83 vjeçari jetoi 9 muaj në aeroport, italianët preken dhe i gjejnë shtëpi
Historia e një italiani që kaloi nëntë muaj duke jetuar në një aeroport mund të tingëllojë paksa si komploti i fi...
Nga Gentian Minga, Fotografia Edvina Meta
BRIGELA DEMAJ ka shkaktuar vazhdimisht shumë zhurmë në rrjetet sociale me postimet e saj. Një foto erotike e realizuar prej saj ose edhe autoerotike. Të qenët mbipeshë, shkakton edhe më shumë reagime, por asaj nuk i intereson se çfarë mendojnë të tjerët, ndonëse jeton në një qytet si Shkodra, që është mjaft konservativ. Këtë verë do të shikoni ngado fotografi vajzash me trupa të hollë, buzë detit, me rroba banje, por, ndonëse nuk është e hollë si modelet e revistave, Brigela ka një trup të rregullt dhe të bukur. Mbi të gjitha, ka një dashuri të madhe për këtë trup dhe një koncept ndryshe për bukurinë. Prandaj ne realizuam një shërbim të veçantë fotografik. Më saktë, fotografuam vetëbesimin dhe forcën e gruas, jo një trup...
Faleminderit që e pranove ftesën për një shërbim fotografik disi ndryshe. Është kjo protesta jote e radhës?
Qëndrimet dhe opinionet e mia cilësohen të guximshme apo rebele, nisur nga paralelizmi me kontekstin shqiptar dhe mendësinë e përgjithshme, por për mua janë shfaqje të natyrshme të asaj që jam, mendoj, dhe të vlerave që pretendoj të përçoj tek ata që më rrethojnë. Ky shërbim fotografik është protesta ime e radhës... Gjithçka nisi kur, si pjesa tjetër e njerëzve, në pushimet verore postova një foto me rroba banje, e cila për mendimin tim mori një vëmendje të pamerituar dhe komente nga më të larmishmet. Fotoja ishte e zakonshme, në një ditë të zakonshme, e një vajze të zakonshme, por me një dallim, që me sa duket, në shoqërinë ku jetojmë, ende shkakton bujë. Vajza në foto ishte mbipeshë e për më tepër, nuk dukej sikur e kishte problem këtë fakt. Uau!
Mënyra si flet për trupin tënd, të femrës në përgjithësi, është e drejtpërdrejtë e nuk dukesh e kompleksuar.
Gratë duhet të kenë një marrëdhënie me trupin e tyre. Mendësia patriarkale e rrënjosur në shoqërinë shqiptare, e cila fatkeqësisht ngjason jo pak me shoqëritë më të prapambetura e më të varfra të botës, na dikton idenë se vajzat vijnë në jetë, rriten dhe jetojnë për burrat. Ne lindim, rritemi dhe vdesim në një trup që nuk na përket. Këshillohemi nga mëngjesi deri në mbrëmje si “të dukemi të bukura për burrat”, “si preferojnë burrat që ne të dukemi”, “çfarë duhet të veshim për t’u pëlqyer burrave”, duke ngritur kështu standard bukurie të sajuara nga burrat e duke I përçarë e kategorizuar gratë në dy lloje: ato që pëlqehen nga burrat dhe ato që nuk pëlqehen nga burrat. Deri kur? Kur do të vijë ai mëngjes i bardhë kur gratë të kuptojnë se janë pronaret absolute të trupit të tyre dhe pamja, ajo çka janë, nuk ka pse të jetë e lidhur me preferencat apo diktimin e dikujt tjetër? Vetëm kur fillon dhe e mendon trupin tend si tëndin dhe vetëm tëndin... vetëm atëherë mund të kesh një marrëdhënie me të.
Të njëjtin këndvështrim ke edhe me seksualitetin e gruas...
Besoj verbërisht tek autonomia absolute e trupit të grave dhe do vazhdoj ta them fort e me zë të lartë sa herë të më jepet mundësia. Një ndër veçoritë tipike të shoqërive patriarkale është bashkëjetesa e objektivizmit seksual të grave dhe turpërimit e denigrimit për seksualitetin e tyre. Pra, në shoqëritë si jona, gruaja nuk konsiderohet më shumë se një objekt seksual e njëkohësisht, turpërohet dhe etiketohet me emra të shëmtuar për manifestimin e seksualitetit të saj. Kjo ndodh sepse në shoqëri të tilla, burri perceptohet si një qenie e destinuar për të përmbushur kënaqësitë e tij seksuale dhe gruaja... vetëm një mënyrë për t’i shërbyer këtij qëllimi. Seksualiteti dhe integriteti seksual i grave mohohet plotësisht, duke u vënë në shërbim të atij të burrave dhe çdo “devijim” nga kjo traditë misogjene, çdo manifestim i hapur i seksualitetit të grave, çdo rebelim i tyre ndaj përmbushjes së dëshirave të tyre të fshehta, çdo shenjë e dukshme e shijimit të seksualitetit të tyre, çon në turpërim, etiketim dhe stigmatizim të tyre si “të pamoralshme”. Burrave historikisht u lejohet të jenë të pamoralshëm, vetëm sepse natyra e ka dashur të jenë burra. Ka ardhur koha që grate të kuptojnë standardet e dyfishta të moralit me të cilat burrat përpiqen “t’i mbajnë në kontroll” dhe të vetëdijësohen përfundimisht se njerëzit janë të barabartë e gjinia nuk përkthehet në privilegj. Nëse burrave u lejohet të jenë “të pamoralshëm”, grave u lejohet gjithashtu.
