2018-a do t'i sjellë Cubit ndryshime të mëdha

+

cubbie
Esmeralda Mekta, ose siç e njohim të gjithë, me nofkën e saj, Cubi, është nga ato vajza që mezi i pret festat e fundvitit. Fakti që jeton ende me prindërit, ndoshta nuk ia ka zbehur dëshirën fëmijërore për t’u iluzionuar pas këtyre festave. Të ndjesh gëzim edhe për gjërat më të vogla të jetës, pa dyshim që është bekim. “Është e vetmja periudhë e vitit që unë i kushtohem vetëm familjes, - shprehet Cubi për revistën ‘Living’. - Duke qenë se gjithë vitin jemi të shpërndarë, në këto festa mblidhemi të gjithë bashkë. Po të isha çift, sivjet do t’i kaloja diku tjetër festat, por jo, do të qëndroj prapë me familjen. Do të rrimë në shtëpi dhe mezi e presim, se është e vetmja kohë kur rrimë bashkë. Jemi familje e madhe, 11 persona gjithsej: dy vëllezërit e martuar, me fëmijë, dhe motra gjithashtu. Njeriu përpiqet ta përjetojë në maksimum këtë periudhë, me gjithë çka i gjenden pranë e kështu bëj edhe unë”. Cubi është ajo që kujdeset për dekorimin e shtëpisë, zbukurimin e tryezës dhe dhuratat. Ajo ka ruajtur nga vegjëlia entuziazmin për të festuar dhe bën të pamundurën për t’i kënaqur të gjithë, por nuk e ka iluzionin që të krijojnë ndonjëherë këto festa. “Dikur prisja se do të ndodhte diçka ndryshe, se do të më ndryshonte jeta, ndërkohë që sot nuk e pres kështu, sepse e di që asgjë nuk do të ndryshojë. Çdo gjë do të jetë njësoj, thjesht ikën një vit nga jeta. Kam filluar të bëhem pak meditative. Në një çast të caktuar, ti mendon: ‘Iku dhe ky vit. Çfarë na pret? Ndryshime në jetë, në punë, duhet të rendësh me energji tjetër?’ Dikur bëja plane, për shembull: Në janar do të ndryshoj këtë gjë, atë gjë, etj., por duke qenë se pas Vitit të Ri është po i njëjti ritëm, kuptova se nuk ndryshon ndonjë gjë kushedi. Megjithatë, këtë Vit të Ri e pres ndryshe. 2018-a do të vijë me plane të mëdha për mua. Do të më gjejë në shtëpinë time, ndoshta me familjen time, siç i kemi planet, por e lëmë me kaq se nuk dua të tregoj më shumë. Mund të them vetëm se viti që vjen, pres të jetë shumë i mbarë për mua,” - përfundon rrëfimin e saj Cubi. Nga Elona Jaçellari/Fotografia Armand Habazaj