Kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 korriku, ja sa do të jetë shtesa
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Carolina është vajza e moderatorit e gazetarit të njohur italian, Alberto Castagna, i cili nuk jeton më. Drejtuesi i “Stranamore”-s së famshme, ndonëse është larguar fizikisht nga kjo botë, nuk është harruar nga publiku shqiptar. E bija, Carolina, për katër vjet ka studiuar në Tiranë, në universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”, por tani është kthyer në Itali, duke marrë me vete plot kujtime të bukura nga “vendi i vogël i surprizave të mëdha”...
Pyetja që i lind gjithkujt është se “ç’bën e bija e Alberto Castagna-s në Shqipëri” dhe pse ka zgjedhur të studiojë pikërisht në Tiranë?
Të them të drejtën ka qenë një zgjedhje e detyruar. Në Itali kemi një provim të vështirë, të cilin s’e kalova. Atje vendet për në shkollë të lartë janë të kufizuara në fakultetin e mjekësisë, në krahasim me pjesën tjetër të Europës. Kur mora vesh se mund të jepja një provim në Tiranë, universiteti ishte në italisht dhe diploma njihej njëlloj si e “Tor Vergatës”, në Romë, m’u duk një mundësi shumë e mirë. Pastaj mendova se do të ishte interesante edhe për t’u larguar pak nga shtëpia, për të ndryshuar ambient. Është përvojë e re. Isha kureshtare dhe paksa e trembur, sepse nuk po shkoja për studime në Londër, por në Tiranë. E besoj, kur mendoj për imazhin që vite me radhë Shqipëria ka pasur tek italianët. Jam pjesë e një familjeje mendjehapur, që kemi udhëtuar në shumë vende të botës. Familja më ka mësuar të mos paragjykoj. Historia mbetet histori, ndryshe i bie që të gjithë italianët që shkonin në Amerikë të ishin mafiozë. Mbaj mend se kisha pyetur një herë një mik të nënës sime a kishte metro në Tiranë dhe ai më ishte përgjigjur që jo. Tirana është e vogël e kur erdha unë, ishte dhe disi më e prapambetur. Pesë vjet më pare kjo, se tani ka ndryshuar gjithçka; edhe vetë universiteti ku studioj. Kur erdha unë bari nuk ishte, kurse tani është një bar i bukur; kanë ndryshuar mensa, biblioteka. Sa herë që kthehem në Tiranë, këtu është ndërtuar një biznes i ri, është shtuar ndriçimi apo është hapur pedonalja...
Kthehemi pas në kohë. Si ishin ditët e para në Tiranë?
Dramatike. Edhe kur shkon nga Tirana në Nju Jork ndryshimi është i vështirë, imagjino nga Roma në Tiranë. Sigurisht, edhe po të shpërngulesha nga Roma në Milano i tillë do të ishte, se po shkon në një vend të ri, ku nuk njeh njeri e nuk di asgjë. Ditët e para këtu ishin të shëmtuara. Kisha gjetur një hotel afër universitetit, ku ndenja tre javë. Nuk po gjeja shtëpi, se jam shumë kërkuese. Deri sa e gjeta, u enda lart e poshtë, i pashë të gjitha shtëpitë në Bllok gjatë vitit të parë. Unë në Romë kam një apartament me shumë dritë. Nuk kasha qëndruar më parë në hotel për një kohë kaq të gjatë. Ishte e trishtë. Shkoja në hotel vetëm, haja mëngjes vetëm, pastaj merrja mamanë në Skype e kur ajo më shihte të mërzitur, më lutej të kthehesha në shtëpi.
Periudha të tilla të vështira të bëjnë mirë, se të kalisin karakterin. Është e vërtetë, të rrisin dhe të mësojnë shumë. Kur erdha këtu, unë s’dija të bëja asgjë. Merrja në telefon mamanë dhe e pyesja si përdorej lavatriçja. Nuk e kasha përdorur kurrë atë për 19 vjet. As vezën nuk dija ta gatuaja. Jo se tani jam e shkëlqyer, të kuptohemi, por ama mbijetoj (qesh).