Duke postuar mendime kaq të hapura për trupin e femrës, seksualitetin etj., me siguri bie pre e mesazheve pa fund nga profile, jo gjithmonë false.
Fillimisht do të tronditen, nuk do të kuptojnë, do të irritohen, skandalizohen... më vonë do ulen të mendojnë dhe nëse nuk
ndryshojnë mendim, të paktën mësojnë se ekzistojnë dhe njerëz që mendojnë ndryshe, që ekzistojnë edhe realitete ndryshe, e ky, sigurisht, është përparim. Çdo hap i bërë për të shfarosur kalbësirat e sistemit patriarkal, në cilëndo formë të mundshme, sado vogël dhe I parëndësishëm të jetë në dukje, mbetet progres.
Si reagon kur lexon komente dhe mesazhe agresive? Pendohesh që flet haptazi në rrjetet sociale?
Kurrsesi nuk pendohem që kam një opinion dhe e shpreh hapur atë; kjo është një ndër të drejtat e liritë themelore të njeriut. Ndjesia që provoj është një keqardhje e thellë për shoqërinë në të cilën jetoj, për mendësinë dhe banalitetin me të cilin jam e detyruar të përballem. Më vjen keq, sepse njerëzit me të cilët mund të bisedoj, të ndaj e të shkëmbej ide, janë të paktë, por kjo nuk është tjetër veçse tregues i qartë i asaj se sa nevojë ka ky vend për zëra të lirë, gra të lira, gra që kanë një opinion, diçka për të thënë, diçka për të dhënë.
Dukesh rehat në trupin tënd.. nuk ke ëndërruar ndonjëherë të kesh një trup tjetër?
Patjetër që dhe unë, si shumë vajza të tjera, gjatë procesit të rritjes dhe formimit, i cili nuk mbaron asnjëherë, nuk i kam shpëtuar ndikimit të imazheve mbi atë se si “duhet të duket një grua e bukur”, sidomos kur kjo formë edukimi kultivohet në familje, në shkollë, në shoqëri, televizion... praktikisht gjithkund. Ëndrra për të pasur një trup që u përshtatet standardeve të bukurisë së momentit, është në fakt, ëndërr për t’u ndier i pranuar. Kjo është dhuna psikologjike dhe trysnia që u ushtrohet me qindra e mijëra vajzave në botë, duke i bërë të mendojnë se ka diçka që nuk shkon me to, duke u shkatërruar vetëbesimin dhe individualitetin, duke ndërtuar modele e shembuj grash, të cilat duhen ndjekur, për të qenë të pranueshëm në shoqëri, të bukur. Këto mësime, çdo formë diktimi e jetës së grave duhet hedhur në kosh, ku s’bie drita asnjëherë.
Ke qenë gjithmonë kaq pozitive sa i takon trupin tënd, apo është diçka e fituar me kohën? Kur ke qenë më e vogël apo në adoleshencë, ke vuajtur për linjat perfekte?
Siç e thashë edhe më sipër, ka qenë një process jo pak i dhimbshëm e i sikletshëm. Imazhi që krijon për veten ndikon deri në detaje në jetën tënde, përditshmërinë, vetëbesimin, marrëdhëniet me njerëzit, pothuajse në gjithçka. Fëmijëve mbipeshë nuk u lejohet as luksi i të krijuarit vetë të një imazhi të tyre për veten, por u dhurohet i gatshëm. U bëhet e qartë se kanë diçka më pak se të tjerët, se duhet të përpiqen më shumë se të tjerët në jetë, se janë dembelë nëse nuk tentojnë dhe ia arrijnë të jenë “si të tjerët”; u mësohet se bukuria vjen vetëm në një formë, atë që ka vendosur paraprakisht shoqëria. Këto mësime të mbajnë mbrapa dhe shërbejnë si pengesë për të besuar në atë që je, atë që mund të arrish, por nuk janë asnjëherë të pakapërcyeshme. Të vetëdijësohesh për bukurinë dhe fuqinë tënde nuk është kurrë vonë.
Shikojmë gjithë kohën në rrjetet sociale fotot e femrave me trup të ashtuquajtur të përsosur. Ti je ndër të parat që poston me krenari dhe shumë rehatshëm fotot e tua ku nuk ke linjat që përgjithësisht quhen të përsosura...
