Teknologji

Të "përgjuarit" në rrjetet sociale, një prirje kolektive/ A janë më të lumtur ata që qëndrojnë jashtë botës virtuale?

+

bjondjaj

"Në 10-vjeçarin e fundit duket sikur shtëpive, punëve dhe jetës private, ua kemi shembur muret me duart tona. Gjithkush mund të rrijë dhe të të përgjojë nga “dritarja” e vet, sepse gjithë bota tani është thuajse transparente, falë zhvillimit të teknologjisë së komunikimit. Kjo gjë na ka lehtësuar në shumë aspekte, ashtu sikurse na ka zhveshur nga të pasurit e një jete private. Sigurisht që kjo është çështje zgjedhjeje, por sa janë ata që i kanë bërë ballë këtij tundimi? Dashur pa dashur, të gjithë kemi rënë në rrjetën e merimangës virtuale, duke përfituar nga lehtësirat që ajo i ka sjellë komunikimit, por tentakulat e saj janë gjithnjë në përpjekje për të na shkëputur nga jeta e vërtetë. Në këtë dyzim, nuk di se nga cila anë ta peshosh prioritetin, ndërkohë që ekuilibrimi është shumë i vështirë, për shkak të përdorimit masiv të rrjeteve sociale" 
Psikologia Silva Loka, me një gjykim zhvillues dhe të mprehtë, shpalos analizën e këtij fenomeni që sa na kënaq, aq edhe na bën të qahemi prej tij.
E KA MË TË THJESHTË DHE MË TË BUKUR JETËN NJË PERSON, I CILI NUK KA ASNJË LLOGARI PERSONALE NË RRJETET SOCIALE?
E thënë kështu, duket sikur pasja ose mospasja e një llogarie në rrjetet sociale përcakton nivelin e thjeshtësisë apo bukurisë të jetës sonë. Druaj se jeta e njeriut nuk mund të reduktohet deri në këtë pikë. Le të biem fillimisht dakord për dy përcaktime. Një jetë e thjeshtë është një jetë që nuk kërkon shumë përpjekje dhe mund për t’u jetuar. Nga ana tjetër, zotërimi i gjërave jomateriale, si: dashuria, familja, pasja e një qëllimi të lartë në jetë etj., janë ato çka kanë marrë dakordësinë më të madhe si përcaktues të një jete të bukur e të lumtur. Thënë sa më sipër, a mund të ketë një jetë të thjeshtë dhe të bukur një njeri i rrjetëzuar virtualisht? Personalisht them se po.
Them se të gjithë biem dakord që, njeriu ka nevojë për të qenë pjesë e shoqërive të caktuara dhe për ta bërë këtë ka nevojë të komunikojë. Nga ana tjetër, komunikimi i drejtpërdrejtë jo gjithmonë është i mundur. Atëherë, për të mbajtur kontaktet, njeriu ka krijuar dhe përdorur forma alternative komunikimi, sikurse është komunikimi kibernetik. Me fjalë të tjera, për ta bërë jetën më të lehtë dhe më të bukur. Vetëm se, nëse e humbasim fillin e arsyes primare për të cilën ne hapim një llogari personale rrjetëzimi social, pra të rrjetëzohemi me njerëz të tjerë, atëherë zotërimi i një profili social kibernetik tenton të na gllabërojë kohë dhe pjesë të rëndësishme të jetës reale dhe tenton gjithashtu të na ngopë me lugë bosh duke na tëhuajësuar nga dashuria ndërnjerëzore
PËRSE JEMI GJATË GJITHË KOHËS TË PROVOKUAR NGA KURESHTJA PËR “TË PËRGJUAR” JETËN E PERSONAVE TË TJERË?
Sa për fillim, kuriozitet. Askush nuk e ka parë të ndodhë, por thonë se “kurioziteti vrau macen”. Kurioziteti është një ndër motivet më të fuqishme të sjelljes njerëzore, sidomos ai që lidhet me jetën e njerëzve të tjerë. Prej ushtrimit të kuriozitetit, ne arrijmë të mbledhim informacione, të cilat më vonë mund t’i përdorim për të lehtësuar jetën tonë, sidomos jetën sociale. Fjala vjen, nëse të gjitha mikeshat tona veshën këtë verë pantofla me pelush, atëherë ndoshta duhet t’i veshim edhe ne.
Nga ana tjetër, jetët e të tjerëve online janë bërë shumë të hapura për publikun, gati-gati transparente. Koncepti i publikes dhe privates është transformuar në mënyrë rrënjësore, duke e bërë jetën e tjetrit lehtësisht të perceptueshme. Shtoji këtij argumenti edhe faktin që ne mund të bëjmë lehtësisht komente për jetën që shpaloset virtualisht dhe, ja ku u bë. Përveç jetës tonë, ne angazhohemi të marrim pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në jetën e tjetrit.
