Çifti amerikan rrëfen për Living: Si adoptuam dy fëmijë shqiptarë me sindromën Down

+

sabukurwrt

Colleen Griffin Mortensen dhe bashkëshorti i saj, Bredi, janë një çift amerikan, që kanë jetuar për tre vjet në Shqipëri, ku njohën dhe Marion, fëmijën me syndrome Down, i cili jetonte në jetimore. Çifti Mortensen adoptoi Marion e më pas, edhe Augustin, një fëmijë tjetër me sindromën Down, po në një jetimore shqiptare. Përpara tyre, çifti i besimtarëve kishin adoptuar dy vajza, si dhe kanë një vajzë biologjike. Në këtë intervistë, Colleen rrëfen lidhjen me Zotin, dashurinë për fëmijët dhe jetën plot sfida, por shumë të bukur, si nënë...

famoljabukur
Fillimisht, do të doja një prezantim tuajin si çift. Nga vini dhe çfarë profesionesh keni?
Unë dhe bashkëshorti im, Bredi, jemi rritur në Kaliforni dhe vazhdojmë të jetojmë atje. Na pëlqen moti dhe ritmi i jetës në Kaliforni. Gjithashtu, mendojmë se atje ka më shumë mundësi për fëmijët tanë. Bredi ka kryer një master për Ekonomi dhe ka punuar për pesë firmat më të mëdha financiare në Shtetet e Bashkuara. Më pas, e la atë punë për t’iu përkushtuar pasionit të tij më të madh: të punonte si pastor në kishë. Aktualisht, ai është pastor. Unë jam diplomuar për mësuesi dhe kam dhënë mësim në Shqipëri për tre vjet. Pastaj, e lashë punën që t’u përkushtohesha fëmijëve dhe familjes. Në Shtetet e Bashkuara, ka shumë prindër që zgjedhin t’i mësojnë në shtëpi fëmijët dhe për këtë ka shumë ndihmë nga shteti.
Mund të na flisni pak për besimin dhe lidhjen tuaj me Perëndinë? Ç’rol ka luajtur besimi në vendimin tuaj për të birësuar fëmijë pa familje? E shihni këtë si një dëshmi të dashurisë tuaj për Perëndinë?
Ne besojmë në Jezus dhe jetojmë për të nderuar atë në gjithë çka bëjmë. Ai na motivon për shumëçka. Në lidhje me pyetjen, po, ne mendojmë se birësimi i këtyre fëmijëve është një dëshmi e dashurisë sonë për Perëndinë, që buron nga dashuria e Perëndisë për ne. Në librin Romakët 5:8, apostulli Pal, thotë: “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne”. Pra, nëse Krishti dha jetën në kryq për ne, si të mos motivohemi ne për të sakrifikuar për fëmijë që rriten nëpër jetimore? Më e bukura e kësaj është që ne jemi të bekuar me fëmijët tanë. Shpesh na thonë se fëmijët janë “me fat” që na kanë ne. Vetëm kjo fjali të bën të mendosh se ata na janë borxhlinj për diçka, por kjo nuk është aspak e vërtetë. Ne jemi mirënjohës që ata janë fëmijët tanë. Unë dhe Bredi as që e imagjinojmë jetën pa ta. Janë pjesë e jona, sikur të ishin fëmijët tanë biologjikë. Nuk dua të lë pa përmendur edhe rolin e prindërve që i sollën në jetë dhe më pas i dhanë për birësim. Dua të them se u jemi mirënjohës edhe atyre. E dimë që nuk e kanë pasur të lehtë të merrnin një vendim të tillë, as që e vëmë në diskutim faktin që i duan fëmijët e tyre. Fëmijët tanë e dinë që i do krijuesi i tyre, Perëndia, që i duam ne dhe që i duan prindërit e tyre biologjikë.

Vijon ne faqen e dyte