustruese dhe po ashtu është marrë me përgatitjen e stendave për panaire tregtare, dizajni dhe ka punuar me fotografë për ndërtimin e modeleve. Ka marrë pjesë personalisht në ekspozita kombëtare e ndërkombëtare dizajni. Jeton dhe punon në Milano.
*Raoul Bretzel nisi të punojë me babanë dhe motrën e tij në një studio arkitekture. Gjatë këtyre viteve, pati kontakt me botën e dizajnit industrial dhe mori pjesë në ekspozita dizajni. Në vitin 1995, drita Eola, që ai projektoi për kompaninë “Bilumen”, hyri në Koleksionin e Dizajnit në Muzeun e Artit Modern, MOMA, në Nju Jork. Pavarësisht kësaj, s’ndryshoi mendje për të shkuar dhe për të jetuar në fshat, nga ku do të fillonte sërish studimet. Kështu, ai u shpërngul në një shtëpi që ndodhej në mes të një fushe të gjelbër, që është ende shtëpia e tij dhe u diplomua në Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore. Gjatë këtyre viteve, ka bashkëpunuar me universitetin për të organizuar ekspozita mbi lidhjen mes artit e dizajnit. Në fund të kësaj faze të dytë studimesh, u përzgjodh tri herë për të marrë pjesë në Salone Satellite, pjesë e panairit të arredimit Mobile në Milano, si dhe ka dizajnuar apo marrë pjesë në projekte për fushën e vlerësimit ekologjik. Disa prej tyre janë botuar në revista kombëtare dhe ndërkombëtare.
Shumë prej nesh kanë pasur mundësi që të vizitojnë varreza dhe kemi ecur në rreshtat e pafund me mermer të ftohtë dhe statuja engjëjsh që qajnë. Capsula Mundi ka një zgjidhje të shkëlqyer: bulba varrimi me bioplastikë që ushqejnë farat e pemëve teksa trupi dekompozohet. Procesi i dekompozimit natyral e ushqen pemën sipër e me kalimin e kohës, hapësirat mund të kthehen nga varreza të shkreta në pyje të dendur që shërbejnë si përkujtimore. Me mbi 7 miliardë persona në planet, mënyrat aktuale të varrimit duhet të rishikohen. Nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të sistemuar mbetjet e një popullate që vazhdon të jetë në rritje në një planet me hapësirë të kufizuar. Edhe djegia e trupave kërkon një energji të madhe. Me bulbat e varrimit si ato të krijuara nga Capsula Mundi, një trup, që s’është përzierë me lëndë toksike, mbështillet në një pozicion fetusi dhe vendoset brenda një bulbe të bërë me bioplastikë. Fara e pemës vendoset brenda në kapsulë dhe bulba më pas groposet në një tokë pjellore. Në vend që të afërmit të vizitojnë një gur varri të gdhendur, ata vizitojnë një pemë të bukur, që mund ta ushqejnë teksa rritet. Pemët që mbillen duhet të jenë të zonës: për shembull, në një zonë malore të Italisë, do të kishte mundësi si bredhi, thupra, panja apo dëllinja, ndërsa në zonat mesdhetare mund të mbillen mërsina, plepi, ulliri apo eukalipti. Me rritjen e sipërfaqes së varrezës, shtohet numri i pemëve dhe zona kthehet në një pyll të shenjtë: trupi i njeriut i kthehet botës së natyrës nga e cila erdhi dhe toka e djerrë pyllëzohet sërish me trupat e atyre që jetuan dhe dashuruan aty. Ky është një dizajn konceptual ndërkohë që legjislacioni për varrimin po rishikohet nëpër botë, por të shpresojmë që në të ardhmen e afërt do të bëhet realitet. “Ideja lindi pas reflektimit mbi rolin e një dizajnuesi gjatë një veprimtarie ndërkombëtare me tematikë inovacionin në fushën e arredimit. I kemi parashtruar vetes si dizajnues disa pyetje mbi rolin që na takon në një shoqëri, e cila tanimë është larguar nga natyra dhe është pajisur me një sërë objektesh për çdo nevojë të sajën. Kemi dashur që punën tonë t’ia kushtojmë një momenti të rëndësishëm në jetë, një momenti të mbushur me simbole, siç janë lindjet dhe martesat. Ky është një nga ato momente kur nuk konsumohet apo prodhohet më. Pra, teorikisht qëndron shumë larg ambientit, të cilit projektuesit i kushtojnë punën e tyre. Arkivoli është një objekt i harruar nga projektuesit. Ai shndërrohet në një mjet, i cili na bën të reflektojmë dhe të mendojmë se jemi pjesë e ciklit biologjik të jetës, na bën të reflektojmë mbi tabunë më të madhe të kohës sonë: vdekjen. Nëse e gjykojmë vdekjen nga pikëpamja “biologjike”, atëherë nuk ka terr, privim apo degradim. Trupi ynë i pajetë vazhdon të prodhojë elementë përmes transformimeve natyrore”, thotë Anna Citelli, bashkëprojektuese e Capsula Mundi.