Sipas jush, ku ndryshojnë shqiptarët nga italianët?
Jemi dy popuj të ngjashëm. Të metat e italianëve i kam parë edhe te shqiptarët. Ndoshta ngadalësia është e meta e shqiptarëve që e kam më tepër inat. Në Shqipëri shkojnë për të pirë kafe, rrinë me orë të tëra në lokal, ndërkohë që unë jam mësuar ta pi kafenë në këmbë, te banaku. Kur shkoj te parukierja për të rregulluar flokët, rri po tre orë, se do muhabet (qesh). Shqiptarët, nga ana tjetër, janë të sjellshëm, ndryshe nga sa kisha dëgjuar dhe menduar për ta përpara se të vija këtu. Dëfrimi nuk mungon në Tiranë, ndryshe nga Italia. Nuk e di çfarë ndodh në metropolet e tjera europiane, si Londra apo Berlini, por në Tiranë ka shumë lokale, hapet nga një i ri çdo javë. Pastaj, është qytet i vogël dhe fakti që mund ta shëtisësh me këmbë, ofron mundësi të shumta. Krijon grupe të ndryshme, del edhe në momentin e fundit. Nga maji në shtator, lokalet janë të gjitha të hapura gjatë javës dhe luhet muzikë e bukur.
Ju ka befasuar vëmendja që gjetët në Shqipëri, si e bija e Alberto Castagna-s?
Gjatë vitit të parë kur thuhej mbiemri im në klasë, të gjithë habiteshin. Ndërkohë që po ta përmendësh mbiemrin tim në Itali, nuk bën përshtypje, sepse është i zakonshëm. Pastaj, u bënë 11 vjet që im atë ka vdekur dhe, ndonëse më vjen hidhur ta them, ai është harruar disi atje. Ndërsa këtu më pyesnin vazhdimisht nëse isha e bija ose ndonjë familjare e prezantuesit televiziv. Unë mbetesha pa fjalë, s’e mendoja të ekzistonte kjo lloj lidhjeje televizive
e gjuhësore midis Italisë dhe Shqipërisë. Të gjithë këtu më flasin me përzemërsi, thonë se e mbajnë mend babin. Ndesh një admirim për të, që në Itali është shuar.
Pas shërbimit fotografik për Living, jeni ende e sigurt se nuk dëshironi të merreni me modelim?
Gjithmonë kam menduar se bota e spektaklit, pak kohë pasi je futur brenda saj, të rëndet. Do më pëlqente të qëndroja pas kuintave, të bëja gazetaren, regjisoren. Rruga më e thjeshtë do të kishte qenë të merresha me televizion. Ma propozonin këtë që kur isha fëmijë, madje më kanë kërkuar dhe të luaja filma. E vogël kam bërë një reklamë për biskotat e “Mulino Bianco”-s. Por mamaja nuk donte të merresha me televizion, gjë për të cilën nuk jam penduar, sepse edhe profesioni i mjekes më plotëson. Jam e sigurt se do të më japë kënaqësi të tjera.
Si për shembull, të shëtisni botën dhe të ndihmoni fëmijët në vendet e varfra, apo jo? Kam parë në profilin tuaj fotot fantastike me afrikanët e vegjël...
Po, këtë verë isha në Namibi, si vullnetare. Më pëlqeu Afrika. Ishte udhëtimi më i bukur i jetës sime. Shkuam me një organizatë jofitimprurëse, më saktë, me fondacionin e Brad Pitit dhe Angelina Jolie-së. Ata janë vërtet shumë të zotët.
Shkëputur nga Revista Living Dimër 2015 nga Gentian Minga | Fotografia: Endrit Mërtiri | grimi: Suela Cangu
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Vin Diesel po i kërkon një gjyqtari të Los Anxhelosit që të hedhë poshtë padinë e ngacmimit se*sual të ngritur ku...
Çmimi i kakaos është rritur me shpejtësi gjatë muajve të fundit. Një ton kakao të martën arriti vlerën e m...