Bruna dhe Xhani tregojnë çastet e vështira në “My Living”, «Sa mbaronim fjalinë e fundit, secili kthente kokën nga ana tjetër»

+

liviviv

NGA GENTIAN MINGA/ FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

I talentuar dhe krijues, origjinal dhe plot ide në arredim, arkitekturë, organizim evenimentesh, dizajn, modë, muzikë dhe shtrim tryezash festive,
Xhani Shqerra është ndër ata njerëz me fat, që e kanë kthyer pasionin në profesion dhe bëjnë punën e ëndrrave. Në “My Living”, ai është pa dyshim në habitatin e vet natyral, por e njëjta gjë vlen edhe për partneren e tij, Brunilda Lahen, e cila është kombinimi i përsosur i gazetares së aftë pas kamerave, me prezantuesen elegante dhe tërheqëse para kamerave.
Në programin më të ndjekur e popullor për mënyrën e të jetuarit në Shqipëri, ideuar me mjeshtri nga autorja Matilda Terpollari, Bruna dhe Xhani kanë intervistuar me qindra personazhe në tri vite transmetim. Tani është momenti të intervistojnë njëri-tjetrin, duke zbuluar gjëra që do shuajnë kureshtjen jo vetëm të lexuesit, por edhe të tyren, duke qenë se përpara kësaj interviste, nuk kishin ndarë shumë të vërteta me njëritjetrin. Në këtë artikull për revistën online,po shkëpusim pjesën ndoshta më pak të sheqerosur të intervistës, ku Xhani dhe Bruna flasin për përiudhën e vështirë që kaluan si kolegë

BRUNA: Nuk kemi vetëm kujtime të bukura, kemi pasur edhe çaste të vështira në “My Living”. Ka qenë një periudhë që nuk kemi pasur fare komunikim me njëri-tjetrin, ndërkohë, na duhej të bënim hapjen dhe mbylljen të buzëqeshur. Të jepnim maksimumin e energjisë së mirë, duke lënë jashtë problemet personale. Hynim në makinë, takoheshim, bënim hyrjen klasike, flisnim për temat dhe përqafoheshim, siç na e kërkonte skenari. Sa mbaronim fjalinë e fundit, secili kthente kokën nga ana tjetër e binte heshtja. Kjo zgjati për rreth tri javë, në mos gaboj.
XHANI: Duhet thënë se nga ne të dy, më toleranti jam unë. Ti Bruna mban qëndrim.
BRUNA: Mbaj qëndrim dhe tregohem kokëfortë kur mendoj se duhet.
XHANI: Marrëdhëniet në çiftet televizive nuk janë të lehta. Edhe pse kemi hapësirat tona shumë mirë të ndara e të përcaktuara në program, na lidh puna me njëri-tjetrin, por, si çdo çift televiziv, sigurisht që marrëdhëniet duan kohë të konsolidohen. Përplasjet janë një mënyrë për t’u njohur e afruar. Nuk mund të jemi gjithmonë të qeshur, në harmoni. Në momente të ndryshme kemi pritshmëri dhe pikëpamje të tjera, madje jemi ndryshe edhe në kokëfortësi apo hatërmbetje.
Bruna: Njerëzit kujtojnë se jemi miq jashtë ekranit, por jo. Unë e kam të vështirë të krijoj miqësi.
XHANI: Ekziston kjo ideja se vajzat e ekranit janë të hapura ndaj njohjeve edhe jashtë kamerave. Me ty Bruna kam parë se nuk ndodh, ndoshta ngaqë je e ndrojtur, e mbyllur. Do ta njohësh mirë tjetrin para se të krijosh miqësi, ndryshe nga unë. Kam dashur të bëhemi miq, jam përpjekur madje të ta fitoj me diplomaci besimin, por, me sa shoh, ti do që të sigurohesh para se të fusësh dikë në jetën tënde, sepse kur dikush hyn në rrethin tënd të besimit, vështirë se del më. Por kur një ditë rrugët tona të ndahen, dua të kthejmë kokën pas e të mendojmë se kemi kaluar bukur.

FASHION EDITOR: ORIANA KAMBERI/ GRIMI & FLOKËT: GRESA KOTRI