Ky është projekti i parë italian, krijuar për realizimin e varrezave ekologjike; një depozitë me një formë të vjetër e të përsosur, si e vezës, e bërë me materiale bioplastike, ku kufoma vendoset në pozicion fetusi. Capsula Mundi vendoset si “fara” e një bime në tokë dhe një pemë mbillet mbi të. “Mineralizimi i ngadaltë i vezës ndodh paralelisht me rritjen e ngadaltë të pemës, të cilat janë pjesë e realizimit të ciklit të pafund biologjik të jetës. Si pasojë, materiali plastik nuk është i dëmshëm për natyrën dhe në momentin që groposet, ai shpërbëhet nga mikroorganizmat dekompozues në tokë. Ky material nuk do të pengojë transformimin e natyrshëm të elementëve organikë që gjenden në trupin tonë, në minerale, të cilët ushqejnë pemën”, thotë Raoul Bretzel, autori tjetër i projektit Capsula Mundi. “Për sa i përket funksionimit, ne i besojmë thjesht ciklit biologjik: toka përmban mikroorganizma natyrorë, të prirë ndaj transformimeve të substancave organike. Ky është një proces mineralizimi i eksperimentuar shumë herë nga vetë natyra. Varrezat “e gjelbra” dhe “varrimet ekologjike” janë zhvilluar shumë jashtë shtetit, si për shembull në SHBA, Zvicër dhe në Angli”.
Pema zgjidhet kur personi është gjallë dhe të afërmit e miqtë kujdesen për të pas vdekjes. Varreza nuk do të jetë më e mbushur me varre, siç jemi mësuar të shikojmë dhe të trishtohemi, por ajo do të kthehet në një pyll të shenjtë. Sepse njeriu nuk i përket vetëm racës njerëzore, por jetës komplekse të planetit. Pema përfaqëson bashkimin mes tokës dhe qiellit, materiales e jo materiales, trupit dhe shpirtit. Bota e bimëve është një element kontakti mes nesh, organizmave kompleksë dhe bota minerale është një burim pa vlera ushqyese. Ditët e sotme, ndërtimi i arkivolit kërkon prerjen e një peme të vjetër, që është dru i çmuar. Arkivoli ka një cikël të shkurtër jete dhe është produkt i shoqërisë sonë. Rritja e një peme kërkon 10 deri në 40 vjet dhe kësisoj arkivoli përdoret vetëm tre ditë. Capsula Mundi prodhohet me material bioplastik të biodegradueshëm. Niseshteja që përdoret merret nga bimët e sezonit, siç janë patatja apo misri. Capsula Mundi e shpëton jetën e pemës dhe bën të rritet një tjetër. Duke mbjellë lloje të ndryshme peme ngjitur me njëra-tjetrën, formohet një pyll. Një vend ku fëmijët mund të mësojnë gjithçka mbi pemët. Ai do të jetë po ashtu vendi për një shëtitje të bukur dhe që neve na kujton njerëzit e dashur.
Autorët thonë se ky projekt ka ngjallur shumë interes gjatë prezantimeve në panaire të ndryshme dhe janë të shumtë ata që pyesin se ç’duhet të bëjnë për të qenë pjesë e “pyllit të kujtesës”. Kërkesat vazhdojnë të jenë të shumta. Capsula Mundi nuk është bërë kurrë pjesë e një skandali apo të ketë bezdisur një pjesë të shoqërisë. Është mirëkuptuar çdo pjesë e tij, kundrejt çdo pritshmërie. “Nga jashtë na kanë ardhur kërkesa konkrete, sidomos nga Amerika, kërkesa të cilat po i vlerësojmë. Aktualisht, po bashkëpunojmë me “Livinglegacy”, një kompani australiane, e cila është duke punuar mbi një projekt të zgjeruar dhe të strukturuar në bashkëpunim me pushtetin vendor. Ky projekt ka në qendër të tij realizimin e varrezave të gjelbra, që shihen si alternativa të mira për të mirëmbajtur territorin. Me anë të këtij bashkëpunimi, në vitin 2016 do të hedhim hapat e parë konkretë të projektit “kapsula-pemë-pyje”, duke nisur fillimisht me vezë më të vogla për hirin”.
Sipas Citelli-t dhe kolegut të saj, Bretzel, Capsula Mundi është një projekt i hapur për të gjithë njerëzit, pavarësisht se cilës feje apo kulture i përkasin. Kushdo mund të zgjedhë ritualin më të përshtatshëm për besimin që i përket apo natyrës së tij laike. Ndërkohë, pylli nuk duhet të përmbajë simbole fetare apo sende të çdo lloji, në mënyrë që të jetë i hapur për të gjithë, sidomos për t’u shkrirë e për t’u bërë sa më njësh me natyrën.
{gallery}fotogaleri2016/caps{/gallery}
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Vin Diesel po i kërkon një gjyqtari të Los Anxhelosit që të hedhë poshtë padinë e ngacmimit se*sual të ngritur ku...
Çmimi i kakaos është rritur me shpejtësi gjatë muajve të fundit. Një ton kakao të martën arriti vlerën e m...