A NDIKON JETA VIRTUALE NË KRIJIMIN E NJË LLOJ NGARKESE MENDORE DHE SHKËPUTJE NGA JETA E VËRTETË?
Zotërimi i një profili në rrjetet sociale nuk është një fjalë goje. Ai përfshin përditësimin e profilit, komunikimin me miqtë dhe miqtë e miqve, informimin për ngjarje që prekin ose jo, të përditshmen tonë, lundrimin në faqe të cilat vijnë tek ne me oferta për produkte ose shërbime që lidhen me interesat tona pas përpunimit të çdo lëvizjeje që ne kemi bërë online. E thënë me fjalë të tjera, ne nuk zotërojmë thjesht profilin tonë, por profili ynë, në vetvete, është një portë përmes të cilës ne lejojmë, me vetëdije dhe pa vetëdije, këmbimin e një volumi tepër të madh informacioni midis vetes dhe të tjerëve. Le t’i shtojmë këtij parashtrimi edhe faktin se një pjesë e informacioneve kanë ngarkesa të caktuara emocionale.
Kaq do të mjaftonte për të arritur në konkluzionin se rrjetëzimi social virtual krijon ngarkesë në jetën tonë.
Mirëpo druaj se do të ishim të padrejtë, nëse këtij argumentimi i heqim kryekëput një element të rëndësishëm; faktin se ne, zotëruesit e llogarive online, mund të drejtojmë veten lidhur me: kohën që duam të kalojmë në internet; grupin e njerëzve me të cilët kemi interes të komunikojmë në momente të caktuara; natyrën e informacionit që duam të përcjellim apo të lejojmë etj.
MUND TA QUAJMË VETEN ME FAT QË PO JETOJMË NË BUMIN E VËRSHIMIT TEKNOLOGJIK DHE VEÇANËRISHT ATË TË RRJETEVE SOCIALE?
Gjykoj se nuk është çështje fati apo disavantazhi. Ne po jetojmë në kohën e zhvillimit tepër të shpejtë të teknologjisë. Dhe këtë zhvillim e kemi pranuar tanimë. Pa më të voglin dyshim, teknologjia dhe komunikimi kibernetik po e lehtësojnë jetën tonë në shumë aspekte. Ndërkohë, ndiejmë një konflikt të brendshëm lidhur me haraçin njerëzor/social, që duket se po paguajmë. Rrjetet sociale janë krijuar për të na lehtësuar shoqërizimin, por duket se shoqërizimi virtual ka ulur ndjeshëm kohën dhe cilësinë e shoqërizimit real.
Ne jemi vënë përballë nevojës për të kuptuar se zhvillimi i teknologjisë së informacionit ka sjellë dhe do të sjellë transformime të mëdha në jetët tona, edhe në mënyrën se si ne do të krijojmë marrëdhënie me të tjerët rreth nesh.
KUSH ËSHTË MË I PRANUAR NË KËTË LLOJ REALITETI, NJË PERSON QË KA LLOGARI NË ÇDO LLOJ RRJETI TË MUNDSHËM, APO DIKUSH QË NUK KA ASNJË LLOGARI TË VETME?
Kështu e vendosim njeriun vetëm përballë dy zgjedhjeve ekstreme. Së pari, njeriu është një qenie sociale dhe si e tillë ka nevojë të krijojë ura dhe kode komunikimi me të tjerët. Së dyti, rrjetet sociale janë një kanal komunikimi, i cili ka kodet e tij të shkëmbimit të informacionit e, për rrjedhojë, të krijimit të marrëdhënieve sociale. Nëse biem dakord me këto dy argumente, atëherë mendoj se përcaktimi i një numri llogarish personale në rrjetet sociale si etalon i normalitetit të funksionimit të shëndetshëm, nuk do të na çonte kurrkund. Përse e mendoj kështu? Sepse unë besoj në fuqinë e njeriut për të zgjedhur mënyrën më të mirë për rrjetëzim social. A e kam gjetur ekuilibrin midis teknologjisë, nevojës për rrjetëzim social dhe qetësisë personale? Përpiqem vazhdimisht t’i kujtoj vetes se përdorimi i teknologjisë është në përgjegjësinë time. Ashtu sikurse është në përgjegjësinë time edhe menaxhimi i nevojës për rrjetëzim social. Në fund të fundit, është qetësia ime personale, ashtu sikurse e gjithsecilit prej nesh, ajo që do të përcaktojë edhe numrin e “rrjetave” sociale ku ne do të hidhemi. Ky numër mund të jetë edhe zero. Nga Elona Jaçellari/ Revista Living Vjeshtë 2018