E po, unë kjo jam. A ka ndonjë kuptim të prezantohem si dikush që nuk jam? Nuk jam xheloze dhe as nuk i përçmoj vajzat me të ashtuquajturin trup perfekt e as ato që përpiqen ta kenë një të tillë, përkundrazi, simpatizoj përpjekjet e secilit për t’u ndierm rehat me veten, si dhe admiroj sinqerisht bukurinë e secilit. Jam e para vullnetare për të dhuruar komplimente dhe e fundit
për të bërë të kundërtën. Mendoj se bukuria njerëzore është e pafund, gjithëpërfshirëse, e parrokshme në një standard të vetëm dhe meriton veçse admirim. Ajo që duhet të kuptohet është pikërisht kjo, që trupëzohet në qindra, në mos mijëra forma.
Sidomos meshkujt reagojnë keq pasi poston foto të trupit tënd. Si ndihesh për këtë?
Mendoj se për të arritur të kuptosh integritetin që bën dikë të prezantohet si ai që është, nevojitet të gëzosh po të njëjtin integritet dhe bagazh intelektual. Pra, edhe nëse do të kërkoja konfirmim të bukurisë sime, gjë që nuk e bëj, këta meshkuj do të ishin të fundit në listë nga të cilët do ta kërkoja.
Mamaja jote u nda na jeta para disa kohësh. Ç’mendonte ajo për marrëdhënien tënde me seksualitetin dhe trupin?
Kam shumë mall për të. Mungesa e nënës është ndër ato ndjesi që nuk kapërdihen lehtë; mall me të cilin duhet të mësohesh të jetosh deri në fund. Sigurisht, të jetosh në një shoqëri ku kontrolli shoqëror ushtron trysni për të rritur fëmijë sipas parametrave që shoqëria I cilëson “të duhurit”, është një dramë për ne dhe prindërit tanë, të cilët janë rritur dhe edukuar ashtu siç e dimë dhe siç ata sot përpiqen të edukojnë dhe rrisin brezat e rinj.
Si fotografe ke realizuar shumë fotografi femrash nudo... pse ky fiksim për trupin e femrës dhe nuditetin?
Duke u përpjekur që arti im, nëse mund të quhet i tillë, të jetë politik, sigurisht që dhe fotografitë nudo janë një nga mënyrat për të folur mbi autonominë trupore të gruas dhe distancimin nga objektivizimi i saj, sado paradoksale të tingëllojë kjo. Trupi i zhveshur i një gruaje, para se të jetë subjekt erotik, është trup që i përket një njeriu, i cili, i veshur ose I zhveshur, meriton të trajtohet si i tillë.
U bë zhurmë e madhe kur në periudhën e Ramazanit publikove një foto nga pedonalja e Shkodrës, ku dy vajza putheshin në buzë e në sfond shfaqej banderola me urimin “Gëzuar Ramazanin”. Sa problem të krijoi kjo me komunitetin mysliman?
Liri e shprehjes do të thotë të ofendosh (ndoshta pa dashur) dhe të ofendohesh. Besoj tek e drejta e secilit për të shprehur opinionet dhe qëndrimet e tij lirisht dhe në format që zgjedh vetë për t’i shprehur ato. Pas fotos sime, sigurisht që qëndron opinioni dhe qëndrimi im për të drejtat e njeriut dhe specifikisht, ato të komunitetit LGBTI, mënyrën se si fetë abrahamike kanë ndikuar në opinionin e përgjithshëm për këtë komunitet; dhe ja ku jemi sot, në vitin 2017, kur ky komunitet vazhdon të diskriminohet. Çështja e shtruar është universale dhe gjithëpërfshirëse: ajo e të drejtave të njeriut, të cilën institucioni fetar jo vetëm që nuk e njeh, por predikon çdo gjë që bie në kundërshti me të drejtat themelore të njeriut (skllavëri, homofobi, ksenofobi, diskriminim gjinor e urrejtje). Ka ardhur koha të shkëputemi nga mbeturinat e epokave më të errëta të historisë njerëzore dhe të përpiqemi të ndërtojmë shtyllën tonë morale mbi një humanizëm sekularist. Dukshëm, feja ka dështuar në përmirësimin e jetës së njerëzve, duke bërë në shumicën dërrmuese të rasteve të kundërtën. Ka ardhur koha të tërhiqet duke kërkuar falje për dëmet e shkaktuara, jo të ofendohet kur flitet për të metat dhe dështimet e saj.
Historia e një italiani që kaloi nëntë muaj duke jetuar në një aeroport mund të tingëllojë paksa si komploti i fi...
Ka disa hapa shumë të thjeshtë për të pastruar syzet apo ekranin e celularit në mënyrën e duhur, nuk është n...
Mbreti Charles dhe Kate Middleton po mbështesin njëri-tjetrin në luftën e tyre kundër kancerit, të cilin ata po e luftojnë ...